Edita Tahiri, Ministre për Dialog. Foto: Kallxo.com

Edita Tahiri i Lutet Brukselit ta Ndalë Trenin Ilegal të Serbisë

Ministrja për dialog Edita Tahiri sot kërkoi nga Bashkimi Europian që ta ndalë trenin ilegal të Serbisë në shtetin e Kosovës, të cilin Serbia e ka paralajmëruar për nesër.

Në një deklaratë për media, Tahiri e cilësoi këtë lëvizje të Serbisë si “provokim të radhës për destabilizimin e situatës në Kosovë”.

“Serbia po vazhdon me provokime të rënda ndaj Kosovës në kundërshtim me frymën e dialogut të Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore mes dy shteteve”, tha ministrja Tahiri.

Sipas saj, paralajmërimi i bërë për të lansuar linjën e re ilegale Beograd – Mitrovicë që nga dita e nesërme, është një “ndërhyrje agresive në sovranitetin shtetëror të Kosovës” dhe një dëshmi tjetër se, siç u shpreh ajo, Serbia po dëshiron ta destabilizojë Kosovën.

Në media kanë qarkulluar fotografi të këtij treni duke u stolisur me flamuj të Serbisë dhe ikonografi nacionaliste serbe.

“Serbia po bëhet rrezik për paqen dhe stabilitetin në rajon, dhe faktori ndërkombëtar duhet ta ndal Serbinë”, tha Tahiri.

“Serbia ka agjenda të rrezikshme, që duhet të na shqetësojnë të gjithëve, edhe Kosovën edhe partnerët ndërkombëtar. Tashmë ky është një provokim i hapur kundër Kosovës, që tregon se Serbia ka dalur hapur me politika agresive që kërcënojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe sigurinë nacionale të saj”, deklaroi ministrja Tahiri.

13 Janar 2017 - 18:38

Erjonë Popova 13/01/2017 - 18:38
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend