Këshilltari i Ramush Haradinajt me orë të 20 mijë eurove

Këshilltari politik i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, Erolld Belegu ka deklaruar pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsion.

Në pronësi të vetën, ai ka deklaruar dy shtëpi. Njëra me vlerë prej 600 mijë euro e tjetra prej 170 mijë euro. Po ashtu, Belegu ka deklaruar edhe një banesë në vlerë prej 26 mijë e 32 euro.

Këshilltari i Haradinajt ka deklaruar edhe pasurinë e luajtshme që posedon. Një veturë Mersedes GL5550 ka vlerën e 35 mijë eurove. Ndërsa, Erolld Belegu mban edhe një orë të shtrenjtë “Omega” në vlerë prej 20 mijë eurove.

Belegu ka deklaruar edhe një pikturë në vlerë prej 5 mijë eurove ndërsa ai ka deklaruar edhe enterierin e President bar në vlerë prej 18 mijë eurove.

Këshilltari politik i Haradinajt ka deklaruar edhe një veturë Nissa Qashqai 2018, në vlerë prej 30 mijë euro e cila është në pronësi të fëmijëve të tij.

Ai ka deklaruar se ka aksione në vlerë prej 200 mijë euro në biznesin “The Way You Live” dhe 18 mijë euro në një tjetër biznes me emrin “Sport Bar President shpk”.

Erolld Belegu në formularin e deklarimit të pasurisë ka deklaruar edhe para të gatshme në katër banka të ndrysmë, njëra prej të cilave është me seli në ShBA. Vlera e përgjithshme e parave të gatshme të tij arrin 11 mijë e 895 euro.

Deklarimi i të hyrave vjetore të Erolld Belegu sipas formularit janë nga “Marigona Residence” në një shumë prej 9 mijë e 132 euro, ndërsa ai ka deklaruar edhe të hyrat nga shitja e shtëpisë në lagjen “Marigona” në vlerë prej 20 mijë euro.

Këshilltari i Haradinajt ka deklaruar edhe të hyrat vjetore që vijnë nga paga e postit në Qeverinë e Kosovës në vlerë prej 6 mijë e 313 euro si dhe mëditjet në vlerë prej 1 mijë e 839 euro.