Ilustrim

A duhet të pajisen fëmijët parashkollorë me libra? - Prindërit në mes dy zjarresh

Sigurimi i librave për fëmijët në nivelin parafillorë nuk është i obligueshëm, ndërsa në anën tjetër edukatorët nuk e kanë të caktuar se si të punojnë me këta fëmijë, përmes librave apo aktiviteteve tjera edukative.

Kështu janë të vendosur në dilemë prindërit, t’i blejnë apo jo librat, ndërsa ekspertët e arsimit vlerësojnë se këta fëmijë po e përsërisin klasën e parë para se ta vijojnë atë.

Ministria e Arsimit nuk e ka përfshirë këtë kategori të fëmijëve që të rimbursohen në rast se shpenzojnë në blerjen e këtyre librave, ani pse ka të tillë që shpenzojnë.

Sipas Ministrisë së Arsimit, në fillim të këtij viti shkollor ata kanë njoftuar Drejtoritë e Arsimit, edukatorët dhe prindërit e fëmijëve të moshës 5-6 vjeç se nuk janë të obliguar të blejnë libra (paketa didaktike) për këtë grup-moshë.

“Ministria e Arsimit, nuk siguron tekste për moshën 5-6 vjeçare e as për moshat më të vogla të fëmijëve në institucionet parashkollore. MASHTI ka njoftuar DKA-të, edukatorët, prindërit që edukatorët të cilat punojnë me këtë grup edukativ, vendosin vet për përzgjedhjen e materialeve” – ka thënë Edona Kutleshi-Maliqaj, këshilltare për media në MASHTI për KALLXO.com.

Sipas Maliqajt, edhe në vitin shkollor 2021-2022, i kanë njoftuar edukatorët të vendosin vet për zgjedhjen e materialeve për realizimin e aktiviteteve edukative mbështetur në dokumentet profesionale të aprovuara nga MASHTI.

Ndërsa, që nga viti 2019/2020 MASHTI nuk i furnizon institucionet parashkollore me tekste.

Drejtori i Arsimit në Fushë Kosovë, Fatlum Berisha, në një bisedë për KALLXO.com, e ka konfirmuar se më 30 gusht, kanë qenë të njoftuar nga MASHTI që prindërit nuk janë të obliguar t’i blejnë librat për parafillorët.

“Realisht jo shumë herët, po kemi qenë të njoftuar, por që nuk kanë nevojë m’i ble nuk kanë thënë, po informatën e kemi marrë kështu që do të përdoren librat paraprake, do të thotë Ministria na ka informu që libra për parafillorë nuk do të ketë, por do të përdoren librat paraprake” – ka thënë Berisha për KALLXO.com.

Sipas tij, nga ministria kanë rekomanduar këtë opsion në mënyrë që të ulin shpenzimet e prindërve, pasi librat janë të njëjta dhe nuk kanë ndonjë ndryshim në raport me vitin e kaluar.

Berisha ka treguar se nuk kanë pranuar ndonjë shqetësim nga prindërit në lidhje me rimbursimin për mjetet që ata mund t’i shpenzojnë në rast se blejnë libra.

Kurse, Naser Gega, drejtor i Arsimit në Pejë, ka thënë se këtë njoftim e kanë pranuar në takimin e MASHTI-t me Drejtoritë e Arsimit në Kosovë, më 29 gusht.

“Për momentin nuk kemi pranuar shqetësime, janë mësueset duke e përcjellë gjendjen. Unë kam bërë thirrje njëherë që, as s’kam thënë që të blihen, as mos të blihen. Shohim çka është e domosdoshme, dhe shikohet mundësia çka mundemi me bo pastaj ne si komunë” – tha Gega.

Avni Fetahu drejtor i Arsimit në Podujevë, ka kujtuar njoftimin e përfolur nga MASHTI, të cilin sipas tij e kanë pranuar në muajin korrik.

“E di që për ciklin parafillor kanë bërë një njoftim në e-mail dhe ne e kemi përcjellë te drejtorët e shkollave, ata deri te prindërit, edhe kështu ka qenë situata, njoftimin e kanë bërë” – ka thënë Fetahu.

Flora Beka, edukatore në shkollën fillore ”Ismail Qemali” në Prishtinë, ka treguar për KALLXO.com se ka kohë dy deri tre vjet që prindërit i kanë blerë vet librat.

Sipas saj, prindërit nuk janë të obliguar t’i blejnë librat, pasi fëmijët angazhohen edhe me aktivitete tjera.

“Disa s’janë të pajisur, ama prindërit po kërkojnë çka me ju ble, ne ende nuk i kena caktu  – bleni, mos i bleni” – thotë ajo.

Beka nuk ka pranuar ndonjë shqetësim nga prindërit në lidhje me rimbursimin, ndërsa në lidhje me njoftimin e MASHTI-t ka thënë se nuk janë njoftuar.

Paketa didaktike, sipas edukatores Flora Beka, përmban 3 libra, për shkrim, lexim dhe matematikë, e njohuri tjera të shkencave të natyrës.

Rreth 3-4 vjet më parë, kjo paketë didaktike ishte aprovuar nga MASHTI të përmbajë disa libra dhe më pas ishte vlerësuar nga një grup, pjesë e të cilit ka qenë edhe ekspertja e arsimit Hana Zylfiu Haziri.

“Ne e kemi pas vlerësuar që nuk janë libra adekuat për moshën parafillore. Ka pas shumë kërkesa, pako është dukur e bukur, po brenda mandej nëse ke hy me analizu, ka pas kërkesa për fëmijë shumë më të mëdhej, d.m.th nuk iu kanë përshtat moshës 5-6 (vjeç)” – thotë për KALLXO.com ekspertja e arsimit, Hana Zylfiu Haziri.

Ajo gjithashtu kujton se kjo pako kishte kushtuar 25 euro dhe prindërit kishin qenë të detyruar ta blejnë, prandaj ky grup kishte rekomanduar që kjo pako të mos ishte obligative.

“Me sigurimin e librave për këtë moshë, në një formë po detyrohen edukatorët, ne ashtu kështu pak i kemi mësimdhënësit të varur në libra edhe po humb kreativiteti në klasë, edhe po shndërrohet niveli parafillor në klasë të parë, d.m.th fëmijët po shkojnë dy herë në klasë të parë” – ka theksuar Haziri.

Sipas saj, nuk është e thënë që secili fëmijë duhet të ketë pakon, pasi atyre nuk duhet t’u mësohet i gjithë shkrimi dhe leximi, por koncepti i numrit dhe koncepti i shkronjës përmes lojës.

“P.sh mundesh me shkru shkronjën me rërë, oriz, ka metoda e metoda tjera, jemi duke fol për një moshë kur ende s’e ka të koordinuar as shkrimin, as muskujt e vegjël. Kështu që i ndihmon edhe në zhvillim të muskujve të vegjël, jo vetëm aspektin kognitiv” – thotë tutje ajo.

Haziri mendon se nëse ndodhë e kundërta, pra fëmijët gjatë kohës që qëndrojnë në klasë duhet të jenë të ulur dhe të rrinë me fletore, libra përpara, atëherë duhet të mendojmë se a na duhen këto klasë apo më mirë mos t’i kemi.

“Ne po duam që edhe klasat e para t’i shndërrojmë me sa më shumë lojë që të mësojnë fëmijët, e po e shndërrojmë klasën më të ulët tamam në klasë të parë”.

Kurse, sipas ekspertit tjetër të arsimit – Dukagjin Pupovci, pasi edukimi parafillor nuk është i obligueshëm me ligj, kjo është edhe arsyeja pse MASHTI nuk i siguron këto libra.

Organizimi i mësimit për këta fëmijë, Pupovci konsideron se nuk duhet “të shkollarizohet”, sipas tij – të jetë gjithçka e përcaktuar sipas një planprogrami, orari mësimor të zakonshëm.

“Puna me libra në nivelin parashkollorë është një lloj anomali, sepse aty duhet të përforcohet kështu në masë të madhe të mësuarit përmes lojës, përmes formave tjera, ndërsa librat përdoren më rrallë” –  ka thënë Pupovci për KALLXO.com.

Sipas tij, para disa vitesh ka qenë një tendencë e shprehur që të publikohen libra dhe këta fëmijë të shkojnë në klasat parafillore, ashtu siç shkojnë fëmijët e klasës së parë në shkollë, me libra në çantë, gjë që për të është e pazakontë dhe nuk praktikohet në vende tjera.

Fiona Haziri, është njëra nga prindërit në Prishtinë që e ka blerë paketën didaktike për fëmijën e saj, e cila i ka kushtuar 16 euro dhe mendon se duhej të përfshiheshin në formën për rimbursim nga ministria.

Haziri konsideron se metoda e edukimit përmes librave iu ndihmon më shumë fëmijëve dhe edukatores, e cila bazohet në të dhe ia lehtëson punën.

“Edhe në libra ka aktivitete, se i kam shfletu edhe i kam analizu shumë mirë. Janë aktivitete që ju përshtaten grup-moshës parashkollore, në fillim janë në kuadër të lojës gjitha aktivitetet, mandej fillojnë shkronjat e mëdha të shtypit, edhe ato secila lidhet me personazhet e librave, janë shumë atraktive për fëmijë” – ka treguar Haziri për KALLXO.com.

Lidhur me qëndrimin e ekspertëve të arsimit se po përsëritet klasa e parë, Haziri nuk është pajtuar me këtë qëndrim, pasi sipas saj, ideja e edukimit parafillor është të përgatiten fëmijët për klasë të parë.

“Me siguri kemi me mbajt ndonjë mbledhje edhe aty ka m’u vendos, ndoshta edhe unë i kam ble kot, ndoshta s’kanë me m’hy në punë, mësuesja ka me vendos me punu pa libra, ta shohim tash në vazhdim çka ka me ndodh” – ka bërë të ditur ajo.

Sipas të dhënave të MASHTI-t për vitin 2022/2023, në të gjitha grup-moshat e nivelit të edukimit parashkollor janë 30,996 fëmijë, përfshirë edhe fëmijët që e vijojnë klasën parafillore qoftë në klasat parafillore apo në institucionet parashkollore e që numri i tyre është 21,296.