Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Bislimi prezanton zbatimin e Programit Kombëtar për zbatimin e MSA-së për periudhën prill-qershor

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, në mbledhjen e Qeverisë ka informuar mbi zbatimin e Programit Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit për periudhën prill- qershor.

Bisilimi ka thënë se Plani Kombëtar i zbatimit të MSA-së përmban 235 masa.

“Plani kombëtar i zbatimit të MSA-së përmban 235 masa, prej të cilave 89 janë masa legjislative dhe 146 janë masa zbatuese” – njofton Bislimi.

Sipas Bislimit, në tërësi janë zbatuar 44 masa, në zbatim e sipër janë 121, në shtatë masa ka vonesa të vogla, ndërkaq vonesa serioze ka në 55 masa.

“Deri në fund të qershorit janë zbatuar në tërësi 44 masa, një në zbatim e sipër pa vonesa 121, ka vonesa të vogla në 7 masa dhe ka vonesa serioze në 55 masa. Pesë masa ende nuk kanë filluar zbatimin për arsye se janë të parapara me fillu zbatim pas kësaj periudhe” – ka deklaruar Bislimi.

Më tej, Bislimi ka prezantuar zbatimin e masave në tri blloqe me kriter politik, ekonomik dhe standarde evropiane.

“Janë tri blloqe. Tek blloku i parë, kriteret politike janë zbatuar katër masa deri në fund të qershorit, janë në zbatim pa vonesa gjashtë dhe ka vonesa serioze në gjashtë. Tek blloku i dytë, kriteret ekonomike, janë në zbatim  dy masa dhe ka vonesa serioze tek një prej tyre. Ndërkaq tek blloku i tretë, standardet evropiane, janë të planifikuara 215 prej masave. Në këtë bllok janë zbatuar 40 masa, janë në zbatim e sipër pa vonesa 113, ka pak vonesa në shtatë dhe vonesa serioze tek 51″ – është shprehur Bislimi.