Ilustrimi: Marthaposempuckel/Pixabay

Tatimet, ATK me projekt për katër kategori të personave të pasur

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka bërë të ditur se ka lansuar projektin më të ri për përmbushje tatimore për personat e pasur.

Sipas njoftimit, ky projekt ka për qëllim identifikimin e personave të pasur duke përdorur bazë të të dhënave në formë sistemi/platforme e cila mundëson ndërlidhjen me institucione qeveritare, jo-qeveritare, financiare me qëllim të trajtimit tatimor të kësaj kategorie.

Gjithashtu shton se projekti do të mundësojë rritjen e numrit të deklarimeve dhe pagesës së tatimit nga kjo kategori e tatimpaguesve, “si dhe zvogëlimi i hendekut tatimor si rezultat i mos deklarimit të të ardhurave nga personat me të ardhura të larta.”

“Ky projekt ka qëllim të qartë dhe të rëndësishëm: të sigurojë që personat e pasur të kontribuojnë në mënyrë adekuate dhe të drejtë për financat e shtetit” – thuhet në njoftim.

ATK-ja thekson se fushëveprimi i këtij projekti do të jetë i shtrirë në kategorinë e personave si në vijim:

• Kategoria I – Personi, pasuria e të cilit është mbi 1 milionë euro deri në 5 milionë euro;
• Kategoria II – Personi, pasuria e të cilit është mbi 5 milionë euro deri në 10 milionë euro;
• Kategoria III – Personi, pasuria e të cilit është mbi 10 milionë euro deri në 20 milionë euro; dhe
• Kategoria IV – Personi, pasuria e të cilit është mbi 20 milionë euro.

“Përmes këtij projekti synohet që të reduktohet evazioni tatimor dhe të përmirësohet efikasiteti i sistemit të tatimeve për personat e pasur. Ky projekt do të sjellë transparencë, drejtësi dhe njëkohësisht do të krijojë një bazë më të qëndrueshme të burimeve për të investuar në sektorë kyç të zhvillimit ekonomik dhe social të vendit” – thuhet në njoftimin e ATK-së.