Kontesti në mes të ish-shefit të AKI-së dhe mediave, kërkohet që çështja të mos trajtohet nga Gjykata e Prishtinës

Seanca gjyqësore e mbajtur për shqyrtimin e kontestit në mes të ish-shefit të AKI-së, Agron Selimaj dhe portaleve ‘Telegrafi’-i dhe ‘Insajderi’ është ndrëprerë.

Deri tek ndërprerja ka ardhur pasi përfaqësuesi i palës së paditur portalit ‘Telegrafi’, Kujtim Kërveshi paraqiti kërkesë për përjashtimin e Gjykatës së Prishtinës duke argumentuar se për klientin e tij është e njohur rrethana se ish-shefi i AKI-së dhe gjyqtarja e departamentit special Valbona Selimaj janë bashkëshortë.

Avokati Kujtim Kërveshi tha se Gjykata e Prishtinës duhet të përjashtohet dhe vendosja e çështjes duhet të kalojë në një gjykatë tjetër të cilës do t’i referohet rasti.

Përfaqësuesi i paditësit, avokati Adnan Pacolli e kundërshtoi këtë propozim duke thënë se bashkëshortja e ish-shefit të AKI-së, Agron Selimajt është gjyqtare në departamentin special dhe nuk ka asnjë lidhje me departamentin e përgjithshëm civil – ku edhe po shqyrtohet rasti.

Kurse përfaqësuesi i portalit Insajderi, Lekë Morina kërkoi nga Gjykata që çështjen ta referojë për kompetencë sipas ligjit.

Gjyqtari i rastit Shefki Berisha nxori vendim përkitazi me kërkesën e palës së paditur duke e ndërprerë procedimin e kësaj çështje nga Gjykata e Prishtinës.

Ai njoftoi se me kërkesën për përjashtimin e Gjykatës nga procedimi do të njoftohet kryetarja e Gjykatës së Prishtinës.

Cilat janë prentendime e ish-shefit të AKI-së në padi?

Agron Selimaj i kishte paditur në dhjetor të vitit 2018 portalet në fjalë pasi sipas padisë me rastin e publikimit të shkrimit më datë 9 shkurt 2018 të paditurat nuk kanë dhe as që kanë provuar të marrin komentet dhe përgjigjet e mundshme të paditësit para se ta publikojnë, ato që paditësi i ka quajtur, pretendimet shpifëse dhe fyese. Mosdhënia e mundësisë për përgjigje, sipas ish-shefit të AKI-së, i ka shkaktuar dëm të madh reputacionit dhe nderit.

Paditësi ka konsideruar se portalet në fjalë kanë pasur për qëllim denigrimin dhe hakmarrjen ndaj paditësit për shkak të punës së kryer paraprakisht.

Shkrimi i publikuar 6 vite më parë u bë në kohën kur Agron Selimaj në cilësinë e ish-shefit të AKI-së, së bashku me të tjerë persona të strukturës udhëheqëse të AKI-së, përkatësisht: Shkëlzen Sopjanin, Latif Merovcin, Gazmend Isufin, Selami Hashanin, po hetoheshin nga prokurori Agron Gashi, mes të tjerash edhe për një tender të dyshimtë për firmën e djemve të ish-kryeministrit Isa Mustafa.

Paditësi ka theksuar se të paditurit kanë shpifur se kinse ai ka shantazhuar kallëzuesin penal për marrëdhënie intime me një nga vartëset e tij.

Ky kallëzimi penal ndaj Agron Selimaj dhe zyrtarëve tjerë të AKI-së u hodh poshtë nga Prokuroria në Prishtinë me arsyetimin se nuk u gjetën elemente të veprës penale.

Në shkrim përmendet ndër të tjera se ishte katërfishuar çmimi i riparimit të veturës BMW në pronësi të AKI-së e dërguar për servisimin në firmën e djemve të ish-kryeministrit Isa Mustafa.

Paditësi përmes padisë po kërkon që portalet të shpallen përgjegjëse për shpifje dhe fyerje; të përgënjeshtrojnë shkrimin e lartcekur – e me këtë rast të kërkojnë edhe falje publike; ta mbajnë lajmin e përgënjeshtrimit të artikullit të publikuar për aq kohë dhe në hapësirën e njëjta sa është mbajtur artikulli, të cilin Agron Selimaj, e quan shpifje dhe fyerje; si dhe, në emër të dëmit jo material të paguajnë edhe një shumë monetare e cila pritet të caktohet pas precizimit të padisë ku do të përfshihet kamata ligjore 8 për qind të llogaritur nga data e publikimit.

Si është përgjigjur në padi portali Insajderi?

Në përgjigjen në padi të Insajderit padia është konsideruar tërësisht e pabazuar, kjo për shkak se sipas shkresës shkrimi është i bazuar në dokumente të institucioneve publike, autenticiteti i të cilave nuk vihet në dyshim. Më tuje ata kanë argumentuar se gjithashtu janë respektuar në plotni procedurat për raportimin e të vërtetës dhe dhënies së mundësisë së personave për reagim dhe plotësim të shkrimit.

Si është përgjigjur në padi portali Telegrafi?

Edhe i padituri i dytë portali Telegrafi në përgjigje ndaj propozimit për caktim të masës së sigurisë, si dhe në seancën dëgjimore ka kundërshtuar si të pabazuar propozimin për masë duke theksuar se përmbajtja e artikujve të publikuar nuk është shpifëse, e njëjta bazohet në thënie të faktueshme dhe po ashtu shpalos hetimin e prokurorit kompetent.

Bashkë me padinë Agron Selimaj kishte dorëzuar në gjykatë edhe kërkesën për caktimin e masës së sigurisë në të cilën kishte kërkuar nga të paditurat që ta heqin lajmin nga portalet e tyre dhe të gjitha rrjetet e mundshme derisa të vendoset në mënyrë meritore nga gjykata.

Por edhe Themelorja edhe Apeli në vitin 2021 e kishin refuzuar një kërkesë të tillë duke e lënë shkrimin në media, i cili është i qasshëm për publikun edhe sot.

Para se t’i drejtohet gjykatës në mars të 2018-tës iu ishte drejtuar me ankesë lidhur me të njëjtit shkrim Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili nuk e kishte miratuar ankesën në fjalë.