Murati e informon të dërguarin e posaçëm për tregti për 'rritjen ekonomike' të Kosovës

Ministri i Financave, Hekuran Murati gjatë qëndrimit të tij në Londër e ka informuar Martin Vickers të dërguarin e Posaçëm për tregtinë në Ballkanin Perëndimor, për “performancën e mirë ekonomike të Kosovës gjatë vitit të kaluar”, duke vënë theksin në rritjen ekonomike.

Kjo sipas Muratit, vjen kryesisht si rezultat i rritjes së eksporteve të mallrave dhe shërbimeve, pranisë së theksuar të diasporës në vend, si dhe luftës së vazhdueshme kundër informalitetit.

“Gjithashtu, Ministri e njoftoi z. Vickers edhe lidhur me mundësitë që ofron Kosova për investitorë të huaj, siç janë fuqia e re punëtore, normat e ulëta tatimore, si dhe sektori bankar i avancuar. Më tej, u diskutua edhe procesi i themelimit te Gjykatës Komerciale, e cila synon në mënyrë specifike përmirësimin e klimës së investimeve duke ulur barrën administrative për kontestet komerciale”, thuhet në komunikatën e Ministrisë.

Me këtë rast, përmes Vickers, ministri Murati ftoi kompanitë britaneze të shqyrtojnë mundësitë për investime dhe vendosje të kapaciteteve të tyre prodhuese në Kosovë.

“Ministri Murati falënderoi z. Vickers për kontributin e vazhdueshëm të Mbretërisë së Bashkuar në zhvillimin ekonomik të Kosovës, ndërsa z. Vickers, nga ana e tij, rikonfirmoi avancimin e partneritetit ekonomik mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Kosovës, duke theksuar nevojën për të promovuar Kosovën si adresën e duhur për investimet britanike”, thuhet në komunikatë.

Mes tjerash thuhet se të dy palët ishin të një qëndrimi që të intensifikohet edhe më tej bashkëpunimi në mes të dy palëve partnere në fushën e investimeve të huaja direkte dhe shkëmbimeve tregtare.