Dardan Molliqaj - Foto: Facebook/DardanMolliqaj

Dardan Molliqaj preferon debatin televiziv për përballje me Glauk Konjufcën

Përplasja e shokëve të dikurshëm nuk ka mbaruar me padinë për shpifje që deputeti i VV-së, Glauk Konjufca e ka dërguar në gjykatë ndaj Dardan Molliqajt deputet i PSD-së, pasi që ky i fundit e akuzoi se ka qenë pjesëtarë i organizatës SHIK.

Në reagimin e tij Molliqaj ka preferuar që përballja të bëhet në një debat televiziv duke e lënë Konjufcën të zgjedh vendin dhe kohën.

“Glauk Konjufca paska thënë që deklaratat e mia janë shpifje dhe se e kam përdorë Kuvendin për shkak të imunitetit. Për ta ”shfajësuar” vetën, më paska paditur. Nëse Glauku dhe udhëheqësit e tjerë të Sektit e paskan problem Kuvendin aty ku unë preferoj të ballafaqohemi, atëherë e ftoj Glaukun që ta zgjedhë vet vendin dhe kohën për një përballje televizive kudo që ai donë dhe aty i qesim në shesh të gjitha”, ka shkruar Molliqaj në Facebook.

Tutje Molliqaj ka thënë se nëse shoku i tij i dikurshëm nuk është i guximshëm për debat televiziv, mund të vazhdojnë përballje në Kuvend.

“E nëse ai nuk guxon të ballafaqohet në debat televiziv, atëherë shihemi prap në Kuvend” ka shkruar tutje Molliqaj.

https://kallxo.com/glauk-konjufca-mezi-pres-te-perballem-ne-gjykate-me-dardan-molliqajn/

Të shtunën e kaluar, kur e mori fjalën në seancën e Kuvendit të Kosovës, gjatë një polemike, Molliqaj tha se Konjufca ka qenë për një vit anëtar i Shërbimit Informativ të Kosovës (ShIK), ish-organ i zbulimit i afërt me PDK që zyrtarisht pushoi së operuari në qershor të vitit 2008.

Një deklaratë të tillë, Molliqaj e ka përsëritur edhe në një televizion të Kosovës.

https://www.youtube.com/watch?v=dhPzr4ac_gw&feature=youtu.be

“Jam këtu për ta paditur shpifësin Dardan Molliqaj i cili ka thënë edhe në Kuvend të Kosovës, por sa për Kuvend të Kosovës ai ka imunitetin, nuk kisha pasë çka m’i ba, por sa i përket deklaratës në njërin nga televizionet tona publike se unë kam qenë punëtor i SHIK-ut dhe kam punuar për SHIK-un”, tha Konjufca të enjten në Pallatin e Drejtësisë.

https://kallxo.com/dardan-molliqaj-glauku-ka-qene-nje-vit-ne-shik/

“Është një shpifje e patolerueshme e cila dënohet me ligjet e Kosovës. Ky ka qenë një mashtrim për të cilin ai duhet të japë llogari”, shtoi ai.

“Ai (Molliqaj) ka thënë publikisht që unë duhet ta demantoj. Unë jo që po e demantoj, por po e padis dhe i bëj thirrje nga pallati i Drejtësisë që t’i publikojë krejt çka ka për SHIK-un dhe krejt çka ka për mua. Kjo ftesë është publike. Mezi po pres të përballem me të në gjykatë për pretendimet e tij. Unë nuk kam tjetër çka ofroj pos deklaratës së tij të shpifjes”, tha Glauk Konjufca.

Pavarësisht mungesës së besimit në gjykatat e vendit, Konjufca shtoi se kjo lëndë i përket një kontesti civil.

“Gjykata janë të kapura por kjo është një kontest i thjeshtë civil, është e karakterit civil. Kjo është një shpifje. Ne në Parlament kemi miratuar ligj për shpifje”, tha Konjufca.

“Një person i cili thotë diçka për të cilën nuk ka argumente dhe nuk ka mbulesë, nuk ofron fakte, është shpifje, ai në Republikën e Kosovës dënohet. Dënime të tilla ka pasë plot deri tash dhe unë jam në gjendje t’I sjell më shumë se 1000 njerëz për ta argumentuar të vërtetën, ndërsa Dardani (Molliqaj) mendoj që nuk mundet me sjellë asnjë njeri në gjykatë për me e mbrojë gënjeshtrën. Bile mendoj që as familja e tij nuk do të dalë në këtë rast kundër meje”, tha Glauk Konjufca.

Dardan Molliqaj, bashkë me 11 deputetë të tjerë të VV-së që nga fillimi i vitit të kaluar kanë dalë në PSD duke formuar grup të veçantë parlamentar.