Albin Kurti dhe Gabriel Escobar, Foto: ZKM

Gabriel Escobar nesër do të takohet me kryeministrin Albin Kurti

Kryeministri Albin Kurti pritet ta takoj përfaqësuesin e posaçëm për Ballkanin Perëndimor të Shteteve të Bashkuara, Gabriel Escobar, më 14.03.2024. 

Takimin e ka konfirmuar zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, për Kallxo.com.

Ndërkohë gjatë ditës së sotme, Escobar është pritur në takim nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Pas takimit është paralajmëruar që do të ketë deklaratë për medie. 

Temë e diskutimeve të Escobarit në Kosovë, siç është paralajmëruar, do të jetë edhe çështja e ndalimit të përdorimit të dinarit serb për pagesa dhe transaksione të tjera në Kosovë, si dhe dialogu Kosovë-Serbi.

Departamenti Amerikan i Shtetit ka paralajmëruar se Escobar do të takohet me drejtuesit e institucioneve të Kosovës, shoqërinë civile dhe komunitetin serb të Kosovës “për të nënvizuar mbështetjen e vazhdueshme të fuqishme të Shteteve të Bashkuara për dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

DASH kishte njoftuar që Escobar do të zhvillojë takime mbi ndikimin e Rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) në operacionet me para të gatshme dhe do të nxisë hapa për të siguruar që nevojat e qytetarëve kosovarë të përmbushen plotësisht dhe pa ndërprerje.

Në një konferencë online me gazetarë më 13.03.2024, Escobar ka theksuar edhe se kanë probleme me komunikimin me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin. Problem ky që, sipas Escobarit, e kanë edhe partnerë të tjerë si Bashkimi Europian, NATO, Britania e Madhe, Shqipëria e Maqedonia e Veriut.

Vendimin e BQK-së për këtë Rregullore Escobar e ka quajtur “katastrofal”.

Më 01.02.2024, në Kosovë ka nisur të zbatohet Rregullorja e BQK-së për operacione me para të gatshme. Përveç tjerash, kjo Rregullore e përcakton euron si valutë të vetme që përdoret si mjet pagese në Kosovë.