Ministri Murati bleu aksione në 'Netflix'

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka blerë aksione në kompaninë amerikane të filmave, serialeve e shfaqjeve televizive “Netflix”.

Kështu ka deklaruar Murati në regjistrin për deklarimin e pasurisë për vitin 2021, në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK).

Në këtë regjistër ai ka deklaruar se vlera e aksioneve në “Netflix” që ai i posedon është 8 mijë e 700 euro.

Mirëpo, ministri i Financave ka aksione edhe në kompani të tjera të mëdha.

Madje, ai ka arritur që ta paguaj kredinë e blerjes së banesës me shitjen e aksioneve ai ka pasur.

Murati ka deklaruar se ka shitur aksione në vlerë 33 mijë e 303 euro dhe se me to ka shlyer huanë për blerjen e banesës në vlerë 35 mijë, të cilën e kishte deklaruar më 2020.

Përveç në “Netflix”, Murati ka deklaruar se posedon letra me vlerë edhe në kompani të tjera.

Në “Tesla Inc”, Murati ka deklruar aksione me vlerë prej 26 mijë e 700 euro. Këto aksione ai i ka blerë në vitin 2014-n.

Poashtu ai ka deklaruar aksione edhe në “Allianz SE”, me vlerë 4 mijë e 300 euro dhe në kompaninë “Volkswagen AG” me vlerë 6 mijë e 300 euro.

Këtë vit ministri Murati ka deklaruar se posedon banesë me vlerë 38 mijë euro si dhe tokë në vlerë 23 mijë euro. Murati ka deklaruar se ka edhe një veturë të cilën ai e ka vlerësuar 3 mijë e 100 euro.

Ish-deputeti ka deklaruar tutje se ka 9 mijë e 270 euro para të gatshme në banka.

Murati ka deklaruar pagën e tij vjetore si deputet në mandatin e kaluar.