A i ka skaduar mandati UNMIK-ut?

Uashingtoni ka bërë thirrje për mbylljen e misionit të reduktuar paqeruajtës të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, duke u shprehur se puna e tij ka mbaruar, por Serbia dhe aleatët e saj këmbëngulin se ai duhet të qëndrojë.

Pasi tre serbë, njëri prej tyre një fëmijë katër vjeçar, u vranë në një fshat pranë qytetit të Gjilanit në Kosovë në maj të vitit 2000, misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë ndërhyri për herë të parë në punën e gjyqësorit të vendit.

Një urdhër ekzekutiv i nënshkruar nga përfaqësuesi special për Kosovën i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së zgjati ndalimin e të dyshuarit për vrasje, i cili u mbajt në paraburgim për më shumë se dy vjet përpara se të lirohej për shkak të mungesës së provave.

Që nga ajo pikë e në vazhdim dhe për tetë vitet e ardhshme, Misioni i Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, i njohur më mirë në nivel lokal si UNMIK, u bë edhe më i pranishëm në evente në vend i cili sapo ishte shkëputur nga sundimi i Beogradit.

OKB-ja e vendosi Misionin e saj të Administratës së Përkohshme në Kosovë, UNMIK, pas sulmeve ajrore të NATO-s që i dhanë fund kontrollit të Beogradit mbi Kosovën. Ai u themelua në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila u miratua në qershor të vitit 1999.

UNMIK, një mision civil, ishte përgjegjës për administratën e përkohshme të Kosovës me mandat për “të siguruar kushte për një jetë paqësore dhe normale për të gjithë banorët e saj”. Megjithatë, opinionet variojnë në lidhje me suksesin e tij në arritjen e këtyre qëllimeve.

Pothuajse 20 vjet pas vendosjes së misionit dhe një dekadë pasi ai dorëzoi shumicën e funksioneve të tij pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe vendosjes së EULEX-it, përgjegjësitë e përditshme të UNMIK-ut tani janë relativisht të vogla.

Tani e ardhmja e tij është sërish e debatueshme pasi ambasadorja amerikane në largim në OKB, Nikki Haley, kërkoi në tetor që ai të tërhiqet nga Kosova duke argumentuar se puna e tij  kishte përfunduar.

Haley citoi “deklarata të përsëritura nga shumica e anëtarëve të Këshillit të Sigurimit që UNMIK-u e ka përmbushur prej kohësh tashmë mandatin e tij”.

Ambasadorja e ShBA-së në OKB Nikki Haley- Foto: REL/Reuters

Thirrja e saj u mirëprit në Prishtinë, e cila e sheh UNMIK-un si një relikt të kohës kur ndërkombëtarët kishin fjalën e fundit për gjithçka në Kosovë, por kjo zemëroi zyrtarët në Beograd, të cilët u shprehën se kjo do t’i linte të pambrojtur serbët e Kosovës. Rusia, e cila ka të drejtë vetoje në Këshillin të Sigurimit të OKB-së, mbështeti aleatët e saj serbë.

Profesori Universitar i së Drejtës Ndërkombëtare, Blerim Reka i ka thënë BIRN se misioni i UNMIK-ut është përmbushur në ditën kur Kosova shpalli pavarësinë, me 17 shkurt të vitit 2008, por mungesa unitetit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së  po e lë ende misionin në terren, ndonëse pa ndonjë fuqi konkrete.

“Paradoksalisht  OKB-së mban në fuqi një rezolutë që artificialisht ende njeh “sovranitetin” e Serbisë mbi Kosovën, derisa organi i  OKB,  Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë me mendimin e vitit 2010 e kontestoi këtë rezolutë,” thotë Reka për BIRN.

Mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i dhënë në vitin 2010, tha se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk shkeli Rezolutën 1244 sepse dekreti i Këshillit të Sigurimit nuk specifikonte statusin përfundimtar të Kosovës.

Ndërtimi i shtetit nga jashtë

UNMIK-u kishte katër “shtylla” kryesore ose fusha kontrolli – sistemi i drejtësisë, administrata publike, demokratizimi (nën mbikëqyrjen e misionit të OSBE-së) dhe ekonomia. Siguria u la në duart e misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR-it.

Për tetë vjet deri në shpalljen e pavarësisë, populli i Kosovës ishte i vetmi komb në botë që kishte pasaporta të OKB-së, një dokument që ofronte mundësi shumë të kufizuara për udhëtime jashtë vendit.

UNMIK-u është kritikuar gjerësisht në Kosovë për dështimet e tij të perceptuara, edhe pse ata që drejtuan misionin besojnë se ai bëri atë që mundi sipas mandatit nën të cilin u vendos.

“UNMIK ka arritur atë që ishte e arritshme nën mandatin e tij, ndoshta edhe më shumë. Do të thosha se trashëgimia është e përzier, jo një dështim ,” tha për BIRN diplomati gjerman Joachim Ruecker, i cili drejtoi UNMIK-un në kohën kur Kosova shpalli pavarësinë.

Ruecker këmbënguli që UNMIK-u ia doli shumë mirë në hedhjen e themeleve të një demokracie të bazuar në sundimin e ligjit dhe të një ekonomie tregu funksionale.

Zahir Tanin, shef i UNMIK-ut – Foto: REL/AFP

“Ishte një sfidë e trefishtë që vinte nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së: roli i qeverisjes – të sigurojë një administratë të përkohshme, roli paqeruajtës – të arrijë tek të gjitha komunitetet dhe roli i procesit të statusit – të lehtësojë procesin, ndërkohë që nuk e drejton atë,” shpjegoi ai.

Ruecker ishte i fundit i përfaqësuesve të posaçëm për Kosovën të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së që mori pushtet të rëndësishëm, pasi katër muaj pas shpalljes së pavarësisë, kushtetuta e Kosovës hyri në fuqi, duke e kaluar UNMINK-un në skaj të zhvillimeve.

Misioni, i cili ndodhet në një ndërtesë në periferi të Prishtinës, aktualisht drejtohet nga një diplomat afgan, Zahir Tanin.

“Ndërkohë që misioni nuk performon më aq shumë funksione, mandati i OKB-së vendos një përgjegjësi ndaj misionit për të kontribuar në konsolidimin e paqes dhe stabilitetit. Aktorë të tjerë ndërkombëtarë, në veçanti BE-ja, kanë marrë rol shumë më të madh. UNMIK vazhdon të mbështesë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës,” tha për BIRN zëdhënësja e UNMIK-ut, Sanam Dolashahi.

UNMIK-u tani “shërben për të lehtësuar funksionalitetin e institucioneve të Kosovës,” tha Dolashahi, duke vënë në zbatim detyrat që e ndihmojnë Kosovën të punojë me vendet që nuk e njohin pavarësinë e saj.

“Këto përfshijnë sigurimin e ndërlidhjes me Interpolin, si dhe kërkesa të tjera që rrjedhin nga roli i UNMIK-ut si nënshkrues i marrëveshjeve ndërkombëtare në emër të Kosovës,” shpjegoi ajo.

Një sistem drejtësie me paterica

Një kritikë specifike ndaj UNMIK-ut është se nuk arriti të ndërtojë një sistem efikas drejtësie në Kosovë.

Jean Christian Cady, një avokat francez i cili shërbeu si kreu i “shtyllës së drejtësisë” të misionit të OKB-së, tha se “edhe pse UNMIK-u krijoi një sistem drejtësie në Kosovë, kjo u vërtetua që s’ishte e suksesshme pasi gjyqtarët ishin të njëanshëm dhe të paaftë”.

Cady tha se prania e gjyqtarëve ndërkombëtarë në Kosovë nuk ishte e mjaftueshme për të lehtësuar këto mangësi. “Nuk mund ndërtohet sistemi i drejtësisë i një vendi me paterica të përhershme,” tha ai për BIRN.

Ish-zyrtarë të OKB-së si Cady përshkruajnë një situatë në të cilën Kosova e pasluftës u bë pre e bandave të armatosura të pakontrollueshme që kryen një numër të madh krimesh. “Komuniteti ndërkombëtare mbështeti dhe aprovoi idenë e një stabilitetit multietnik. Por askush nuk besonte në të,” tha Cady.

Prokurorët dhe gjyqtarët e OKB-së nuk arritën të gjykonin njerëz për krime lufte, vrasje politike dhe krime të organizuara, ndërkohë që mbrojtja e dëshmitarëve dhe zhvendosja e tyre u vërtetua se ishte e vështirë të arrihej në praktikë.

Selia e dikurshme e UNMIK-ut në Prishtinë

Amnesty International tha në një raport të vitit 2013 mbi trashëgiminë e UNMIK-ut në fushën e të drejtave të njeriut që misioni i OKB-së nuk arriti të fillonte hetime të shpejta ose të plota kur njerëzit raportonin për të afërm të zhdukur menjëherë pas luftës. Kjo zbuloi një “shpërfillje tronditëse për të drejtat e personave të zhdukur dhe anëtarëve të tyre të familjes”, tha Amnesty.

Duke qenë se ata kishin imunitet nga ndjekja penale nga gjykatat vendore, Kosova ishte gjithashtu një zonë e sigurt për zyrtarët e OKB-së dhe disa prej tyre u përfshinë në korrupsion.

Robert Dean, një ish-prokuror amerikan dhe kreu i Departamentit të Drejtësisë të UNMIK-ut midis vitit 2006 dhe 2008, tha se disa nga dështimet ishin rezultat i mungesës së qartësisë në jurisprudencë.

“Gjykatësit ndërkombëtarë në panelet e përziera përdorën një kod procedurial, i cili ishte një përzierje e procedurave jugosllave dhe kodit procedural të imponuar nga OKB-ja. Pra, gjyqtarët me prejardhje të ndryshme e interpretuan atë ndryshe, ” tha Dean për BIRN.

“Ishte e vështirë të përzieje metodologji të ndryshme ligjore: struktura ligjore nga ish-Jugosllavia, Serbia dhe vendet e BE-së nuk mund të bashkëjetojnë,” shtoi ai.

Kur UNMIK-u ia dorëzoi punën EULEX-it, numri i mbetur i vendimeve në pritje për krimet e luftës, personat e zhdukur dhe rastet e krimit të organizuar ishte i madh.

Në sferën ekonomike, UNMIK-u nuk mundi t’i bindte investitorët të investonin paratë e tyre në Kosovë, sepse nuk mund të garantohej një kornizë ligjore e qëndrueshme pasi nuk ishte e qartë se sa gjatë do të ishte atje misioni i OKB-së.

“Në sferën ekonomike, do të kishte ndihmuar shumë nëse UNMIK-u do të kishte një horizont të qartë kohor në vend që të ishte thjesht një administratë e përkohshme pa një datë të caktuar përfundimtare,” shpjegoi Ruecker, i cili gjithashtu drejtoi “shtyllën” e ekonomisë së UNMIK-ut në një pikë.

Kujtim Dobruna,  një ekspert i ekonomisë, tha për BIRN se ringritja e ekonomisë së shkatërruar të Kosovës nuk ishte diçka me të cilën UNMIK-u u mor  në siç duhet. Ai përmend privatizimin e ndërmarrjeve  në pronësi shoqërore si dështimin më të madh të misionit.

“Ndikimi politik i grupeve të interesit në procesin e privatizimit a qenë permanent. Është dëshmuar tashmë katërçipërisht se ky proces më shumë e ka rënduar se sa që e ka ndihmuar zhvillimin ekonomik”, tha Dobruna për BIRN.

Procesi i privatizimit “nuk ka krijuar ndonjë bazë sipërmarrëse që do të mobilizonte njohuri, kapital dhe treg për zhvillimin e ekonomisë”, shtoi ai.

Trazira sinjalizon fillimin e fundit

Kur në mars të vitit 2004 në Kosovë shpërtheu dhuna ndër-etnike, UNMIK ishte në vitin e pestë të përpjekjeve për të përmirësuar marrëdhëniet e pasluftës mes dy komuniteteve armiqësore të vendit.

Rreth 20 shqiptarë të Kosovës u vranë gjatë trazirave dhe shumë vende të trashëgimisë ortodokse serbe u dogjën dhe u shkatërruan dhe OKB-ja pa përpjekjet e saj të bëheshin të parëndësishme brenda dy ditësh.

Kjo e nxiti sekretarin e përgjithshëm të OKB-së të emëronte diplomatin norvegjez Kai Eide si një të dërguar për të vlerësuar nëse kishte ardhur koha që të diskutohej çështja e statusit përfundimtar të Kosovës. Përgjigjja ishte pozitive, duke hapur rrugën për shpalljen e pavarësisë së Prishtinës në vitin 2008.

Ndërsa UNMIK-u vazhdonte të zvogëlohej në terren, duke ia kaluar përgjegjësitë e veta autoriteteve të Kosovës, Beogradi përforcoi praninë e tij institucionale midis serbëve në Kosovë nëpërmjet “institucioneve paralele” që operonin jashtë kontrollit të Prishtinës.

“Politika e UNMIK-ut ishte të toleronte strukturat paralele në sektorin e arsimit dhe atë të shëndetësisë, të refuzonte strukturat paralele në administratë dhe të kundërshtonte fuqishëm strukturat paralele të sigurisë,” tha Ruecker.

Rusia dhe Kina kundër ndryshimit

Ndërsa Serbia dëshiron që UNMIK të ruajë praninë e tij në Kosovë në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit, të tjerë pajtohen me ambasadoren amerikane Nikki Haley se koha e misionit ka përfunduar.

Pamje nga një seancë e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara – Foto: REL/AFP

“Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në vitin 2010 është një shenjë e qartë se Rezoluta 1244 e ka bërë të vetën,” tha Ruecker.

Blerim Reka thotë se çdo arsye që Rezoluta 12 44 të mbetet në fuqi është shteruar nga zhvillimet  nacionale dhe regjionale.

“Jugosllavia, pjesë e së cilës ishte Kosova,  nuk ekziston më. Nga viti 2006, nuk ekziston as shteti pasues, Unioni Serbi-Mali i Zi. Kosova shpalli pavarësinë, ndërsa në vitin 2010 GJND theksoi se pavarësia e Kosovës nuk është shkelje e së drejtës ndërkombëtare,” tha Reka.

Por për të shfuqizuar rezolutën, Këshilli i Sigurimit ka nevojë për pajtimin e pesë anëtarëve të saj të përhershëm. Nga këta pesë, Rusia dhe Kina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës dhe mbështesin kërkesat e Serbisë për qëndrimin e UNMIK-ut.

Rezistenca ndaj çdo ndryshimi në gjendjen aktuale u theksua nga komentet e ambasadorit rus dhe atij kinez në OKB në një takim për Kosovën në tetor në selinë e OKB-së në Nju Jork.

Ambasadori kinez Wu Haitao tha se Rezoluta 1244 duhet të mbetej në fuqi, ndërsa ambasadori rus Vasily Nebenzya tha: “Në provincën e Kosovës ka probleme më të mëdha dhe komuniteti ndërkombëtarë duhet t’i monitorojë ato nga afër.”

Megjithatë, Britania, anëtarja e përhershme e Këshillit të Sigurimit,  është shprehur se roli i UNMIK-ut është i pjekur për ndryshim dhe se misioni duhet “të rikonfigurohet” dhe të zvogëlohet.

“Duke qenë se Kosova duhet të pranojë të kaluarën, po ashtu duhet të bëjë edhe UNMIK-u. OKB-ja duhet të pranojë se Kosova sot nuk është më i njëjti vend që ishte kur mbërriti për herë të parë UNMIK-u,” tha në nëntor David Clay, zv/koordinator politik i Britanisë në Këshillin e Sigurimit.

“Pra, ne duhet të shohim një tranzicion të plotë dhe efikas nga UNMIK-u tek institucionet kosovare apo organizatat e tjera ndërkombëtare që kanë marrë përsipër rolet historike të UNMIK-ut, duke përfshirë edhe personat e zhdukur,” këmbënguli Clay. “Kjo është koha e duhur që UNMIK-u të bëjë më pak, jo më shumë.”