Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Shefi i zyrës së BE-së Szunyog kërkon reforma afatgjate për agjendën e gjelbër

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog në gjashtë vjetorin e marrëveshjes së Stabilizim- Asocimit (MSA) ka kërkuar nga Kosova që të filloj me reformat për agjendën e gjelbër.

“Është koha që Kosova të nis reforma afatgjate në zbatim të kësaj marrëveshje ku bënë pjesë edhe Agjenda e Gjelbër”, ka thënë ai.

Szunyog në konferencën e Këshilli i Investitorëve Evropianë (EIC) ka thënë se zbatimi i MSA-së, Kosovën e rendit afër standardeve evropiane.

“Për biznese të Kosovës, kjo marrëveshje do të thotë qasje më e madhe në tregun e BE-së, më zbatim të MSA-së, Kosova u zotua të renditet me standardet evropiane. Kjo marrëveshje tërheq edhe investitorët e huaj dhe rrit kualitetin e produkteve vendore, e gjitha kjo më pas përkthehet në pagesa më të mira për punëtorët”, ka thënë ai.

Sipas tij, është Qeveria e Kosovës ajo që duhet të siguroj për zbatimin e plotë të reformave që dalin nga MSA-ja.

“Në fund të fundit, është roli i Qeverisë së Kosovës që të udhëheqë dhe të sigurojë përmbushjen e të gjitha obligimeve që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, me mbështetjen dhe në bashkëpunim me Kuvendin, shoqërinë civile dhe sektorin privat”, ka theksuar ai.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka thënë se në kuadër të MSA-së janë përgatitur shumë projektligje.

“Unë e koordinoj agjendën e integrimeve evropiane mirëpo puna e madhe në koordinimin dhe përgatitjen e koncept dokumenteve është bërë nga zyrtarët publikë dhe ministritë e linjës si dhe agjencitë e pavarura dhe është fakt që kemi një numër të madh të ligjeve të cilat i kemi përfunduar por është edhe një numër i madh i ligjeve të cilat i kemi miratuar në qeveri dhe po presin në kuvend për miratim”, tha Bislimi

“Janë 30 ligje të cilat janë në procedurë nëpër komisione parlamentare. Boshti i MSA-së sillet rreth dy fushave, ekonomisë dhe sundimit të ligjit, dhe kjo përputhjet me misionin që ka pasur në start qeveria Kurti”, shtoi Bislimi.

Sipas Bislimit ideja e MSA-së dhe Agjendës së Reformave Evropiane është që ambienti i të bërit biznes të jetë më i favorshëm, por edhe kualiteti i jetës së qytetarëve të avancohet.

“MSA dhe Agjenda e Reformave Evropiane kanë marrë përsipër shumë obligime që lidhen me funksionimin normal të ekonomisë së tregut, rritjen e konkurushmërisë në ekonomi që mundësojnë lëvizjen e lirë të mallrave dhe kapitalit, dhe një fushë tjetër të mbrojtjes së të drejtave apo pronësisë intelektuale”, ka theksuar ai.

Republika e Kosovës dhe Bashkimi Evropian kanë nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit më 27 tetor 2015, në Strasburg. Ajo më pas u miratua nga Qeveria e Republikës së Kosovës më 30 tetor 2015, ndërsa ratifikua nga Kuvendi i Republikës së Kosovës më 2 nëntor 2015.

MSA vendosë kornizën e marrëdhënieve të Kosovës me shtetet anëtare dhe institucionet e BE-së për jetësimin e Procesit të Stabilizim-Asociimit (PSA) deri në anëtarësimin e plotë në BE.