Ilustrimi: Diar Vuçetaj/KALLXO.com

Sa para u shpenzuan brenda një viti për dy misionarët e Kosovës në SHBA?

Kosova i ka dy misione diplomatike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E ka një ambasadë në Washington që drejtohet nga Ilir Dugolli, dhe një Konsullatë të Përgjithshme në New York, që udhëhiqet nga Blerim Reka.

KALLXO.com përmes qasjes në dokumente publike ka siguruar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të dhënat mbi shpenzimet që janë bërë për këta dy misionarë shtetërorë, duke filluar nga pagat, shpenzimet për sigurime shëndetësore, për telefoni mobile, qiratë e rezidencave, drekat zyrtare e deri te shpenzimet për derivate.

Për qiranë e rezidencës së ambasadorit Ilir Dugolli, nga arka e shtetit janë dhënë 45 mijë e 130 euro e 60 centë për një vit, apo 3 mijë e 760 euro për muaj.

Më e kushtueshme ka dalë rezidenca e konsullit të përgjithshëm Blerim Reka. Për qiranë e saj janë paguar 58 mijë euro e 710 në vit, apo rreth 5 mijë euro në muaj.

Çmimi mesatar kombëtar i qirasë në Shtetet e Bashkuara është 1,372 dollarë apo 1,264.48 euro, sipas të dhënave të tregut të qirave të gushtit 2023 nga Lista e Apartamenteve.

Bazuar në të dhënat e MPJD-së, për shpenzimet që misioni në Washington i ka bërë me derivate, janë paguar 5 mijë e 127 euro e 14 centë, ndërkaq për ato në New York, 3 mijë euro.

Për drekat zyrtare të shtruara nga ambasada e drejtuar nga Dugolli janë paguar 12 mijë euro e 860 euro e 86 centë, ndërkaq për ato të konsullatës në krye me Blerim Rekën janë paguar 9 mijë e 200 euro e 18 centë.

Për sigurimin shëndetësor të ambasadorit Dugolli nga buxheti i Kosovës janë dhënë 37 mijë e 476 euro, ndërkaq për sigurimin shëndetësor të Blerim Rekës janë shpenzuar 25 mijë e 258 euro e 32 centë.

Për telefoni mobile, Ilir Dugolli ka shpenzuar 2 mijë e 368 euro, kurse Blerim Reka 260 euro.

Paga mujore e Dugollit gjatë vitit 2023 ka qenë 5 mijë e 768 euro e 60 centë, ndërkaq ajo e Blerim Rekës 6 mijë e 609 euro e 28 centë.

Me një observim në ueb-faqet kredibile ekonomike që operojnë në Amerikë si Forbes, paga mesatare vjetore në Washington në vitin 2023 ishte 72,350 dollarë apo 66,675.23 euro, ndërkaq në New York paga mesatare vjetore në vitin 2023 ishte 74,870 dollarë apo 68,992.33 euro.

Marrë në tërësi, gjithnjë duke u bazuar në të dhënat e ofruara nga MPJD, rezulton se paga vjetore e ambasadorit Dugolli ka qenë 69 mijë e 577 euro e 92 centë, ndërsa paga vjetore e ambasadorit Reka ka rezultuar të jetë 79 mijë e 311 euro e 36 centë.

Nga muaji shkurt 2024, ambasadorëve të Kosovës, si rezultat i hyrjes në fuqi të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për Ligjin për paga në sektorin publik, u janë kthyer pagat me sistemin e vjetër.

Përveç pagës mujore, ambasadorët e Kosovës që nga viti 2023 përfitojnë edhe nga Rregullorja për kompensime përmes së cilës përfaqësuesi diplomatik kompensohet për shpenzimet e fëmijëve nën moshën 18-vjeçare. Për fëmijën e parë llogaritet shtesa prej 10 për qind e pagës mujore; për fëmijën e dytë, 8 për qind; për fëmijën e tretë, 6 për qind, kurse për katër e më shumë fëmijë llogaritet shtesa prej 5 për qind e pagës mujore.

Kosova në vitin 2023 përveç lobimit të bërë nga dy ambasadorët, kishte paguar edhe dy persona tjerë përmes një kontratë të lobimit.

Ministria e Punëve të Jashtme e ka shpallur sekrete këtë kontratë të lobimit, që ia ka dhënë Avni Mustafajt dhe Afërdita Rakipit. Por, kjo kontratë në vlerë 147 mijë euro është e mbyllur vetëm në Prishtinë, pasi që e njëjta është publikuar nga Departamenti i Shtetit për Drejtësi në SHBA.

Të dy shqiptarët në Amerikë deri në qershor të vitit 2024, do të ofrojnë këshilla strategjike, avokim dhe komunikim me degët legjislative dhe ekzekutive të qeverisë amerikane për të avancuar marrëdhëniet dypalëshe mes SHBA-së dhe Qeverisë së Kosovës.