Dyshime se u çelën dosjet e konkursit për staf të rregullt në Fakultetin e Bujqësisë

Dosjet e aplikuesve për emërim, riemërim ose avancim në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dyshohet se u hapën më 21 qershor të këtij viti para kohës së paraparë.

Sipas një denoncimi të bërë brenda Fakultetit, e të cilin e ka siguruar KALLXO.com, dosjet e aplikuesve u hapën nga sekretari i Fakultetit të Bujqësisë, Skënder Musa.

“Dosjet nuk mund të hapen edhe nëse kisha qenë unë prezent. Sipas sekretarit Skënder Musa hapjen e ka bërë pasi iu është kërkuar nga Dekani, për të verifikuar emrat e aplikantëve” – thuhet në denoncim.

Denoncuesi pretendon se emrat ia kishte dërguar sekretarit sepse të njëjtit gjenerohen nga sistemi elektronik i UP-së, SEMS.

“Pasi janë hapë dosjet unë nuk barti asnjë përgjegjësi rreth dokumentacionit, sepse nuk kam njohuri pse janë hapur dhe çfarë ka ndodhur” – thuhet në letrën e cila është protokolluar nga Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë më 22 qershor 2023.

KALLXO.com sot shkoi në Fakultetin e Bujqësisë për të takuar dhe biseduar me dekanin e këtij Fakulteti, Bedri Dragusha dhe sekretarin, Skënder Musa.

KALLXO.com ka dërguar ditë më parë pyetje në adresë të stafit udhëheqës të këtij Fakulteti në lidhje me dyshimet se dosjet e aplikuesve në FBV-së janë hapur, por ata nuk janë përgjigjur.

“Veç u dashtë me informua që po vini, e para. E dyta, ato pyetjet që m’i keni bë ju, dy javë më parë unë i kam dëgjuar prej kolegëve të mi, për mos me thënë prej kundërshtarëve të mi…” – tha dekani Dragusha.

“Nuk muj kurrgjë me sqaru, sepse nuk keni lajmëruar se do të vini. Më pak serioz sesa që ti e mendon, do të bindeni” – tha duke refuzuar të japë shumë shpjegime për rastin.

Denoncimi për Dyshime se u çelen dosjet e konkursit për staf të rregullt në Fakultetin e Bujqësisë

Në anën tjetër, pretendimet e denoncuesit për hapjen e dosjeve të konkursit i ka mohuar edhe sekretari i Fakultetit të Bujqësisë, Skënder Musa.

“Ato a i kam hapë, a s’i kam hapë unë, i kam dëshmi… Jo more…qy-qy, secili ka të drejtë me dyshu, secili ka të drejtë. E di që është denoncimi edhe e di prej kujt është denoncimi, edhe e di në çka e ka bazu…” – ka thënë Musa.

“Nuk është e vërtetë absolutisht, ai s’e din kush është, as çka është, as s’e din cilat dosje janë hapë” – tha ai.

Musa ka thënë se në vendin ku ruhen dosjet e konkursit nuk ka kamera ndërsa për rastin ka raportuar në organet e brendshme, ku edhe e ka mohuar se i ka hapur dokumentet.

“Nëse akuzohem ekziston Prokuroria, ekzistojnë organet përkatëse, jap llogari çdokund, përgjegjësi morale, materiale dhe penale, në të trijat jam i gatshëm me dhënë. Ajo është punë e sekretarit, ajo është punë teknike që e kryen sekretari… S’kam nevojë me mohu, as me pohu more, unë kam dokument me shkrim çka kam thënë, unë punoj me letra, jam jurist” – tha ai.

Në anën tjetër, në një përgjigje me shkrim, zyra për medie e Universiteti të Prishtinës tha se të gjitha ankesat do të trajtohen.

“Me legjislacionin në fuqi të Universitetit të Prishtinës janë përcaktuar saktësisht të gjitha fazat nëpër të cilat duhet të kalojë konkursi. Aktualisht jemi në fazën kur komisionet recensuese të emëruara nga këshillat e njësive akademike dorëzojnë raportet e tyre recensuese dhe të njëjtat publikohen në buletinin e UP-së.” – thuhet në përgjigje.

“Më lejoni t’ju kujtoj se, sipas legjislacionit të përmendur, emërimi i komisioneve recensuese, miratimi i raporteve të tyre dhe shqyrtimi i ankesave eventuale janë kompetencë e këshillave të njësive akademike, si dhe paraqitja e një propozimi në Senatin e Universiteti i Prishtinës. Vetëm pasi të jenë administruar fazat e përmendura në njësitë akademike përkatëse, procedura vazhdon në Senatin e UP-së, si organ qendror dhe më i lartë akademik i UP-së” – ka thënë Marigonë Vrajolli nga zyra për media e UP-së.

Tutje Universiteti publik ka shpjeguar edhe fazat e rekrutimit dhe fazat për të gjithë ata që duhet të ankohen për konkursin.

“Në fazat e fundit, raportet e komisioneve recensuese, propozimet e njësive akademike dhe raportet e tyre për rishqyrtimin e ankesave eventuale trajtohen në komisionin këshilldhënës të rektorit” – thuhet tutje në shpjegimet e UP-së.

“Në fazën e fundit, në bazë të të gjitha informatave paraprake, rektori i UP-së paraqet propozim për t’u votuar në Senat. Senati i UP-së është vendimmarrës lidhur me emërimin e stafit të rregullt akademik të UP-së. Kandidatët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Komisionin për Ankesa të Senatit të UP-së. Propozimi i Komisionit të Ankesave rishqyrtohet në Senat” – thuhet në fund të përgjigjes.