Pas shumë kryeministrave, edhe Kurtit i erdhi radha ta përfaqësojë Kosovën me fusnotë

Kryeministri Albin Kurti së bashku me një pjesë të madhe të kabinetit të tij qeveritar është duke qëndruar në vizitë zyrtare në Bruksel.

Në takimet e shumta që ka pasur sot si kryeministër, Kurti ka përfaqëuar Kosovën edhe në takimin e Këshillit të Stabilizim-Asociimit ndërmjet BE-së dhe Kosovës në Bruksel.

Në këtë takim, Kosova është përfaqësuar me shenjën e fusnotës, e me Albin Kurtin si kryeministër.

Në tavolinën ku shënonte emri i shteti që e përfaqëson Albin Kurti, shkruan Kosovë me fusnotë “KOSOVO*”.

Në kohën sa kishte qenë në opozitë, kryeministri Kurti e kishte kundërshtuar fuqishëm arritjen e marrëveshjes në Bruksel që i vendoste shtetit të Kosovës fusnotën.

Më 18 prill 2012, Albin Kurti nga foltorja e Kuvendit e pati cilësuar “tradhti shtetëore” marrëveshjen e arritur në Bruksel që Kosovës i vendoste fusnotë.

“Marrëveshja në Bruksel me Serbinë për pikat kufitare që u degraduan në pika kaluese dhe për fusnotën që realisht na kthen te negociatat e Vjenës të vitit 2006 paraqesin tradhti ndaj shtetit të Kosovës që e keni shpallur të pavarur mu në këtë sallë para më shumë se 4 vjetësh. Kjo tradhti ndaj shtetit të Kosovës prej qeverisë dhe kryeministrit të Kosovës e ka trimëruar dhe inkurajuar Serbinë që të tregoj se Kosova nuk ka as kufij as Mitrovicë”, kishte thënë Kurti në një fjalim para Kuvendit të Kosovës në prill të vitit 2012.

Reagimi i atëhershëm i Albin Kurtit vinte pak javë pasi në Bruksel ishte vendosur që fusnota për Kosovën.

Grafika: Granit Mavriqi/KALLXO.com

Marrëveshja për fusnotën ishte arritur më 24 shkurt 2012 në Bruksel në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, kur kryeministër ishte Hashim Thaçi.

Kjo marrëveshje nënkuptonte pozicionin e palëve karshi statusit të Kosovës, përkatësisht pozicionin e Serbisë në përputhje me Rezolutën 1244 dhe pozicionin e Kosovës që mbështetet në opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.

Shefja e atë hershme e delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, kishte vlerësuar se ishte arritur marrëveshje me rëndësi historike, sepse me të sipas saj hapet një kapitull i ri në marrëdhëniet Kosovë-BE.

Ndërkaq e vlerësoi fusnotën si fjollë bore.

“Ajo fusnotë është si fjollë bore, do të shkrihet me kalimin e dimrit”, ka thënë Tahiri.

Mirëpo, kanë kaluar disa vjet dhe Kosova vazhdon të përfaqësohet me fusnotë në takimet e llojit të tillë.

Në lidhje me këtë ka deklaruar edhe zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka.

Sipas tij, fusnota është një pasojë që iu është lënë Kurtit dhe nuk është përgjegjësi e tij si kryeministër.

“Pasojat që i kanë lënë Kurtit nuk janë përgjegjësi e tij, përkundrazi qeveria aktuale po bën përpjekje për të dalë nga logjika e fusnotës”, ka shkruar Manxhuka në Facebook.

“Pra, Lëvizja VETËVENDOSJE! që ishte kundër kësaj marrëveshje dhe se koha e dëshmoi se ajo nuk është fluskë bore duan t’ja hedhin koston vetëm pse e kemi kundërshtuar, pra nuk e shikojnë fusnotën në raport me Republikën, por veç në raport me VV-në”, ka shkruar tutje ai.