Dinarë serbë Foto: Milica Stojanovic | BIRN

Deklarata e Escobarit se vendimi për dinarin shkaktoi 'kaos në ekonomi', ekonomistët thonë se është herët për vlerësime

Nuk janë bërë as dy muaj prej kur ka hyrë në fuqi zbatimi i Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës por Sekretari amerikan për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike dhe përfaqësuesi Special i SHBA-së në Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, thotë se kjo rregullore ka shkaktuar kaos në ekonominë e Kosovës.

“Pra neve na duhet që Kosova të punojë me komunitetin ndërkombëtar të ndihmojë në gjetjen e një zgjidhjeje për këtë, do thosha, vendim katastrofal madje edhe vendim jokompetent i zbatimit të një vendimi që ka shkaktuar kaos në ekonominë e Kosovës”- deklaroi Escobar në një konferencë për media gjatë vizitës në Kosovë më 12.03.2024.

Por, dy ekonomistë gjatë bisedës me KALLXO.com, nuk u pajtuan me këtë deklaratë të Escobarit, pasi që sipas tyre, akoma është shumë herët të bëhet një vlerësim i tillë. Në anën tjetër akoma nuk ka asnjë analizë dhe raport publik që vë në pah nëse Rregullorja për paratë e gatshme, ku përfshihet edhe çështja e dinarit të ketë shkaktuar kaos në ekonomi.

Ekonomisti, Edison Jakurti, i cili është ligjërues në Universitetin Lancaster në Leipzig të Gjermanisë, tha për KALLXO.com që duhet më shumë kohë që ndryshimet në terren të reflektohen përmes indikatorëve ekonomikë.

“Aktualisht ka më shumë evidencë anekdotale sa i përket ankesave të qytetarëve serbë. Natyrisht se ato duhet të merren parasysh meqë çdo politikë ekonomike duhet ta synojë përmirësimin e jetës së njerëzve”- tha Jakurti.

Megjithatë, Jakurti thotë që nuk është në dijeni se që nga 1 shkurti është vënë në sipërfaqe donjë shenjë kaosi në ekonominë e Kosovës.

Njohësi i çështjeve ekonomike, Mustafë Kadrijaj, vlerëson që nuk mund të thuhet se ka kaos ekonomik gjatë këtyre dy muajve dhe nuk vlerëson që ka si pasojë e vendimit për dinarin.

Sipas tij, Rregullorja nuk ka shkaktuar kaos, por vendimi për dinarin ka qenë i vonuar dhe në këtë rast Kosova nuk po kërkon asgjë tjetër vetëm shtrirjen e sovranitetit financiar në veri të vendit. 

“Por kur themi tek kaosi ekonomik nuk vlerësoj qe ka për shkak të vendimit për dinarin, pra ekonomia është po e njëjtë. Dhe nëse nuk kemi rritje apo zhvillim ekonomik mund t’i hidhet faji Qeveriës për mungesë të politikave ekonomike jo rregullores” – tha Kadrijaj.

Kadrijaj thotë që deklarimi i Escobar është skandaloz dhe se më shumë dëm ekonomisë së vendit i kanë shkaktuar masat e vëna nga Bashkimi Europian, se sa që mund t’i ketë shkaktuar çështja e dinarit.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, edhe pse nuk foli drejtpërdrejtë për deklaratën e Essobarit gjatë raportimit në Komisionin për Buxhet, Financa dhe Transfere më 13.02.2024, ai tha që Rregullorja për dinarin nuk ka shkaktuar dëme vetëm se është synuar rregullimi i sistemit financiar në të gjithë Kosovën, si lufta kundër pastrimit të parasë, kundër terrorizmit dhe forcimi i integritetit të sistemit financiar, pa marrë parasysh në cilën pjesë të Kosovës.

Sipas Ismailit, janë të pavërteta pretendimet se dikujt i është pamundësuar financimi si pasojë e rregullores së BQK-së për para të gatshme.

Ekonomia e Kosovës vlerësohet të jetë rritur për 3.4 për qind në vitin 2023, vlerëson Banka Qendrore e Kosovës.

BQK në fillim të vitit 2024 vuri në pah se aktiviteti ekonomik në Kosovë në çerekun e tretë të vitit 2023, vlerësohet se ka shënuar rritje reale prej 3.0 për qind, rritje që kryesisht i është atribuuar kontributit pozitiv të konsumit dhe investimeve, ndërsa eksportet neto kontribuan negativisht në rritjen reale të BPV-së. 

Banka Botërore në një raport të gjatë për ekonominë globale të publikuar më 10.01.2024 ka parashikuar që Kosova do të ketë rritjen më të madhe ekonomike në rajon në vitin 2023. Sipas këtij raporti të publikuar para se të hyjë në fuqi Rregullorja në fjalë, Kosova parashihej të ketë një rritje ekonomike prej 3.7%. Raporte të tjera në lidhje me ekonominë në Kosovë nuk është publikuar nga ky institucion ndërkombëtar.

KALLXO.com ka kërkuar informata nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar nëse Rregullorja që përfshin largimin e përdorimit të dinarit ka krijuar efekt në Kosovë ose ka shkaktuar kaos, por të njëjtit nuk kanë dhënë ndonjë përgjigjje deri në publikimin e artikullit.

Por pas thirrjeve të SHBA-së, Italisë, Francës, Gjermanisë dhe Britanisë, të njohur si shtetet e QUINT-it, për të pezulluar vendimin, Qeveria e Kosovës tha se do të lejonte një periudhë kalimtare apo tranzitore, megjithëse nuk e përcaktoi se sa do të zgjaste kjo.

Kryeministri Albin Kurti deklaroi se me rregulloren e BQK-së për operacione me para të gatshme nuk ndalohet mbajtja e dinarëve serbë, pasi kjo valutë mund të përdoret për pagesa vetëm pasi të konvertohet në euro në një nga bankat e licencuara në Kosovë.

Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano ka konfirmuar se më 19.03.2024, do të zhvillohet një takim në nivel kryenegociatorësh në Bruksel, në të cilin janë ftuar zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq gjatë të cilit do të diskutohet edhe për dinarin.

Më 01.02.2024, në Kosovë ka nisur të zbatohet Rregullorja e BQK-së për operacione me para të gatshme. Përveç tjerash, kjo rregullore e përcakton euron si valutë të vetme që përdoret si mjet pagese në Kosovë.

Kjo ka ngjallur reagimin e komunitetit serb që jeton në Kosovë, të cilët bëjnë pagesa e paguajnë me dinarë.

Kosova është përballur me kritika dhe paralajmërime serioze për prishje të mundshme të raporteve me SHBA-në. SHBA dhe vendet e tjera të QUINT-it kanë kërkuar shtyrjen e zbatimit të vendimit të BQK-së.