Foto: Ministria e Tregtisë dhe Industrisë

Djali i Fatmir Limajt ruan para në Amerikë

Djali i zëvendëskryeministrit të Kosovës Fatmir Limajt, Durim Limaj përveç që ruan para në banka të Kosovës ai këtë gjë po e bënë edhe në Amerikë.

Në deklarimin e pasurisë në Agjencinë kundër Korrupsionit, këshilltari i lartë politik në Ministrinë e Tregtisë ka bërë të ditur se ka para me vlerë prej 1 mijë e 500 dollarë në bankën “Mission Federal Credit Union” në San Diego të ShBA-së.

Durim Limaj po ashtu në bankën NLB në Kosovë ka para të gatshme 16 mijë e 299 euro.

Si pasuri të paluajtshme ai ka deklaruar se posedon tri banesa në vlerë prej 297 mijë euro. Njëra në vlerë 45 mijë euro, një banesë që është në procedurë të blerjes në vlerë 165 mijë euro dhe një banesë tjetër  në vlerë 87 mijë euro.

Si pasuri të luajtshme Limaj ka deklaruar një veturë nga të ardhurat personale me vlerë 8 mijë euro dhe një tjetër veturë me kredi dhe të ardhura personale në vlerë 20 mijë euro.

Djali i kreut të Nismës Socialdemokrate ka deklaruar se është pronar edhe i një biznesi “Orange LD Sh.P.K” në vlerë 50 mijë euro.

Ai ka edhe kredi për blerje të banesës për 5 vite më vlerë 20 mijë euro.

Sa i përket të hyrave vjetore këshilltari i MTI-së ka deklaruar se nga ministria merr pagë 11 mijë euro, të hyra nga kompania e tij rreth 10 mijë euro, mëditje nga MTI 274 euro si dhe për një takim në Paris ka marrë 820 euro.

KALLXO.com ka shkruar edhe për pasurinë e Fatmir Limajt.

Me afër 1 milion euro pasuri Fatmir Limaj i drejtohet bankës për kredi

.