Bislimi për MSA-në: Janë zbatuar mbi 50 për qind e masave të marrëveshjes me BE-në

Në Komisionin për Integrim Evropian, ka raportuar zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit 2021, BE-Kosovë.

Bislimi tha se programi është miratuar në korrik në Qeveri, ndërsa në Kuvendin e Kosovës është miratuar në muajin tetor.

Bislimi tha se janë zbatuar mbi 50 për qind të masave.

“Janë realizuar masa të shumta që për vite me radhë nuk kanë arrit të shtyhen përpara”, tha ai.

Bislimi ka ftuar komisionin dhe deputetët për bashkëpunim që projektligjet që dërgohen në Kuvend të votohen.

Anëtarja e Komisionit nga radhët e Aleancës për Ardhmërine e Kosovës (AAK), Time Kadriaj tha se Qeveria po dështon në sjelljen e agjendës legjislative.

“Asnjë projektligj në Kuvend nuk kalon nëse nuk është në përputhje me agjendën e Bashkimit Evropian. Kërko ta respektojnë agjendën legjislative dhe të respektohen afatet kohore. Vitin e kaluar keni dështuar në sjelljen e agjendës legjislative”, tha ajo.

Bislimi shtoi së dështimi nuk është mesazhi që duhet të përçohet.

“Nëse dojnë me çu mesazhin te partnerët ndërkombëtarë se jemi duke punu me ritmin e duhur duhet të gjejmë ndonjë term më të butë se dështim”, tha ai.

Kurse, Blerta Deliu-Kodra anëtare e Komisionit nga Partia Demorkatike e Kosvës (PDK) tha se sa i përket kritereve evropiane nuk janë zbatuar 52.8 për qind të kërkuara në standardet ndërkombëtare.

Deliu-Kodra i ka përmendur edhe takimin me Bjorn Berge, zëvendës-sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës i cili sipas saj e ka përgënjeshtruar deklaratën e Bislimit.

“Për ne ka qenë e papritur një shkarje e tillë a mendoni që e keni rrezikuar këtë proces dhe mund ta dëmtoni kredibilitetin. Ata që e përfaqësojnë Kosovën të jenë të vëmendshëm në deklarimet publike”, tha ajo.

Bislimi tha se ecuria e procesit të anëtarësimit në Komisionin Evropian varet nga cilësia diskutimeve.

Sipas tij takimi  më produktiv dhe me i mirë ka qenë me Berge.

“Ai nuk ka përgënjeshtru vetëm e ka korrigju një term”, tha ai. “Në sy të zotit Berge nuk ka kurrfarë keqkuptimi. Ju siguroj që biseda ka qenë e frytshme dhe procesi jonë nuk është dëmtu e as nuk është prek”, shtoi Bislimi.

Ditë më parë, Bislimi dhe Berge kishin zhvilluar një takim.

Pas këtij takimi Bislimi kishte thënë se Berge e ka mirëpritur synimin e Kosovës për tu anëtarësuar në Këshillin e Evropës.  Berge kishte reaguar duke thënë se ai nuk ka deklaruar një gjë të tillë.

Më vonë Bislimi kishte kërkuar falje ndaj Berge duke thënë se e gjitha kjo ka ndodhur për shkak se nuk është zgjedhur termi adekuat.

Zyrtari i Këshillit të Evropës “e qet në rrenë” zëvendëskryeministrin Bislimi (kallxo.com)