Banka Botërore: Kosova Ka Kërkesa të Mëdha por Resurse të Kufizuara

Banka Botërore (BB) publikoi raportet “Rishikimi i financave publike të Kosovë: Politikat fiskale për një shtet të ri” dhe “Politikat tatimore dhe boshllëku tatimore në Kosovë”, ku spikatin një sërë problemesh.

Në mesazhet kryesore të këtij raporti thuhet se Kosova ka kërkesa të mëdha dhe resurse të kufizuara. Nga ndërtimi i autostradës, përfitimi i veteranëve, rritja e pagave në sektorin publik, subvencionet për sektorin e energjisë për mbajtje të tarifave të ulëta nuk ka përfituar e gjithë popullsia e Kosovës.

Banka Botërore thotë se resurset mund të përdoren më mirë për përshpejtimin e rritjes ekonomike duke parandaluar ndërprerjen e energjisë elektrike, përfshirë shpërthimin në Kek që ka ndikuar në rënie të rritjes ekonomike, përmirësuar dhe mirëmbajtur kapitalin ekzistues fizik përfshirë rrugët.

Kosova, në krahasim me vendet tjera të rajonit investon më pak në mirëmbajtje të rrugëve përpos Shqipërisë. Mirëmbajtja e rrugëve në Kosovë për periudhën 2009-2012 ka rënie prej 75 për qind, sipas raportit.

Banka sugjeron se zhvillimi do të vijë duke përmirësuar kapitalin njerëzor të vendit, duke investuar në shëndetësi dhe arsim për të nxjerrë përfitime nga popullsia e re, duke mbrojtur të varfrit dhe rritur mundësitë ekonomike.

Raportet sugjerojnë që resurset ekzistuese mund të përdorën në mënyrë më efikase në shëndetësi, dhe në shërbime të tjera ku të gjithë kanë qasje.

Sipas raportit të Bankës Botërore, Kosova ka një rritje ekonomike solide 4% nga viti 2000 deri në vitin 2013, dhe nga të varfrit kanë përfituar më shumë.

Raporti vëren se politika fiskale në Kosovë ka qenë kundër-ciklike, ku gjatë viteve të rritjes së madhe ekonomike deri në vitin 2007, Kosova ka realizuar suficit dhe ka akumuluar një pjesë të parave që janë investuar në vitin 2009 gjatë krizës globale financiare për të mirëmbajtur rritjen ekonomike pozitive.

Pozitive është vlerësuar edhe borxhi publik dhe se rregulla fiskale tenton të siguroj deficit fiskal dhe borxh publik në nivele të qëndrueshme.

Ndër sfidat raporti i BB-së përmend papunësia e lartë dhe punësimi i ulët, varfëria e lartë ku Kosova është vendi i dytë më i varfër në Evropë rreth 2,900 euro ose 6000 euro kur përshtaten çmimet. Rreth 2/3 e të varfërve kanë të kryer më pak se shkollën e mesme që vështirëson daljen nga varfëria.

Sfidë tjetër që ka identifikuar BB-ja rreziku i të hyrave në kufi. Janë rreth 70 për qind e të hyrave që vijnë nga kufiri (Dogana, akciza, pjesë të TVSH-së) të cilat mund të bien me nënshkrimin e marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe në momentin e zbatimit të marrëveshjes dhe se të hyrat bien siç ka ndodhur në vendet e rajonit për shkak se për importet nuk kanë doganë dhe se këto të hyra duhet të kompensohen me të hyrat vendore.

Përmirësimi i bilancit të investimeve në infrastrukturë të re dhe mirëmbajtjes së kapitalit ekzistues është një ndër sugjerimet që Banka vë në dukje.

Gjithashtu, BB thekson që shpenzimet publike të bazohen në arsye të qarta ekonomik dhe sociale, të sigurohen investime të mjaftueshme në kapitalin njerëzor, investime në energji dhe përpjekja për të rritur të hyrat në vend pa pasoja minimale.