Pozita e shefit të AKI-së i rritë pasurinë Shpend Maxhunit

Ish drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni  me 20 prill të vitit të kaluar u emëruar shef i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës.

Që nga emërimi i tij në pozitën e re, pasuria e tij e paluajtshme në bazë të deklarimeve të bëra në Agjencinë Kundër Korrupsion është rritur.

Maxhuni gjatë kohës sa ishte shef i Policisë së Kosovës, kishte deklaruar se zotëron pasuri të paluajtshme me vlerë prej 207 mijë euro, ku kishte llogaritur dy banesa, një shtëpi dhe një tokë.

Në deklarimin e pasurisë të bërë në pozitën e të parit të AKI-së, Maxhuni ka deklaruar se posedon pasuri të paluajtshme 257 mijë euro, ku ka llogaritur dy banesa në vlerë 107 mijë euro, një shtëpi në vlerë 30 mijë euro, dhe dy toka në vlerë 120 mijë euro.

Ndërsa në pasurinë e luajtshme, i pari i AKI-së ka deklaruar dy vetura, njëra e cila është deklaruar se është blerë në vlerë 10 mijë euro, ndërsa për veturën e dytë ka deklaruar se e ka blerë nga kursimet dhe shitja e veturës paraprake, vlera e së cilës arrin 13 mijë euro.

Shefi i AKI-së ka deklaruar se posedon edhe aksione në shoqëri komerciale, ku ka deklaruar se biznesi “Diamond Shine shpk”, i cili është deklaruar si biznes personal, pronar i së cilës është djali i tij.

Maxhuni ka deklaruar se ky biznes që nga maji i vitit 2018, ka pasur qarkullim 21 mijë euro.

Përveç kësaj pasurie, Maxhuni ka deklaruar se posedon para të gatshme në institucionet financiare në vlerë 89 mijë euro.

Maxhuni po ashtu ka deklaruar se ka detyrime ndaj institucioneve financiare në vlerë 10 mijë euro, në kohëzgjatje për 5 viteve.

Maxhuni merr 33 mijë e 216 euro në vit.

Përveç të hyrave vjetore personale, Maxhuni ka deklaruar edhe të hyrat vjetore nga bashkëshortja paga e saj në Gjykatën Themelore në Prishtinë ku të hyrat vjetore janë 1 mijë e 830 euro si dhe mëditje nga Gjykata Themelore në Prishtinë në vlerë 102 euro.

Në të hyrat vjetor të Maxhunit kontribuojnë edhe fëmijët e tij, nga të cilat ka deklaruar se ka të hyra vjetore 751 euro, 21 mijë prej të cilave vijnë nga biznesi personal dhe 730 euro nga paga e njërit fëmijë të tij, i cili është punësuar në Telekomin e Kosovës.

KALLXO.com kishte raportuar për pasurinë që Shpend Maxhuni posedonte kur ai u emëruar në pozitën e të parit të AKI-së.