Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kryeministri Kurti: Qeveria me prioritet po e trajton trashëgiminë kulturore islame

Kryeministri Albin Kurti ka lavdëruar punën që ekzekutivi i vendit është duke bërë për ruajtjen, restaurimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore islame.

Kurti ka thënë se trashëgimia kulturore islame zë vend të veçantë brenda mozaikut kulturor shumëngjyrësh të shtetit tonë.

Përmes një postimi në Facebook, kryeministri Kurti ka thënë se Qeveria që ai drejton po e trajton me përkushtim të lartë këtë pjesë të trashëgimisë.

Kurti thotë se bashkëpunimi me partnerët zhvillimorë dhe komunitetin po sjell rezultate të prekshme.

“Pas një dekadë zvarritje, kanë përfunduar punimet në Xhaminë e Çarshisë në Prishtinë. Një nga asetet kapitale të vendit, Hamami i Gazi Mehmed Pashës në Prizren po i nënshtrohet restaurimit të tërësishëm. Pas ndërhyrjeve me karakter shpëtimi, kemi nisur përgatitjet për hartimin e projektit të konservimit për Xhaminë e Mazhiqit në Mitrovicë”- ka shkruar ai.

Sipas Kurtit, derisa para disa muajsh në Dunav të Gjilanit u inaugurua xhamia e restauruar që mban emrin e një figure të madhe si Mulla Idris Gjilani, në anën tjerë ka vazhduar ai, punimet janë drejt finalizimit në njërën nga xhamitë më të vjetra, atë të fshatit Drenoc në Deçan.

“Ndërhyrje restauruese kemi zhvilluar edhe në Hamamin e qytetit në Mitrovicë, Teqen e Sheh Litës dhe Teqen e Sheh Banit në Gjakovë, Xhamitë në Velekincë, Llovcë, Gërmovë e Carrabreg, Xhaminë e Osman Efendisë dhe Tyrben në Novobërdë. Në procedurë janë hartimi i projekteve të restaurimit për Xhaminë e Suudi Efendisë në Prishtinë, Xhaminë e Qokut në Junik dhe rrënojat e xhamive në Burojë e Orllan”- ka shkruar Kurti në Facebook.

Përmes programit të restaurimit, ka thënë Kurti, po mbrohen vlerat e trashëgimisë fetare dhe po vihen në shërbim të vizitorëve.