Edita Tahiri - Foto: KALLXO.com

Tahiri: Qeveria Kurti i ktheu pikat kufitare nga pavarësia në protektorat ndëkombëtar

Ish-ministrja e Kosovës për Dialog, Edita Tahiri, ka thënë se Qeveria e Kosovës me marrëveshjen e arritur në Bruksel për targat, ka kthyer nën protektorat ndërkombëtar pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak

“Sot Policia speciale e Kosovës tërhiqet nga dy pikat kufitare në veri dhe vendosen pjesëtarët e KFOR-it, sipas marrëveshjes së fundit në  Bruksel, ashtu siç kërkoi Serbia. Kjo don të thotë se kjo Qeveri aktuale i ktheu dy pikat kufitare nga pavarësia në protektorat ndërkombëtar”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

Ish-kryenegociatorja Tahiri ka thënë se ky veprim rrezikon kthimin e veriut nën protektorat.

“Nëse kjo qeveri vazhdon te jetë e pa aftë në negociatat e Brukselit ka rrezik që ta kthej krejt pjesën veriore në protektorat, që është një synim djallëzor i Serbisë”, tha ajo.

“Në vitin 2011, unë si kryengociatore me qeverinë e asaj kohe vendosëm kufirin ndërshtetëror mes Kosovës dhe Serbisë me marrëveshjen e Brukselit për IBM-in, kthyem policinë dhe doganat shtetërore të Kosovës në këto dy pika kufitare. Ndërsa sot shihni ku jemi, fatkeqësisht, duke rreshqitur mbrapa ne protektorat”, theksoi ajo.

Dje, Njësia Speciale e Kosovës në Bërnjak dhe Jarinjë është zëvëndësuar nga trupat e KFOR-it, dhe barrikadat e qytetarëve serbë të cilët protestonin për më shumë se 10 ditë janë larguar.

Ky ishte dakordimi i marrëveshjes së nënshkruar të enjten mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Qytetarët serbë kanë kundërshtuar vendimin Qeverisë së Kosovës sipas të cilit, veturat që hyjnë nga Serbia duhet të pajisjen me targa të përkohshme në pikëkalimet kufitare të Kosovës.

Shoferët të cilët kanë automjete me targa të lëshuara nga Serbia, me të hyrë në Kosovë duhet të paguajnë pesë euro për targa të përkohshme dhe vlefshmëria e tyre është 60 ditë.

Çështja e targave ishte e rregulluar me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, në vitin 2011, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

Në vitin 2016, po ashtu ishte arritur pajtimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel që automjetet me targa ‘KS’ të vazhdonin të jenë në qarkullim edhe për një afat prej pesë vjetësh, pra deri më 14 shtator të këtij viti, kur edhe ka skaduar kjo marrëveshje.