Vendimi që priti 1063 ditë për t’u vendosur nga Gjykata e Apelit

Vendosja për caktimin e masës së sigurisë në rastet e shpifjes është njëra nga vendimet e rëndësishme në trajtimin e këtyre rasteve. Por një hulumtim i BIRN zbardhë se Gjykata e Apelit gjatë trajtimit të një rasti u vonua për 1063 për të vendosur në një kërkesë të tillë.

Sipas ligjit, palët kanë të drejtë që në rastet kur konsiderojnë se ka shpifje mund t’i kërkojnë gjykatës të caktojë masa siguruese.

BIRN në kuadër të analizimit të rasteve të shpifjes ka gjetur se një masë e tillë ishte kërkuar në padinë e ish-shefit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Agron Selimaj, ndaj disa mediave por procedura edhe pse konsiderohet urgjente u vonua për më shumë se dy vjet. 

Më 12.02.2018, Agron Selimaj dorëzoi padinë me propozimin për caktimin e masës së sigurimit të kerkesëpadisë. Përmes masës së sigurimit ai kishte kërkuar përmes rrugëve ligjore që mediat e paditura të tërhiqnin shkrimin e lartcekur. Ai aty ka theksuar se të paditurit kanë shpifur dhe kanë fyer personalitetin e Agron Selimajt. 

Dosja tregon se Gjykata e Prishtinës pas dy muajsh, më 17.04.2018 caktoi seancën në të cilën do të vendosej për masën e sigurisë.

Sipas dosjes, i autorizuari i të paditurit të parë, përkatësisht medias online “Insajderi”, kundërshtues i sigurimit në përgjigjen në padi dhe në seancën dëgjimore e ka kundërshtuar propozimin për masë. Kjo është argumentuar ndër të tjera se propozuesi nuk ka arritur të njëjtin ta bëjë të besueshëm.

I autorizuari i të paditurit të dytë, përkatësisht portalit “Telegrafi” po ashtu kundërshtues i sigurimit, në përgjigjen ndaj propozimit për caktim të masës se sigurisë, si dhe në seancën dëgjimore gjithashtu kishte kundërshtuar propozimin duke e konsideruar si të pabazuar. Sipas dosjes, përfaqësuesi ka argumentar se përmbajtja e artikujve të publikuar nuk është shpifëse, e njëjta bazohet në thëniet të faktueshme dhe po ashtu shpalos hetimin e prokurorit kompetent.

Sipas arsyetimit të aktvendimit të Themelores është argumentuar se ish-shefi i AKI-së Agron Selimaj, nuk e ka bërë të besueshëm propozimin e tij. Gjykata ka konsideruar se pretendimet e paditësit/propozuesit se ka rrezik, gjykata i vlerësoi si thjesht deklaratore.

Më tutje, propozimin e ish-shefit të inteligjencës se po i shkaktohet dëm i mëtejshëm, dëmtim i  reputacionit me qëndrimin e shkrimeve të publikuara, gjykata e kishte vlerësuar se ato publikime nëse si të tilla janë të paligjshme, në momentin e publikimit do kenë arritur efektin e tyre me shkaktim të dëmit – dëmtim të reputacionit të paditësit/propozuesit.

Por me këtë gjykim të shkallës së parë, të nxjerrë nga gjyqtari Bujar Dobërlani, nuk ishte i kënaqur njeriu që dikur qëndronte në krye të AKI-së. Kështu, më 02.05.2018 i njëjti dorëzoi ankesë kundër aktgjykimit të shkallës së parë në Gjykatën e Apelit. 

Prentendimet e Agron Selimajt në ankesë ishin se gjykata kishte shkelur Ligjin për Procedurë Kontestimore, kishte vërtetuar në mënyrë të gabuar dhe jo të plotë gjendjen faktike, kishte zbatuar gabimisht të drejtën procedurale.

Dosja tregon se kësaj radhe Gjykata e Apelit veproi me efektivitet duke nxjerrë aktvendim për 3 muaj lidhur me ankesën e Agron Selimajt. Kështu përmes aktvendimit të nxjerrë më 16.07.2018 nga gjyqtari Kujtim Pasuli, Gjykata e Apelit vendosi që ta vërtetojë aktgjykimin e shkallës së parë.

Më 12.02.2019, Agron Selimaj paraqiti në gjykatë një propozim të ri për masë të sigurisë, duke pretenduar se tashmë janë plotësuar kushtet ligjore të parapara me Ligjin për Procedurë Kontestimore për vendosjen e masës së sigurisë.

Aty përveç pretendimeve paraprake përmendet edhe fakti se më 29.10.2018, Prokuroria e ka hedhur poshtë kallëzimin penal ndaj paditësit për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar, cënim të të drejtave nga marëdhënia e punës, ushtrim të ndikimit, shantazhit, moslajmërim të veprave penale si dhe incizim të paautorizuar. Në këtë rast media online “Insajderi” nuk e ushtroi fare të drejtën për përgjigje në propozimin për masë të sigurisë. 

Media tjetër online “Telegrafi”, sipas dosjes së gjykatës, në kundërshtimin ndaj propozimit për caktimin e masës është deklaruar se shkrimi bazohet në dokumente të institucioneve publike, autenticiteti i të cilave nuk kontestohet. Aty thuhet se gjatë publikimit të shkrimit në tërësi janë respektuar procedurat për raportimin e të vërtetës dhe dhënies së mundësisë së personave të adresuar për reagim dhe plotësim të shkrimit mbi dyshimet në AKI. Më tej, pasi është kuptuar se Prokurori i Shtetit e ka hedhur kallëzimin penal, menjëherë kanë publikuar shkrimin se është hedhur i njëjti, në këtë mënyrë duke u përmbushur detyrimi i ndjekjes deri në fund të rastit, siç parashihet me rregulla të gazetarisë. Gjithnjë sipas dosjes, në përgjithësi “Telegrafi” ka konsideruar se propozimi është i pabazuar.

Kundërshtuesit e sigurimit nuk kanë prezantuar në seanca gjyqësore, përkundër pranimit të rregullt të letërthirrjeve. Prandaj seanca dëgjimore është mbajtur në mungesë të përfaqësuesve të tyre. Përgjatë seancës dëgjimore, i autorizuari i paditësit sërish ka kërkuar që gjykata ta aprovojë kërkesën për masë të sigurisë, pra që mediat online të heqin shkrimet e tyre lidhur me paditësin.

Por, më 09.02.2021 Gjykata e Prishtinës, përkatësisht gjyqtari Dardan Kadolli, sërish e refuzoi kërkesën e Agron Selimajt për masë të sigurisë. Aktgjykimin e shkallës së parë sërish e ankimoi ish-kreu i shërbimit të Inteligjencës në vend.

Në fund edhe aktvendimi i dytë i shkallës së dytë i marrë me 30.03.2021 nga gjyqtari Faton Ademi, ishte refuzues ndaj propozimit të paditësit Agron Selimaj. Ky aktgjykim e vërtetoi vendimin e datës 09.02.2021 të shkallës së parë.

Prej momentit të dorëzimit të ankesës në Gjykatën e Apelit nga ana e Agron Selimajt deri në këtë aktvendim të Apelit u deshën plot 1063 ditë.

Sipas arsyetimit të aktvendimit të marrë nga gjyqtari Dardan Kadolli, që sërish refuzoi kërkesën për masë të sigurisë, argumentohet ndër të tjera se nuk janë përmbushur kushtet kumulative të parapara me Ligjin për Procedurë Kontestimore për aplikimin e kësaj mase. 

Por Agron Selimaj nuk u ndal, ai e ankimoi për herë të dytë aktvendimin e Themelores për masën e sigurisë. Përfundimisht masa e sigurisë përkatësisht tërheqja e shkrimeve nuk u aplikua asnjëherë dhe shkrimet kanë qenë të qasshme në ditën e publikimit të kësaj analize si te “Insajderi” ashtu edhe te “Telegrafi”.

Me përfundimin e trajtimit të masave të sigurisë dhe caktimin e seancave për trajtim meritor të çështjes, gjykimi i ka kalur gjyqtarit Shefki Berisha dhe nuk është bërë më nga gjyqtari Bujar Dobërdolani.

Më 17.11.2023, ka qenë tentativa e parë e gjyqtarit Shefki Berisha që të zhvillojë seancën përgatitore në Gjykatën e Prishtinës. Prej paraqitjes së padisë deri në këtë seancë kanë kaluar plot 5 vjet, 9 muaj e 5 ditë.

Asnjë dispozitë ligjore, qoftë e procedurës kontestimore në përgjithësi, apo e ligjit dedikuar shpifjes dhe fyerjes nuk përcakton një afat për caktimin e seancës prej momentit të dorëzimit të padisë.

Megjithatë, trajtimi i ngadaltë i kësaj procedure bie ndesh me Planin Strategjik për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi, i miratuar që në vitin 2022.

Dy elemente indikative të këtij plani obligojnë në zgjedhjen me prioritet të rastit në fjalë, faktin se lënda është më e vjetër se 24 muaj dhe në anën tjetër faktin se në kontest kemi të përfshira palë të ndjeshme – përkatësisht, gazetarë.

Për më tepër, kjo seancë dështoi dhe u shty për në muajin janar për shkak të mungesës së përfaqësuesit nga ana e medias online “Telegrafi”.

Gjyqtari tregoi se ftesa për seancë nuk ka mundur t’i dërgohet kësaj pale të paditur për shkak se të njëjtës nuk ka qenë e mundshme t’i lokalizohet adresa dhe gjithashtu gjykata nuk ka arritur ta kontaktojë përmes telefonit.

Fakti se Gjykata e Prishtinës ka hasur në këso probleme karshi një personi juridik publik, natyrshëm ngre pyetjen nëse këto vështërësi do të ndesheshin në rast se deri në caktimin e kësaj seance prej momentit të dorëzimit të padisë nuk do të kishin kaluar pothuajse 6 vjet.

Në element tjetër që logjikisht ndërlidhet me stërzgjatjen e procesit është edhe kalimi i rastit nga dora e një gjyqtari tek tjetri, përderisa fillimisht rasti u trajtua nga gjyqtari Bujar Dobërdolani, mëtutje i njëjti u trajtua nga Dardan Kadolli kurse në fund nga gjyqtari Shefki Berisha.

Hulumtimi i zhvilluar nga BIRN nxjerrë në pah se gjykata nuk ka përgatitur një plan të seancave për zgjedhjen e rastit në fjalë. Konform praktikës së përgjithshme, secila seancë caktohet me datë dhe kohë veç e veç.

Seanca tjetër e caktuar për datën 12.01.2024 arriti t’i mbledhë përfaqësuesit e tri palëve të përfshira në kontest. Seanca pati një epilog interesant, aty u kërkua që çështja të mos trajtohet nga Gjykata e Prishtinës. 

Përfaqësuesi i palës së paditur ‘Telegrafi’, Kujtim Kërveshi, paraqiti kërkesë për përjashtimin e Gjykatës së Prishtinës duke argumentuar se për klientin e tij është e njohur rrethana se ish-shefi i AKI-së dhe gjyqtarja e departamentit special, Valbona Selimaj janë bashkëshortë.

Avokati Kujtim Kërveshi tha se Gjykata e Prishtinës duhet të përjashtohet dhe vendosja e çështjes duhet të kalojë në një gjykatë tjetër, të cilës do t’i referohet rasti.

Përfaqësuesi i medias online “Insajderi”, Lekë Morina, kërkoi nga Gjykata që çështjen ta referojë për kompetencë sipas ligjit.

Kurse përfaqësuesi i paditësit, avokati Adnan Pacolli, e kundërshtoi këtë propozim duke thënë se bashkëshortja e ish-shefit të AKI-së, Agron Selimaj, është gjyqtare në departamentin special dhe nuk ka asnjë lidhje me departamentin e përgjithshëm civil – në të cilin edhe po shqyrtohet rasti.

Gjyqtari i rastit Shefki Berisha nxorri vendim përkitazi me kërkesën e palës së paditur, duke e ndërprerë procedimin e kësaj çështje nga Gjykata e Prishtinës. Ai njoftoi se me kërkesën për përjashtimin e Gjykatës së Prishtinës nga procedimi do të njoftohet kryetarja e Gjykatës së Prishtinës.

Gjykata e Apelit më 26.01.2024 ka nxjerrë aktvendim përmes të cilit gjykimin e padisë së ushtruar nga ish-shefi i AKI-së, Agron Selimaj, kundër mediave online “Insajderi” dhe “Telegrafi” ia ka caktuar Gjykatës së Prizrenit, Departamentit Civil.

Në aktvendimin e siguaruar nga KALLXO.com thuhet se kolegji i Gjykatës së Apelit, i përbërë nga kryetari i Gjykatës, Valon Totaj; kryetar i kolegjit, Lumni Sallauka dhe anëtari Bujar Muzaqi, pas shqyrtimit dhe vlerësimit të shkresave të lëndës konstatoi se kërkesa për përjashtimin e Gjykatës së Prishtinës është e bazuar.

Në arsyetimin e aktvendimit thuhet se gjykata e shkallës së parë është e penguar që të procedojë në këtë çështje juridike për shkaqe objektive, kjo pasi si palë paditëse është Agron Selimaj, i cili është bashkëshorti i gjyqtares Valbona Selimaj, gjyqtare në Gjykatën e Prishtinës. Andaj, në arsyetim thuhet se se një rrethanë e tillë mund të shkaktojë dyshime sa i përket objektivitetit të Gjykatës në vendosje.

Me qëllim që të shmanget çdo dyshim lidhur me objektivitetin e gjykatës në vendosje, kolegji i Gjykatës së Apelit konstaton se janë plotësuar kushtet e parashikuara me Ligjin për procedurë kontestimore që lënda t’i delegohet Gjykatës së Prizrenit.

Lidhur me këtë rast deri më tani nuk ka një aktgjykim meritor, teksa lënda pritet që shumë shpejt t’i ekspeditohet Gjykatës së Prizrenit.

Ish-shefi i Inteligjencës, sipas padisë, ka kërkuar që mediat online “Insajderi” dhe “Telegrafi” të shpallen përgjegjëse për shpifje dhe fyerje.

Vendimmarrja në KMSHK 

Vlen të ceket se përpara se Agron Selimaj t’i drejtohej gjykatës në lidhje me këtë çështje, i është drejtuar me ankesë Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës.

Në këtë ankesë thuhej se artikulli “Hetime në AKI – dyshime për korrupsion, shantazh, përgjime të paligjshme, ushtrim ndikim” me autor Vehbi Kajtazi përmban shumë të pavërteta si dhe ankuesit, në këtë rast, Agron Selimaj, nuk i është dhënë mundësia që të prononcohet lidhur me çështje në fjalë. 

Në anën tjetër, përfaqësuesi i medias online “Insajderi” kishte shpejguar se artikulli është shkruar në bazë të një kallëzimi penal, dhe hetimeve të filluara nga prokurori Arian Gashi.

Më 05.03.2018, KMShK-ja kishte nxjerrë vendim ndaj ankesës së Selimajt duke mos e miratuar ankesën e këtij të fundit.

Në vendim shkruhet se KMShK, pasi kishte shqyrtuar artikullin, ankesën, dhe përgjigjen e “Insajderit” ka konstatuar se nuk bëhet fjalë për raportim të pavërtetë, pasi artikulli mbështetet mbi fakte të njohura në opinion edhe më parë, si dhe mbi një kallzim penal që e ka bërë Naim Ibrahimi, ish-shef i departamentit të auditimit në AKI.

Më tej KMShK-ja kishte argumentuar se “Insajderi” ka siguruar dosjen hetimore si dhe një shkresë të prokurorit Arian Gashi drejtuar Komisionit parlamentar për mbikqyrjen e AKI-së.

“Nuk është kontestuese se prokuroria ka filluar hetimet dhe gjithashtu artikulli nuk paragjykon fajësi apo pafajësi të askujt, por vetëm përcjellë pjesë nga kallzimi penal të Ibrahimit dhe disa materialeve ende të klasifikuara që nuk mund të publikohen” – thuhet në vendimin e KMShK-së.

Një prej ankesave të ish-shefit të AKI-së ishte se mediat online as që kanë provuar të marrin prononcimin e ankuesit. Në raport me këtë pikë KMShK-ja kishte gjetur se nuk ka pasur shkelje të Kodit të Mediave të Shkruara, përkatësisht tek kreu IV – e drejta për t’u përgjigjur – pasi, sipas vendimit, artikulli mbështetej mbi të dhëna zyrtare të sakta.

Në vendim gjithashtu shkruhet KMShK nuk mund t’i fajësojë redaksitë e mediave të përmendura se nuk e kanë botuar reagimin e ankuesit përderisa një reagim i tillë nuk u kishte shkuar mediave online, së paku jo deri në marrjen e këtij vendimi. 

Në mënyrë të veçantë lidhur me Telegrafin, KMShK-ja kishte konstatuar se i njëjti vetëm e ka përcjellë shkrimin e “Insajderit”, duke theksuar burimin, andaj ky vendim vlen edhe për të.