Dyshime për Punësim të Përkrahësve të Vetëvendosjes

“Ditë e veçante me miq të veqant’ kështu kishte  përshkruar në Facebook vizitën e Albin Kurtit në banesën e tij Misin Sadriu shtatorin e vitit të kaluar.

Një vit më vonë, mikpritësi i aktivistëve të Vetëvendosjes ka nënshkruar kontratë me komunën e Prishtinës për të ushtruar aktivitetin e shtëpiakut në shkollën e mesme “Xhevdet Doda” në Prishtinë.

Disa javë më parë, një raport në KALLXO.com ka ngritur dyshime se një simpatizant i Lëvizjes Vetëvendosje është punësuar në cilësinë e shtëpiakut në Shkollën e mesme “Xhevdet Doda”.

Misini ka nënshkruar kontratë me komunën e Prishtinës e cila qeveriset nga Lëvizja Vetëvendosje pas një konkursi publik ku të gjithë kandidatët i ishin nënshtruar procesit të vlerësimit nga ana e një komisioni i cili është ngritur nga zyra e burimeve njerëzore.

Nëpunësi i ri i administratës së komunës nga postimet që i ka bërë në Facebook duket të jetë njeri i afërm me aktivistët e VV-së.  Një vit më parë në banesën e tij kishte qëndruar Albin Kurti, këshilltari komunal Ylli Hoxha e disa aktivistë të tjerë të VV-së.

I kontaktuar nga KALLXO.com Misini nuk ka ka dashur ta komentojë lidhjen e tij me partinë që qeverisë Prishtinën ndërsa Lëvizja Vetëvendosje në një komunikim elektronik nuk ka pranuar të japë detaje për lidhjet e deputetit Albin Kurti dhe aktivistëve të tjerë të VV-së me të punësuarin e ri në komunë.

“Ne si Lëvizje Vetëvendosje nuk mund të flasim për përkatësinë politike të secilit qytetar të Republikës. Po ashtu, nuk kemi kategorizime të cilat po i kërkoni: simpatizantë, aktivistë, anëtarë”, tha Tinka Kurti zëdhënëse e Lëvizjes.

Për punësimin e Misinit, KALLXO.com ka kërkuar sqarime edhe nga Kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti. Sipas tij, anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë të drejtë të punojnë megjithëse tha se nuk i njeh personat në fjalë.

“Është gjetë një person që qenka ‘domar’ (shtëpiak) në një shkollë dhe që qenka anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje. Unë nuk pe di kush është, nuk po i njoh, munden me qenë”, ka thënë  Ahmeti.

Nga viti 2013, kryeqyteti i Kosovës qeveriset nga Lëvizja Vetëvendosje e cila është shquar për ndërprerjen e ndërtimeve pa leje.

Në debatin e fundit Jeta në Komunë Kryetari Shpend Ahmeti kishte një debat të ashpër me asambleistët e komunës të cilët kërkonin llogari nga ai për premtimet dhe punët që ata pretendonin se nuk janë përfunduar.