Denoncimi i Brezovicës – Mijëra euro për t’i ndryshuar lumit emrin 

Në serinë e hulumtimit për dosjen “Brezovica”, gazetari Kreshnik Gashi ka zbuluar njërën nga detajet më interesante të kësaj dosje.

Në nisjen e emisionit, ai ka përmendur një veprim i cili kishte mundësuar më pas një numër të madh të ndërtimeve në këtë zonë.

Të dhënat e hulumtimit tregojnë se në Brezovicë, lumi i cili rrjedhë në atë zone njihej në kadastër si Lum, mirëpo sipas të dhënave të siguruara, një komision ishte themeluar për t’i ndryshuar emrin lumit, nga lum në rrjedhë ujore.

Sipas të dhënave të hulumtimit në afërsi prej 20 metrash prej lumit, nuk lejoheshin ndërtimet ndërsa ndryshimi mundësoj që afër rrjedhës ujore të ndërtohej deri në shtratin ku rridhte lumi.

Në intervistën dhënë për Kallxo.com, prokurori Rasim Maloku ka treguar se cilat janë dyshimet se si rrodhi ky proces.

“Në vitin 2016 është ndërmarrë një operacion nga Policia, Drejtoria e krimeve të rënda në Prishtinë dhe janë konstatuar parregullsi të shumta. Një prej kushteve të ndërtimit që është dashur të respektohet ka qenë distanca nga lumi që në bazë të Ligjit për ujërat e Kosovës ajo distancë ka qenë 30 metra dhe duke e pa këtë gjendje është formuar një komision brenda Ministrisë dhe kanë nxjerrë një udhëzim administrativ dhe këtë lumë e ka drejtuar si rrjedhë dhe në disa raste edhe si përroskë dhe distancën e kanë zvogëluar në 5 metra me arsyetim se ky është lumë i vogël dhe nuk duhet të trajtohet si lumenjtë e mëdhenj, megjithatë Ligji është shumë i qartë”- theksoi Maloku.

“Ne ende nuk kemi informacione që ka pasur ryshfet për këtë ndërrim mirëpo se është menaxhuar nga struktura udhëheqëse të Ministrisë nuk është kontestuese sepse ai komision nuk ka mundur të dalë në mënyrë arbitrare të veprojë por ka marrë udhëzime prej organeve kompetente”- thotë Maloku.

Emisioni Kallxo Përnime ka transmetuar pamje ekskluzive të filmuara gjatë vitit 2012-2013-të, kur kompanitë shqiptare ishin futur në Brezovicë për të realizuar ndërtimet.

Në pamje janë shfaqur momentet kur buldozerët e ekskavatorët rrafshojnë malet për të ndërtuar vila.

Një pamje tjetër ekskluzive ka shpërfaqur ekskavatorët duke gërmuar shtratin e lumit, veprim ky i ndaluar sipas ligjit.

Tri vite më parë emisioni hulumtues Kallxo Përnime kishte arritur të intervistonte njërin nga 15 dëshmitarët e prokurorisë në rastin e njohur si Brezovica.

Në detajet e thënë në intervistë përmenden mite dhënie masive për pushtetarë në nivelin lokal e qendrorë dhe skema të shumta të korrupsionit të cilat mundësuan ndërtimin e mbi 800 ndërtesave e hoteleve në zonën e njohur të Brezovicës.

“Asnjë leje ndërtimi nuk ka mundur të merret pa u dhënë 10 mijë euro. Kemi pagu deri në 200- 250 mijë euro për një leje. Ne kemi qenë zot të Brezovicës, kemi bo çka kemi deshtë, kemi arrit me e ndryshu emrin e lumit, prej lum në rrjedhë ujore. Kemi pre male e kemi rrëzu lisa qindra vjeçar”.

Këto janë vetëm disa pjesë të rrëfimit të tij i cili nuk është transmetuar ende deri më sot për shkak të hetimeve të Prokurorisë.

Por sonte në Kallxo Përnime mund ta ndiqni rrëfimin e tij.

Deri më tani në rastin “Brezovica” janë arrestuar rreth 100 persona, Në mesin e tyre janë edhe ish-kryetari i Shtërpcës Branisllav Nikoliq, disa drejtorë të kësaj komune, ish-sekretari i Ministrisë së Ambientit, Arben Çitaku e dhjetëra biznesmen.

Nikoliq dhe Çitaku nuk e kanë pranuar fajësinë për dyshimet që rëndojnë mbi ta.