BERZH: Ekonomia e Kosovës u rrit për 10.5% në vitin 2021, shkak eksporti dhe diaspora

Raportit i fundit i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) tregon se sipas vlerësimeve fillestare, pas tkurrjes prej 5.3 për qind në vitin 2020, ekonomia e Kosovës u rrit për 10.5 për qind në vitin 2021.

Sipas raportit, kjo rimëkëmbje e fuqishme u nxit nga një zgjerim i fortë i eksporteve të mallrave dhe shërbimeve, i mbështetur nga sektori i jashtëm i favorshëm dhe flukset e ringjallura nga diaspora.

Po ashtu thuhet se edhe konsumi i brendshëm dhe investimet u rritën.

Raporti i këtij viti, i cili analizon trendet në 38 ekonomi në të cilat investon BERZH-i, titullohet “Rritja e Sistemit: Sigurimi i Dividendit Digjital”.

Sipas tyre, digjitalizimi mori hov të madh gjatë krizës COVID-19, pasi pjesë të mëdha të ekonomisë në shumë vende kaluan online brenda pak ditësh.

“Sipas raportit, përdorimi i teknologjisë digjitale nga njerëzit duket se pengohet nga nivelet e ulëta të shkathtësive digjitale në shumë vende. Veç kësaj, mungesa e shkathtësive digjitale në popullatën në moshë pune të ekonomive në rajonet e BERZH-it, po përkeqësohet edhe nga ikja e trurit – migrimi i jashtëm i personave me nivele më të larta arsimimi dhe, në veçanti, shkathtësi më të mira digjitale”, thuhet në njoftimin e BERZH-it duke iu referuar raportit.

Ndërkaq, Neil Taylor, shefi i BERZH-it në Kosovë, tha se Kosova ka një popullatë të re dhe ndërmarrëse, e cila është në pozitë të mirë që të përfitojë nga bumi i shërbimeve digjitale.

“Ne do të vazhdojmë të kërkojmë mënyra për ta ndihmuar Kosovën të mbyllë hendekun e perceptuar ndërmjet arsimit dhe biznesit, si dhe për të siguruar themelin që vendi të lulëzojë në ekonominë digjitale në mënyrë që talentet më të mira të vendit të qëndrojnë këtu”, citohet të ketë thënë ai.