Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Drejtori i AKI-së pa asnjë pronë në emër të tij

Drejtori i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Petrit Ajeti, ka deklaruar pasurinë e tij në Agjencinë Kundër Korrupsion.

Sipas deklarimit të pasurisë, Ajeti nuk ka në pronësi asnjë pronë të luajtshme apo të paluajtshme.

Ajeti ka deklaruar një shtëpi 300.00 m2 në vlerë prej 250 mijë eurove, por që është në pronësi të prindit dhe një veturë Mercedes në vlerë 4 mijë euro, po ashtu në pronësi të prindit.

Ajeti ka deklaruar 4 mijë e 452 euro para të gatshme të kursyera në dy banka të Kosovës.

Po ashtu ai ka thënë se ka kredi 10 mijë euroshe.

Drejtori i AKI, e ka bërë deklarimin e pasurisë në muajin maj dhe pagën mujore të tij e ka deklaruar sa ka mbajtur pozitë në Ministri të Mbrojtjes. Paga e tij ka qenë 1 mijë e 132 euro.

Pagën si drejtor i AKI-së nuk figuron në deklarimin e pasurisë së Ajetit.

“Paga ime është nga pozita që kam mbajtur në Ministri të Mbrojtjes. Pensioni i babait është kotributdhënës, ndërsa pensioni i nënës është pension i familjeve të dëshmorëve. Bashkëshortja është punonjëse me kontratë me afat të kufizuar”, ka shkruar Ajeti në deklarim të pasurisë.

Ajeti është emëruar në pozitën e drejtorit të AKI-së, më 15 prill 2021.

Kush është Petrit Ajeti, shefi i ri i AKI-së?