Optimizimi i palëve në nënshkrimin e MSA-së me Kosovën shihet edhe në fotografi: Foto: Qeveria e Kosovës

Hieroglifët e MSA-së 'Kosovare'

Ndërkohë që Kosova nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA) në tremujorin e parë të 2016, duke u trumpetuar nga qeveria dhe Bashkimi Evropian si fitore për të ardhmen evropiane të vendit, situata mund të jetë disi më e ndërlikuar.

Mungesa e informimit të duhur të prodhuesve, vëllimi i madh i mallrave ‘Made in EU’ që hyjnë në Kosovë pa taksa, përkundër barrierave të lidhura me cilësinë që produktet Kosovare hasin në dyert e BE-së, janë vetëm disa nga dritë-hijet e marrëveshjes tregtare.

Po ashtu, qeveria, ende nuk ka realizuar një shpjegim tërësor publik (lexo: transparencë teknike) të materialit prej 550 faqesh të marrëveshjes tregtare.

Ky është vetëm fillimi i një tregimi me shumë kapituj

Pavarësisht, pretendimeve qeveri-BE se ky dokument tregtar e afron më shumë Kosovën me Bashkimin Evropian, përmendja e vendit me fusnotën tradicionale, e zbeh rëndësinë politike të kësaj MSA-je, në një marrëveshje klasike tregtare.

Dhe sa i takon askpektit ‘klasik tregtar’, ka paralajmërime se marrëveshja e duartrokitur mund ta godasë Kosovën në një vëllim importesh që llogariten në rreth 70 për qind të të hyrave nga doganat.

Ky është vetëm fillimi i një tregimi me shumë kapituj, ndërlikimet dhe kthesat e papritura, por dhe ato të pritshme të të cilit duan kohën e vet që të marrin jetë.

Ndërkaq, kjo analizë fokusohet më së shumti në ‘fillimet e lumtura’ të aventurës kosovare me MSA-në, por paraqet edhe disa paralajmërime për të ardhmen.

Flamuj të Bashkimit Evropian valëviten jashtë parlamentit Evropian | Foto: Wikicommons
Flamuj të Bashkimit Evropian valëviten jashtë parlamentit Evropian | Foto: Wikicommons

Rruga e gjatë drejt MSA-së

Që nga fillimi i negociatave, hyrja në fuqi e kësaj marrëveshjeje, informimi i qytetarëve dhe bizneseve më kohë dhe deri në zbatimin e saj të plotë, duhet një dekadë kohë, përfshirë edhe efektet e MSA-së.

Procesi i Stabilizim Asociimit lindi si nevojë për të përkrahur vendet e Evropës Juglindore për stabilitet ekonomik, politik, reformat për një shtet ligjor dhe institucione të qëndrueshme.

Sipas një publikimi “Shqipëria dhe Bashkimi Evropian” të Institutit i Studimeve Ndërkombëtare (ISN) në, Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA), është një marrëveshje ligjore ndërkombëtare për bashkëpunim në mes dy palëve për adoptimin e vazhdueshëm të standardeve të BE-së.

Marrëveshje mundëson hyrjen e lirë nga taksat e mallrave të shteti që e nënshkruan këtë marrëveshje në tregjet e Bashkimit Evropianë.

Në Kosovë dialogu për MSA-në kishte filluar më herët, por në tetor të viti 2011, Komisioni Evropian përmes raporti të progresit kishte rekomanduar që të iniciohet studimi i Marrëveshjes për Stabilizim Asociimit.

Në maj të vitit 2012 pas pranimit të pyetësorit për studimin e fizibilitetit, qeveria e Kosovës filloi përgatitjen e këtij raporti. Një muaj më vonë, përkatësisht në qershor të 2012-s, qeveria ia dorëzoi raportin Komisionit Evropian.

Në dhjetor të të njëjtit vit, Këshilli i BE-së miratoi propozimin e Komisioni Evropian për nisjen e negociatave me Kosovën për MSA-në.

Raporti i monitorimit për zbatimin e kritereve afatshkurtra të studimit të fizibilitetit të MSA-së, i publikuar në prill 2013, konfirmoi përmbushjen e kritereve afatshkurtra për fillimin e këtyre negociatave.

Nga muaji tetor 2013 filluan negociatat për MSA-në, ku mbahen 5 raunde të negociatave deri në muajin maj të vitit 2014, me takimin përfundimtar të kryenegociatorëve që u mbajt në Prishtinë.

Miratimi në parim i MSA-së nga kryenegociatorët erdhi në korrik të atij viti. Marrëveshja e MSA-së, në mes të Kosovës dhe BE-së u nënshkrua në tetor të vitit 2015. Në po atë muaj qeveria e Kosovës miratoi marrëveshjen, e cila më pas u ratifikua edhe në Kuvendin e Kosovës një muaj më vonë.

Viti 2015 për MSA-në përmbyllet me miratimin e Programit Kombëtar për Zbatimin e kësaj marrëveshje, e cila do të fillonte të zbatohej në prill 2016.

Marrëveshja e MSA-së për Kosovën është e ndarë në tre kapituj: të mallrave industriale, bujqësore dhe peshkatarisë. Te kapitulli industrial ato produkte industriale që nuk janë të parapara në anekse të marrëveshjes janë me 0% tatim doganor

Kosova ka lidhur marrëveshje për 99.7 për qind të produkteve të saja, kështu që 0.3 për qind e produkteve nuk janë pjesë e marrëveshjes.

Një kategori e ndryshme e produkteve industriale është paraparë që të ketë po ashtu 0% tatim doganor pas katër vjetëve.

Kosova ka lidhur marrëveshje për 99.7 për qind të produkteve të saja, kështu që 0.3 për qind e produkteve nuk janë pjesë e marrëveshjes.

1,204 produkte apo 68.56 për qind do të liberalizon menjëherë nga hyrja në fuqi e marrëveshjes. Në këtë grup janë 160 produkte bujqësore të cilat lirohen nga detyrimet doganore. Pjesa e mbetur prej 541 produktesh bujqësore do të liberalizohen brenda 5, 7 dhe 10 vjetësh pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes.

Ndërsa, sa u përket produkteve industriale, Kosova ka rënë dakord me BE-në që 4,763 apo gati 70 për qind nga 6,819 produkte të liberalizohen menjëherë, 1,740 produkte lirohen nga detyrimet doganore, e 2,056 produktet e mbetura industriale do të liberalizohen brenda 5 dhe 7 vjetësh pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes.

Isa Mustafa duke nënshkruar marrëveshjen për MSA-në | Foto: Qeveria e Kosovës
Isa Mustafa duke nënshkruar marrëveshjen për MSA-në | Foto: Qeveria e Kosovës

‘Pjesërisht të informuar’

Informimi i bizneseve dhe qytetarëve për MSA-në është thelbësor që zbatimi të shkojë si duhet.

Nga zyra e informimit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë thuhet se kjo ministri ka themeluar mekanizëm koordinues ku bashkë-kryesues janë bizneset dhe nëpërmjet kësaj, MTI i ka informuar bizneset.

“Departamenti i Tregtisë brenda MTI-së ka të themeluar mekanizmin koordinues në kuadër të strukturave të politikës tregtare, konkretisht i ka nëngrupet punuese specifikë për bujqësi, industri, shërbime, marrëveshje tregtare dhe lehtësimin e tregtisë”, tha MTI.

Sipas ministrisë, në këtë mekanizëm vetë bizneset janë bashkë-kryesues, dhe nëpërmjet kësaj mënyrë MTI vazhdimisht ka informuar bizneset edhe gjatë negocimit të MSA-se ku janë kërkuar inpute nga bizneset, si dhe te njëjtën gjë po e bëjmë edhe pasi ka filluar tanimë zbatimi i MSA-së.

“Bizneset kryesisht po informohen lidhur me benefitet [përfitimet] dhe obligimet e MSA-së”, thuhet në përgjigjen e MTI-së.

MTI më tej thotë se organizon tryeza me institucione përgjegjës dhe ekspert të BE-së për sektor dhe nënsektor të produkteve dhe përveç kësaj departamenti i tregtisë takohet në baza ditore varësisht prej kërkesave të bizneseve dhe vazhdimisht bizneset informohen lidhur me MSA-në.

Por sa i plotëson standardet biznesi kosovar për tregun evropian?

Në anën tjetër, Shaqir Palushi përfaqësues i firmës Frutex LLC, prodhuesi i pijes Golden Eagle tha se janë të informuar për MSA-në përmes mjeteve të informimit, takimeve informuese të organizuara nga institucionet e Kosovës dhe organizatave që përfaqësojnë bizneset, por që ky informim nuk ka qenë i plotë.

“Mendoj që qeveria e Kosovës është duke bërë mjaftueshëm lidhur me informimin e qytetarëve, por nuk ka bërë mjaftueshëm për prodhuesit vendorë për të cilët është dashur që të paktën 1 apo 2 vite më herët ti ndryshoj politikat fiskale në mënyrë që të fuqizohej sektori prodhues duke e rritur fuqinë e prodhueseve vend”, shtoi ai.

Por sa i plotëson standardet biznesi kosovar për tregun evropian? Palushi thotë një pjesë e prodhimeve vendore i plotëson e një pjesë tjetër jo.

“Besoj që një pjesë e prodhimeve të prodhuara në Kosovë i plotësojnë standardet e BE-së, sepse edhe teknologjia kryesisht është teknologji e blerë pas lufte e cila i plotëson standardet por edhe ne kuadër të cilat e ndonëse jo me shume përvojë kane arritur që të fitojnë njohurit e duhura qofte përmes përvojës së punës apo përmes trajnimeve të ndryshme”, tha Palushi

Ai shpjegoi se nga ana tjetër, një pjesë e prodhuesve ende nuk janë në gjendje të prodhojnë sipas standardeve të Bashkimit Evropian, madje në disa raste, duke mos plotësuar as standardet e tregut vendas.

MSA-ja është dokument, vlerësimet për të cilin varen shumë nga sesi lexohet. Ndryshe e lexon qeveria, ndryshe BE, ndryshe biznesi vendas, dhe vetë MSA-ja për Kosovën është ndryshe nga ato pë vendet e tjera | FOto: Qeveria e Kosovës
MSA-ja është dokument, vlerësimet për të cilin varen shumë nga sesi lexohet. Ndryshe e lexon qeveria, ndryshe BE, ndryshe biznesi vendas, dhe vetë MSA-ja për Kosovën është ndryshe nga ato për vendet e tjera | Foto: Qeveria e Kosovës

MTI shtjellon teori ekonomike

MTI në anën tjetër thotë se përveç produkteve që nuk janë të përfshirë në listën MSA-së, disa produkte kanë qarkulluar lirshëm edhe para hyrjes në fuqi të MSA-së, por se kjo nuk është e mjaftueshme.

“Ne mendojmë se fillimisht ekziston një numër i produkteve vendore të cilat do të mund të kenë qasje në tregun e BE-se, kjo për faktin se nëse i referohemi 14 produkteve që nuk janë përfshi fare në listën e MSA-së si dhe një numër i produkteve te tjera që janë mbrojtur për një periudhë kohore”, tha MTI.

Ministria thotë se është një numër i madh i produkteve industriale dhe bujqësore mund të jenë afër arritjes së standardeve të BE-së me një angazhim më të madh.

Por nëse MSA do të ndikojë në rritjen apo shkurtimin e vendeve të punës, apo anasjelltas, ministria përgjigjet duke u aventuruar në lëmin e teorive e ekonomike mbi zhvillimin e qëndrueshëm.

Është e paqartë nëse ministria ka realizuar apo u është referuar studimeve ekzistuese për këtë çështje

“Në një afat të mesëm, ne mendojmë që MSA do të ndikojë në rritjen e vendeve të punës. Mirëpo, kjo varet edhe nga vetë sektori privat në Kosovë se sa shpejt mund të jenë në gjendje të arrijnë të prodhojnë ashtu siç kërkon BE”, thotë ministria.

Në përgjigjen e këtij institucioni thuhet se me “arritjen e këtij standardi, padyshim se do të lindë nevoja për rritje të prodhimit, e cila karakterizohet edhe me rritje të punësimit”.

Përveçse, rritja e vendeve të punës është objektiv vendor jo standard që lidhet me MSA-në, qasja e MTI-së është interesante përderisa ka servirur një cikël sipas të cilit, rritja e punësimit [pa shpjeguar se ku bazohet ky] rrit prodhimin, i cili nga ana e tij, rrit sërish punësimin.

Është e paqartë nëse ministria ka realizuar apo u është referuar studimeve ekzistuese për këtë çështje, përderisa përgjigjet bazohen në mendime.

Barra Financiare e MSA-së dhe mbështetja e BE-së

Në korrik të 2015-së Banka Botërore tha se janë rreth 70 për qind të hyrat nga Dogana të cilat rrezikojnë të bien me nënshkrimin e Marrëveshjes së MSA-së dhe ato të hyra duhet të kompensohen me të hyra vendore.

Me nënshkrimin kësaj marrëveshje, sipas Doganave të Kosovës, vendi parashihet të humbë rreth 24 milionë euro që në vitin e parë.

Zbatimi i MSA-së nuk karakterizohet vetëm me kosto financiare por edhe me ndihma nga BE-ja si mbështetje për zbatimin e kësaj marrëveshje.

Përmes programit Ndihma Komunitare për Zhvillim, Rindërtim dhe Stabilizim (CARDS), Republika e Shqipërisë përfitoi ndihma rreth 180 milionë euro për periudhën 2001-2004. Destinimi i të cilave ishte për rindërtim dhe Infrastrukturë, zhvillim ekonomik dhe shoqëror dhe në nxitjen e bashkëpunimin rajonal.

Gjithashtu edhe Republika e Maqedonisë sipas raportit “Dhjetë vjet nga miratimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit”, në vitet 1991 deri 1999, përmes programit FARE, kishte përfituar rreth 25-20 milionë euro në vit. Në vitin 2000 deri në 2006 rreth 40 deri 45 milionë euro dhe përmes Programit IPA në vitet 2007 deri 2013 rreth 80-85 milionë euro në vit.

MSA (s)garanton integrimin në BE

Shefi i zyrës së BE-së për Kosovë, Samuel Zhbogar në një konferencë kishte thënë se me këtë marrëseshje BE-ja tregon qartë perspektivën evropiane të Kosovë, dhe është marrëveshja e parë e Kosovës me BE-në.

Por a garanton MSA integrimin e Kosovës në BE? Gazeta Jeta në Kosova ka kontaktuar me drejtorin e Grupit për Studime Politike dhe Juridike. Fisnik Korenica, i cili tha se MSA si e vetme nuk garanton integrim të Kosovës në BE pa ndërrim të qëndrimit nga pesë shtete mos-njohëse të pavarësisë së Kosovës që janë anëtare të BE-së

“Perspektiva evropiane mund të jetë e garantuar vetëm nëse këto pesë vende tash e tutje e ndërrojnë qëndrimin sa i takon anëtarësimit të Kosovës”

“MSA-ja aktuale ka disa defekte, që reflektojnë qëndrimin e shteteve që nuk e njohin Kosovën. Pra pesë shtete mos-njohëse, dhe natyrisht se MSA është e bazuar në kompetencën e Bashkimit Evropian. Prandaj perspektiva evropiane mund të jetë e garantuar vetëm nëse këto pesë vende tash e tutje e ndërrojnë qëndrimin sa i takon anëtarësimit të Kosovës. Nëse këto vende nuk e ndryshojnë qëndrimin MSA si e vetme nuk është garancion që Kosova mund të bëhet shtet anëtar”, tha Korenica.

Lidhur me atë se anëtarësimi i Serbisë në BE, a paraqet pengesë tjetër për Kosovën?

“Relacioni i Kosovës dhe Serbisë sa i takon zgjerimit të Bashkimit Evropian, është e lidhur me kapitullin 35 të Serbisë, dhe nëse pala kosovare nuk është aktive që ta garantojë që brenda kapitullit 35 të pamundësohet pozicioni kundërshtues i Serbisë në relacion me Kosovën, atëherë natyrisht që Serbia mund të jetë faktorë pengues për anëtarësimin e Kosovës në BE nis ajo hynë përpara nesh”, shtoi më tej Korenica.

Këshilli i Evropës në dhjetor të viti 2005 kishte marrë vendim pozitiv për Maqedoninë dhe u bë shteti me statusin kandidat por pa datë për fillimin e negociatave.

Si e përjetuan fqinjët MSA-në?

Zhvillimi i ekonomik i vendit me hapa më të shpejtë, është edhe aspiratë në tentim për të realizuar përmes marrëveshjes së MSA-së. Po cilat ishin efektet e sajë në vendet tjera të Ballkanit të cilët e nënshkruan këtë marrëveshjeje kohë më parë.

Në Republikën e Maqedonisë, sipas raportit “Dhjetë vjet nga miratimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit” 6 vite pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes eksportet u trefishuan dhe kapën vlerën në 1.859 milionë euro.

Sipas raportit të Institutit të Statistikave (INSTAT) “Tregtia e Jashtme 2011-2015” (fq.7, 9), eksportet e Shqipërisë me vendet e Bashkimit Evropian në vitin 2015 ishte 75.3 për qind e eksporteve të përgjithshme të Shqipërisë, me një rritje prej 27.4 për qind në krahasim me vitin 2011. Përderisa importet me vendet e BE-së zënë 61.7 për qind të importeve, dhe shënojnë një rënie 5.4 për qind në krahasim me vitin 2011

“Në marrëveshjen e MSA-së, Kosova pasqyrohet me fusnotë, ku thotë që nuk paragjykon qëndrimin ndaj statusit dhe është në përputhje me rezolutën 1244/1999 dhe opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Mbetet të shihet nëse e ardhmja a do ta shkrijë këtë “flluskë dëbore” – siç e ka quajtur fusnotën në të shkuarën Edita Tahiri – dhe Kosova të jetë e barabartë me shtete tjera në familjen e madhe Evropiane, apo kjo flluskë do të sjellë ortek të problemeve në rrugën evropiane të vendit.