Liqeni i Radoniqit

Deri 100 Euro Pakot e Dhuratave të 'Radoniqit'

Punonjësit e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Radoniqi” në Gjakovë dhe disa nga skamnorët e kësaj komune do t’u gëzohen pakove të dhuratave për festat e fundvitit.

Në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ për Prokurim Publik (KRPP)kjo kompani ka publikuar thirrjen për kontratë përmes së cilës tregon se do të blejë dhurata për Vitin e Ri.

“Radoniqi” për këto dhurata planifikon të shpenzojë 9 mijë e 500 euro.

Kompania “Radoniqi” tregoi për KALLXO.com se do t’u japë dhurata 310 punëtorëve të saj dhe 30 familjeve me gjendje të vështirë materiale.

“Planifikohen të blihen 340 dhurata në total. Për 310 punëtorët e KRU ‘Radoniqi’Sh.A  dhe për 30 familje me asistence sociale,” thuhet në përgjigjen e kompanisë me anë të postës elektronike.

Kompania tregon edhe çfarë vlere do të kenë pakot e dhuratave.

“Planifikohen te blihen deri ne 20.00 € për punëtorët dhe  deri 100.00 € për familje me asistence sociale,” thuhet në përgjigje.

KALLXO.com e ka pyetur kompaninë se çfarë do të përmbajnë këto pako dhuratash dhe a do të ketë në to prodhime të vendit, por nuk ka marrë përgjigje për këto çështje.

Ende nuk dihet se sa nga shuma e përcaktuar për këto dhurata do të shpenzojë kompania “Radoniqi”, pasi për një gjë të tillë duhet të pritet përfundimi i këtij aktiviteti të prokurimit.

Kompania tha për KALLXO.com se edhe në vitet e kaluara ka shpërndarë dhurata.

KALLXO.com më herët gjatë këtij viti shkroi edhe për dhurata tjera që institucionet u blenë punonjësve dhe në disa raste edhe mysafirëve të tyre.

Komuna e Klinës u bleu mësimdhënësve të pensionuar si dhurata 20 orë dore në vlerën prej 1000 eurove.

KALLXO.com raportoi më 15 nëntor se Ministria e Integrimit bleu 50 ombrella në vlerën e 875 eurove si dhurata për personalitetet e larta që vizitojnë Kosovën.

Çmimi i një ombrelleje të tillë i binte të jetë 17.5 euro, edhe pse në tregun kosovar ka ombrella shumë më të lira.

http://kallxo.com/ministria-paguan-17-5-euro-per-nje-cader/

Edhe në mars të vitit 2016 KALLXO.com shkroi në lidhje me shpenzimin e 5 mijë eurove nga Agjencia Kosovare e Privatizimit për ndejën e fundvitit për 197 të punësuar, duke përdorur edhe pije alkoolike në menynë e publikuar.

http://kallxo.com/akp-raki-me-para-publike-per-vit-te-ri/