Bizneset shqiptare në Zvicër pas dështimit në Interpol, kanë disa lutje

Rrjeti i Bizneseve Shqiptare në Zvicër ka kërkuar që të bojkotohen të gjitha prodhimet e Serbisë, dhe ka lutur të gjithë bashkatdhetarët që gjatë udhëtimeve mos të kalojnë nëpër këtë shtet.

Ky reagim është bërë pas dështimit të Kosovës në Interpol, ku është fajësuar “propaganda serbe” pas të cilës  Qeveria e Kosovës dje ka ngritur taksën për 100 përqind për produktet e Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës.

Kryetar i RrBShZ, Qamil Isufi përmes një komunikatë ka thënë se taksa ndaj prodhimeve serbe duhet të “fuqizohet” , sipas tij me bojkot total të prodhimeve, mallrave dhe shërbimeve serbe.

“Të indinjuar thellë me propagandën dhe shpifjet e një pasnjëshme, sidomos këto të fundit nga Serbia për mos pranimin e Republikës së Kosovës në organizatën për siguri ndërkombëtare INTERPOL, Kryesia e RRJETIT TË BIZNESEVE SHQIPTARE NË ZVICËR, i fton të gjithë anëtarët e saj, t’i bojkotojnë të gjitha prodhimet nga Serbia”, thuhet në këtë komunikatë.

Isufi u ka bërë thirrje edhe të gjithë mërgimtareve të mos shfrytëzojnë piken kufitare në Serbi, në mënyrë që të mos financohet ky shtet nga shqiptarët.

“Gjithashtu, ju bëjmë thirrje të gjithë bashkëatdhetarëve tonë, të gjithëve juve që udhëtoni për në atdhe, të mos kaloni nëpër Serbi. Ne nuk duhet të financojmë me asnjë cent Serbinë, si shtet me premisa të theksuara Aparteidi kundër Republikës së Kosovës, por edhe të shqiptarëve në përgjithësi. Blerja e vetëm një litëre karburant, pako duhan apo një akulloreje, do ta ndihmojë, forcojë këtë shtet, për të na luftuar në çdo iniciativë politike, kulturore, sociale, sportive etj”, thuhet në këtë njoftim të Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicër