Një logo e sugjeruar për organizatën fantazmë | Foto: Përpunim i simboleve të ndryshme me licensë të hapur përdorimi

'Harausham' Mbetet Mister për Prokurorinë

Megjithëse organizata “Harausham” përmendet të paktën 6  në aktakuzën e prokurorit Rexhat Millaku, në një përgjigje të dërguar nga zyra e kryeprokurorit të shtetit, specifikisht nga prokurorja e shtetit Sevdije Morina, emri “Harausham” nuk është përmendur asnjëherë, e për më tepër nuk është dhënë asnjë përgjigje lidhur me dilemat e ngritura nga BIRN lidhur me ekzistencën e kësaj organizate.

Arben Livoreka dhe Nexhat Behluli në janar të këtij viti nga Gjykata Themelore në Prishtinë u dënuan me nga 3 vite e 6 muaj burg secili, nën akuzën për organizim dhe pjesëmarrje në grupet terroriste.

Sipas akuzës së prokurorit special, Rexhat Millaku, që njëherësh është edhe ushtrues detyre i kryeprokurorit të kësaj prokurorie, ishin bashkangjitur grupit “Harausham”, i cili grup kishte vepruar në kuadër të organizatës terroriste “Al Nusra”, ku sipas akuzës i akuzuari Arben Livoreka ka bërë ushtrime ushtarake për dy muaj e gjysmë.

Gjithnjë sipas akuzës së prokurorit Millaku, pas një konflikti në mes të këtyre organizatave, si shkas i asaj që ISIS kishte dashur të marr komandën, ata janë kthyer në Kosovë.

Një hulumtim i BIRN në maj të këtij viti, kishte zbuluar se grupi “Harausham”, për të cilin prokuroria pretendon se të akuzuarit i përkisnin, mund të mos ekzistojë fare.

Çështja e “Harausham”, i ishte ngritur edhe kryeprokurorit të vendit Aleksandër Lumnezi i cili në konferencën vjetore të raportit të monitorimit të gjykatave të BIRN, kishte thënë se nuk është i informuar për këtë organizatë.

BIRN jo shumë kohë pas kësaj konference i ishte drejtuar me një shkresë zyrtare zyrës së kryeprokurorit të shtetit duke kërkuar shpjegim se si mund të ngritët aktakuzë ndaj dikujt për pjesëmarrje në një organizatë in-ekzistente.

Në përgjigjen e zyrës së kryeprokurorit të shtetit të datës 6 qershor 2016, për dallim nga ajo që përshkruhet në aktakuzën e prokurorit Millaku thuhet “Pas shqyrtimit të kujdesshëm të dosjes së këtij rasti dhe pas bisedës edhe me prokurorin e rastit kemi gjetur se nuk është kontestuese se të dy të akuzuarit kanë qenë në Siri, se atje i janë bashkangjitur një grupi terrorist i cili ka vepruar në kuadër të Al Nusrës”.

Pra nga përgjigja e zyrës së kryeprokurorit të shtetit, nuk përmendet Haraushami dhe referenca ndaj këtij grupi është zëvendësuar me “një grupi terrorist”.

Çka e bënë edhe më intriguese përgjigjen e prokurorisë është pjesa tjetër e përgjigjes ku thuhet “Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës për të ekzistuar vepra penale organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist nuk kërkon që dikush të veproj në një organizatë e cila formalisht është shpallur terroriste nga ndonjë institucion ndërkombëtarë por taksativisht kërkohet organizimi apo drejtimi i një grupi terrorist apo pjesëmarrja në veprimtaritë e një grupi terrorist”.

Megjithatë, dilema në rastin Harausham, është në ekzistencën apo po të këtij grupi dhe edhe pse në përgjigjen e prokurorisë thuhet se nuk duhet të jetë organizatë e shpallur terroriste nga institucionet ndërkombëtare, pjesëmarrja apo organizmi i një grupi terrorist kërkon identifikimin e këtij grupi.

Gjithashtu, nëse prokuroria pretendon se është e mjaftueshme vetëm përcaktimi “kanë marrë pjesë në një grup terrorist”, pa e përcaktuar apo emërtuar se cilin grup terrorist, atëherë do të duhej që të përshkruheshin veprimet inkriminuese të atij grupi, vendin dhe kohën e kryerjes së veprave terroriste.

Në aktakuzën që ngarkon Arben Livorekën dhe Nexhat Behlulin, nuk është bërë një përshkrim i tillë, përpos faktit që ata kanë shkruar në Siri përmes Turqisë, u janë gjetur fotografi me armë, flamur i ISIS, apo fotografi në rroba civile.

Avokatët mbrojtës të Arben Livorekës dhe Nexhat Behlulit janë ankuar në Gjykatën e Apelit të Kosovës, fillimisht vetëm lidhur me lartësinë e dënimit, ndërsa pas publikimit të hulumtimit të BIRN ka bërë një aneks shtesë të ankesës ku ka ngritur edhe çështjen e ekzistimit të organizatës “Harausham”.

Seanca në Gjykatën e Apelit do të mbahet më 10 qershor nga ora 10.