Sa është i pasur drejtori i ShSKUK-së, Valbon Krasniqi?
Banesë me vlerë mbi 93 mijë euro e mbi 40 mijë euro të kursyera, janë vetëm disa nga të dhënat nga pasuria e deklaruar e drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqit.
Përveç se është drejtor i ShSKUK-së, insitucion që financohet nga Ministria e Shëndetësisë, Krasniqi, po ashtu punon edhe si specialist i sëmundjeve ngjitëse në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, si dhe është ligjërues në një kolegj privat në Kosovë.
Drejtori i ShSKUK-së ka një shtëpi me truall 460 metra katror të trashëguar nga prindërit, e cila nga ai është vlerësuar me 100 mijë euro.
Nga deklarimi i pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion Krasniqi ka deklaruar se nga kursimet ka arritur të blejë banesë në vitin 2013 me sipërfaqe 136 metra katror në vlerë prej 93 mijë e 500 euro.
Sa i përket kursimeve, Krasniqi, ka deklaruar se në institucionet financiare ka të kursyera 40 mijë e 164 euro, ndërsa para të gatshme kesh ka 250 euro.
Ai pozitën e drejtorit të ShSKUK-së e mori më katër shkurt të këtij viti, mirëpo para se të bëhej drejtor, ka qenë U.D në këtë dhe nga korriku deri në dhjetor të vitit të kaluar për këtë pozitë është paguar 9 mijë e 694 euro, ndërsa si ligjërues, nga tetori deri në dhjetor të vitit të kaluar është paguar 1 mijë e 710.00.
Ai po ashtu ka treguar se gjatë kohës sa është në pozitën e drejtorit nuk marrur pagën si mjek – Specialist i Sëmundjeve Infektive, përveç kujdestarive, në rast se ato i mbanë.