Një javë bojkot nga zyrtarët serbë: Situatë e paqartë në veri të Kosovës

Janë bërë një javë që nga dita kur kryetari i Listës Serbe kumtoi para të pranishmëve në mbledhjen e mbajtur në Komunën e Zveçanit se të gjithë zyrtarët serbë që punojnë në institucionet e Kosovës do të ofrojnë dorëheqjen si shenjë revolte pas suspendimit të drejtorit të policisë në veri të vendit, Nenad Gjuriq.

Dita e shtunë (5 nëntor 2022) mblodhi krerët e policisë në veri të Kosovës, gjyqtarë, prokurorë, kryetar komunash, e deputetë të Listës Serbe në një takim në të cilin do të vendosej se çfarë kundër-masash do të merreshin pasi Policia e Kosovës aprovoi rekomandimin e Inspektoratit Policor të Kosovës për të suspenduar Nenad Gjuriq nën dyshimet se sabotoi vendimin e Qeverisë së Kosovës, e bëri thirrje për rezistencë kur tha se nuk do të shqiptoj asnjë polic ndonjë qortim për qytetarët serb.

Kryetarët e komunave me shumicë serbe, deputetët e Listës Serbe, Shefi i operativës në polici veri, Foto: KALLXO.com

Të shtunën e kaluar nisën dorëheqjet e para. Fillimisht pas suspendimit, Drejtori i Policisë në veri të Kosovës, Nenad Gjuriq në një konferencë së bashku me deputetët e Listës Serbe, mbrëmjen e së premtes (4 nëntor) deklaroi se do të dorëhiqet nga Policia e Kosovës.

Të shtunën vepruan ngjashëm kolegët e tij, komandantët e stacioneve policore në veri të Mitrovicës e edhe shefi i operativës.

Momenti kur komandantët e policisë zhveshën uniformat pasi lajmëruan se dorëhiqen nga policia, Foto: KALLXO.com

Në po të njëjtën ditë filluan shumë zyrtarë policorë të dorëzojnë në stacionet policore ku kanë punuar letër- dorëheqjet e tyre, për të vazhduar më pas edhe zyrtarë të tjerë të institucioneve të tjera.

Dorëheqjet erdhën si rezultat i suspendimit të Gjuriq nga pozita që mbante pasi që i njëjti pohoi se nuk do ta zbatonte vendimin e Qeverisë së Kosovës në të cilin ishin paraparë disa faza deri te regjistrimi i targave me RKS.

Zyrtarët policorë serb duke dorëzuar fletë-dorëheqjet e tyre, Foto: KALLXO.com

Targat problem ndër vite

Çështja e targave vazhdimisht ka qenë problematike që më pas është manifestuar me rezistencë nga qytetarët e veriut të Mitrovicës.

Në vitin 2011 në Bruksel, fillimisht ishte nënshkruar një marrëveshje për lirinë e lëvizjes midis Kosovës dhe Serbisë.

Aty parashihej që targat serbe me shenjat e qyteteve të Kosovës, si PR (Prishtinë), GL (Gjilan) KM (Mitrovicë), të hiqen ndërsa të vendosen ato me RKS (Republika e Kosovës) ose me status neutral – KS (Kosovë).

“Të gjithë pronarët e makinave me vendbanim në Kosovë do të përdorin targa RKS ose KS. Ato do të lëshohen nga autoritetet përgjegjëse në Kosovë” – thuhej në pikën 7 të Marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes.

Por, pavarësisht kësaj marrëveshje, në katër komunat e veriut të Kosovës, ku shumica e popullsisë është serbe, qytetarët kanë vozitur makina me targa si “KM”, “BG”, të lëshuara nga Ministria e Brendshme e Serbisë.

Marrëveshja teknike për lirinë e lëvizjes e vitit 2011, është finalizuar në Bruksel më 14 shtator 2016, kur Kosova ka rënë dakord që të zgjasë vlefshmërinë e targave KS edhe për pesë vite të tjera.

Periudha pesëvjeçare ka përfunduar vitin e kaluar, më saktësisht më 15 shtator 2021.

Pesë ditë pas kësaj, rrugët kryesore të veriut të Kosovës që të dërgonin drejtë pikave 1 dhe 31 Bërnjakut e Jarinjes, ishin bllokuar nga makineri të shumta e të rënda.

Automjetet e qytetarëve ser të cilët kanë bllokuar rrugët në dy pikë-kalimet Kufitare, në Jarinjë dhe në Bërnjak – FOTO KALLXO.com

Të vendosura nga qytetarët serbë të cilët jetojnë në veri të Kosovës, barrikadat qëndruan aty për 13 ditë.

Qytetarët po kundërshtonin masën e re të ndërmarrë nga Qeveria e Kosovës, atë kohë për reciprocitet me targa.

Bllokadat në Jarinje Foto: KALLXO.com

Tensionet e krijuara në atë periudhë bënë që të arrihet një marrëveshje e re. Dy shtetet, Kosova e Serbia do të mbulonin simbolet shtetërore të veturave që futen te njëra-tjetra.

Barrikadat u tërhoqën për tu vendosur sërish në korrik të këtij viti (31 korrik).

Bllokadat erdhën një ditë para se të hynin në fuqi dy vendime të Qeverisë së Kosovës që kishin të bëjnë me targat dhe dokumentet serbe.

Qeveria kishte marrë vendim se më 1 gusht do të nisë lëshimi i të ashtuquajturave dokumente për hyrje-dalje për të gjithë shtetasit e Serbisë që hyjnë në Kosovë. Ky dokument do të lëshohej në të gjitha pikë-kalimet tokësore dhe ajrore dhe do të jetë i vlefshëm për 90 ditë, ashtu sikurse dokumenti që autoritetet serbe lëshojnë për shtetasit e Kosovës kur të hyjnë në Serbi.

Me këtë dokument do të pajiseshin edhe personat nën 16 vjeç që nuk kanë dokument identifikimi, por që duhet të kenë certifikatë të lindjes.

Targat ishin sërish pikënisje për tensione të reja në veri të Kosovës.

Qeveria e Kosovës mori vendim që të jap një afat sërish për regjistrimin e targave me akronimet e qyteteve në veri të vendit me targa RKS.

Vendimi parasheh zbatimin në disa faza.

Faza e parë e periudhës parasheh qortimin e qytetarëve serb të cilët edhe rekomandohen kur u shqiptohet fletë-qortimi që të regjistrojnë veturat e tyre me targa RKS.

Kjo periudhë parashihet të zgjas deri më 21 nëntor. Faza e dytë është ajo e gjobitjes. Për dy muaj qytetarët të cilët do të kenë targa ilegale do të gjobiten nga policia.

Faza e tretë e cila parashihet të nisë nga 21 janari deri më 21 mars parasheh targa provuese ndërsa më tutje të gjithë qytetarët do të obligohen të regjistrojnë veturat me RKS.

Nisja e qortimeve për qytetarët serb që jetojnë në veri të Kosovës u bë kryesisht nëpër pika kufitare. Kjo pasi që tashmë ish-drejtori i Policisë në veri të Kosovës, Nenad Gjuriq mohoi se do të shqiptoj qortime për qytetarët serb apo komunitetin të cilin përfaqëson.

Kjo më pas bëri që i njëjti të ndiqet penalisht për sabotim e thirrje për rezistencë.

Qindra zyrtarë policorë, deputetë, asamblistë, kryetarët e komunave me shumicë serbe, doganierë, gjyqtarë e prokurorë të ofronin dorëheqjet e tyre si shenjë bojkoti ndaj vendimit për suspendimin e Gjuriq.

Djegia e veturave me RKS në veri

Policë e qytetarë në veri të Kosovës kanë raportuar te organet e rendit djegien e veturave, stallave e shtëpive të tyre pasi i ishin nënshtruar regjistrimit të automjeteve me targa RKS.

Foto: Bojan Bozoviq/ Facebook

Deri më sot ende nuk ka ndonjë të dhënë zyrtare se çfarë ka ndodhur ose a ka persona të identifikuar për djegien e veturave të policëve dhe qytetarëve të tjerë.

Gjendja në veri të Kosovës

Katër stacionet e forcave të rendit kryesore në veri të vendit në Leposaviq, Zveçan, Mitrovicë e Veriut dhe Zubin Potok, si dhe nënstacionet policore janë duke funksionuar me zëvendësime të zyrtarëve policor.

zubin potok stacioni
Stacioni Policor Zubin Potok, Foto: KALLXO.com

Kjo si pasojë e dorëheqjes së zyrtarëve policorë serb nga detyrat e tyre që nga fillimi i kësaj jave.

Në këto stacione zëvendësimet e policëve janë bërë kryesisht nga rajonet Skenderaj, Vushtrri e Mitrovicë e Jugut.

KALLXO.com gjatë gjithë javës ka qëndruar në veri të Kosovës për të sjellë nga afër zhvillimet që po ndodhin atje.

Zyrtarët policorë, nga 6-7 të tillë janë pozicionuar në çdo stacion policor ndërsa në qytetet nuk shihen patrullime.

Policët zëvendësues janë udhëzuar që të mos rrinë jashtë stacioneve policore në mënyrë që të mos jenë cak i ndonjë incidenti.

Në anën tjetër njësitë speciale të Kosovës janë vazhdimisht duke qëndruar në Kampin “Belvedere” i cili gjendet në jug të Mitrovicës.

Përveç kampit, njësitë speciale shihen edhe në afërsi të pikave kufitare Jarinjë e Bërnjak. Ata janë udhëzuar që të monitorojnë situatën në këto pika kufitare.

Njësitë Speciale Kufitare ka muaj tashmë që kanë krijuar bazën e tyre në afërsi të pikave kufitare. Ata janë atje vazhdimisht.

Ngjashëm sikurse stacionet policore po funksionojnë edhe pikat kufitare.

kufi bernjak policia
Njësia Speciale Kufitare e vendosur pak metra larg kufirit Bërnjak, Foto: KALLXO.com

Pa doganierë e policë serbë, zyrtarë policor kufitar janë dërguar si zëvendësime nga pika të tjera kufitare si Merdarë e Dheu i Bardhë.

Në monitorim të situatës është parë vazhdimisht edhe KFOR-i e EULEX-i. Këto dy autoritete të sigurisë që kanë mision paqeruajtës në Kosovë po qëndrojnë vazhdimisht nëpër rrugët e veriut të Kosovës për të ofruar rend dhe siguri që të mos ketë tensione të reja.

Veriu i Kosovës është mbushur me flamuj serb në çdo cep e çdo shtëpi.