Selia e dikurshme e UNMIK-ut në Prishtinë

65 Mijë Dollarë për Hakmarrjen e UNMIK-ut

Tribunali i Kontesteve të Kombeve të Bashkuara më 15 mars të këtij viti kishte vendosur t’i ndajë 65 mijë dollarë amerikanë James Wasserstrom-it si dëmshpërblim për keqtrajtimin e tij nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, pasi kishte lajmëruar organet hetuese të organizatës për konflikt interesi dhe korrupsion të mundshëm brenda misionit të saj në Kosovë. 

Wasserstrom, cili tani punon si ekspert kundër korrupsionit pranë Ambasadës së SHBA-së në Kabul, e ka apeluar vendimin. Ai kërkonte 3,130,656.50 dollarë.

Më 2007, derisa punonte në UNMIK, ai kishte dëgjuar zëra, sipas një kopjeje të aktgjykimit të OKB-së, se ministri i atëkohshëm i energjisë, Ethem Çeku, dhe zëvendësshefi i UNMK-ut, amerikani Steven Schook, do të pranonin ryshfet si pjesë e marrëveshjes për ngritjen e një termocentralit të ri në Obiliq. 

Wassertrom, atëherë përgjegjës për mbikëqyrjen e Ndërmarrjeve Publike, përfshirë Korporatën Energjetike të Kosovës, KEK, e përcolli këtë informatë te Zyra e OKB-së për Shërbime të Mbikëqyrjes së Brendshme, bashkë me shqetësimin e mëvonshëm se krijimi i Bordit të ri të KEK-ut, me përfshirje të Çekut dhe pjesëtarëve të tjerë të qeverisë, ishte i jashtëligjshëm.

Sipas deklaratës së tij, përpjekjet e tij për t’i ndalur politikanët nga emërimi në borde të ndërmarrjeve publike e kishin futur atë në konflikt të vazhdueshëm me Schook-un.

Si pasojë e punës së tij, Wasserstrom ishte ndalur në kufi të Kosovës gjersa udhëtonte për në Greqi në maj të vitit 2007 dhe atij iu tha se nuk mund ta lëshonte shtetin. Pasaporta tij ishte konfiskuar ndërsa ishin bastisur zyra, automjeti dhe shtëpia e tij. Posterë me foto të tij ishin vendosur në ndërtesat e UNMIK-ut në Kosovë. Pas kësaj kishte pasur edhe ndërprerja e kontratës si dhe të gjitha beneficioneve tjera. 

Associated Press raportoi të martën se në një konferencë për shtyp Wessertrom kishte deklaruar se i kishte nisur një letër sekretarit amerikan të shtetit John Kerry dhe senatit amerikan për të zvogëluar fondet e këtij shteti për Kombet e Bashkuara në masën e 15 për qind, pasi sipas tij organizata “ka dështuar në shpërblimin e denoncuesve të krimit”. 

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë kontribuuesi më i madh në OKB, me 22 për qind të të gjithë buxhetit të saj. 

Kosumi: Nuk kishim kompetencë hetimi

Andrea Young, nga zyra e zëdhënësve dhe marrëdhënieve me publikun e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), i tha gazetës se “pasi procesi ligjor është ende në proces e sipër” misioni nuk mund të komentojë tash për tash. 

Ish-zëvendësshefi i UNMIK-ut Steven Schook, në një prononcim të mëhershëm për gazetën, kishte thënë se e ishte “shumë i lumtur” që tribunali kishte vendosur në favor të Wasserstromit. 

“Ajo që kishte ndodhur ishte gabim”, thoshte ai. “Unë shpresoj se do të marrë kompensim të madh”.

Schook deklaronte se nuk ishte në dijeni për pretendimet e bëra nga Wassertrom ndaj tij, duke shtuar se hetimet ndaj tij nuk kanë zbuluar dëshmi të veprimeve të jashtëligjshme. Ndërkohë, ish-ministri Ethem Çeku thoshte se kjo çështje është hetuar më herët dhe se emri i tij është pastruar nga të gjitha pretendimet. 

Steven Schook tani punon si këshilltar i kryetarit të partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, parti kjo në opozitë në Kosovë. Ai jeton në Kosovë dhe që nga viti 2007  nuk punon në OKB.

 

“Ajo që kishte ndodhur ishte gabim. Steven Schook

Ish-kryeministri i Kosovës në periudhën 2005-2006, Bajram Kosumi, thotë se qeveria e tij nuk kishte dyshime për korrupsion në misionin e Kombeve të Bashkuara. “Dhe ne nuk kemi pasur kompetenca të hetojmë afera korruptive të mundshme të UNMIK-ut në Kosovë”, tha Kosumi për Gazetën Jeta në Kosovë.

“Marrëdhëniet në mes UNMIK-ut dhe Kosovës deri në vitin 2004 kishin qenë thuajse një luftë e pashpallur”, shtoi ai. “Por, me ardhjen time si Kryeministër ato filluan të përmirësoheshin dukshëm. Qeveria e Kosovës dhe UNMIK-ut i harmonizuan qëndrimet politike dhe erdhi deri tek një shkrirje e marrëdhënieve të ngurta”.

Ariana Qosaj, analiste për korrupsion në institutin KIPRED, thotë se vetë rasti Wasserstromit tregon se ka pasur korrupsion brenda UNMIK-ut. “Për fat të keq shumë pak raste kanë dalë në sipërfaqe dhe janë bërë të njohura për publikun. Pjesëtarët e UNMIK-ut kanë pasur imunitet, prandaj institucionet vendore nuk kanë mundur t’i hetojnë ata”, i tha Qosja gazetës. 

 

“Marrëdhëniet në mes UNMIK-ut dhe Kosovës deri në vitin 2004 kishin qenë thuajse një luftë e pashpallur. Steven Schook 

Sipas saj, UNMIK-u vetëm në vitin 2006 vendosi të themelojë një panel për shqyrtimin e ankesave ndaj zyrtarëve të këtij misioni në rast të shkeljes eventuale të të drejtave të njeriut. 

“Fatkeqësisht ky panel u themelua për të përmirësuar imazhin e UNMIK-ut dhe për të ndryshuar skepticizmin e njerëzve ndaj këtij misioni. Paneli kishte përgjegjësi të kufizuara dhe ishte i pashpresë në raport me imunitetin e zyrtarëve të lartë të UNMIK-ut”.

Dyshime për evidenca të zhdukura 

Në mars të vitit të kaluar, Gazeta Jeta në Kosovë po ashtu ka raportuar se evidenca të korrupsionit në nivel të lartë në KEK, të zbuluara nga hetues ndërkombëtarë, ishin injoruar ndërsa kryerësit e dyshuar mbesin ende në pozita të larta. 

OLAF, Zyra e BE-së Kundër-Mashtrimit, kishte gjetur se kontratat mes KEK-ut dhe një firme të ndërlidhur me një prej zyrtarëve të lartë të saj, Fadil Ismajlit, ishin dhënë pa “konkurrencë të drejtë” dhe e akuzonte këtë të fundit për konflikt të interesit. 

Ekipi i hetuesve së OLAF-it, Zyrës së Mbikëqyrjes së Shërbimeve të Brendshme të Kombeve të Bashkuara me seli në Vjenë dhe Guardia Di Finanza-s, i kishte rekomanduar në një letër shefit të UNMIK-ut Joachim Ruecker më 2008, derisa ia zbulonte detajet, se hetime të mëtejme duhej të bëheshin dhe që evidencat të përcilleshin në KEK ashtu që masat disiplinore ndaj Ismajlit të nisnin.

Por, rasti ishte heshtur.

Hetimet kishin të bënin me tenderin për furnizimin me softuerë dhe harduerë të kompjuterëve të KEK-ut në vitin 2001 në vlerë prej 2,868,800.89 eurosh, financuar nga Agjencia Europiane për Rindërtim.

Hetuesit pretendonin se bordi i vlerësimit kishte vlerësuar kompaninë e gabuar dhe po ashtu analizonin pozitën e Fadil Ismajlit, i cili në atë kohë kishte të drejtën e votimit në bordin e vlerësimit të ofertuesve në emër të KEK-ut. 

 

“Sidoqoftë, të gjithë e dimë se EULEX ka çaluar në këtë pikë. Ariana Qosaj

Ismajli kishte nënshkruar deklaratën e paanshmërisë dhe besueshmërisë, ku ka deklaruar se nuk ka lidhje me tenderuesit, individët ose nën-kontraktorët.

Ai kishte qenë bashkëpronar dhe drejtor i përgjithshëm i firmës fituese Komtel deri më 1999, dy vjet përpara se tenderët t’i jepeshin kësaj firme. 

Hulumtuesja Ariana Qosja thotë se raste si këto janë bartur te Misioni i Bashkimit Europian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX). “Sidoqoftë, të gjithë e dimë se EULEX ka çaluar në këtë pikë”, i tha ajo gazetës, të mërkurën.