Bojkoti nga Lista Serbe dhe legjitimiteti i zgjedhjeve në katër komunat në veri

Situata e sigurisë ndryshoi në dhjetor të vitit të kaluar kur në zyret e Komisionit Komunal Zgjedhor tentuan të nisnin punën zyrtarët e lartë të përzgjedhur nga Komisioni Qendror Zgjedhor për zgjedhjet që ishin planifikuar të mbaheshin më 18 dhe 25 dhjetor 2022.

Zyra e KKZ-së, në Mitrovicën Veriore ishte sulmuar me granata e mjete të tjera shpërthyese, ndërsa për këtë çështje ishte arrestuar ditë më pas edhe një ish- pjesëtar i Policisë së Kosovës.

Arrestimi i Pantiqit u shoqërua me incidente, e tensione të larta, u lëshuan sirena, pati sulme ndaj gazetarëve, policëve, shpërthime edhe barrikadim të rrugëve me makineri të rënda.

Zgjedhjet e parakohshme në komunat në veri të vendit pas qindra dorëheqjeve krijuan tensione atje.

Një raport i Policisë së Kosovës për situatën e sigurisë atje u dërgua në Komisionin Qendror Zgjedhor, më pas ky raport u dorëzua edhe në Presidencë.

Kjo më pas ndikoi që zgjedhjet të shtyheshin me vendim të Presidentes Vjosa Osmani.

KALLXO.com ka kërkuar nga Policia e Kosovës përgjigje nëse deri tash është bërë një vlerësim i ri për situatën e sigurisë përkitazi me zgjedhjet që priten të mbahen në prill në katër komunat në veri të Mitrovicës.

Policia i ka thënë KALLXO.com, se ndërmerr veprime konform autorizimeve ligjore dhe kushtetuese.

Edhe në organizimin e zgjedhjeve lokale në veri Policia ka thënë se do të planifikoj me kohë, planin e veprimit dhe do të ndërmarrë masat e nevojshme që parashihet për të ofruar rend dhe siguri, para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor.

Komisioni Qendror Zgjedhor deri në publikimin e këtij shkrimi, nuk i është përgjigjur kërkesave të KALLXO.com nëse kanë arritur që të bëjnë vlerësimin e mbajtjes së zgjedhjeve në veri të Mitrovicës.

KQZ nuk dha detaje edhe nëse kanë arritur që të funksionalizojnë Zyrën e Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicën Veriore e cila ishte demoluar dhe ishte jashtë funksionit për disa muaj.

Kjo për shkak të dëmeve materiale që u shkaktuan nga sulmi me mjete shpërthyese.

Madje një mjet shpërthyes me të cilën është sulmuar kjo zyrë ishte asgjësuar nga KFOR-i.

Në anën tjetër në këto zgjedhje ka refuzuar që të marrë pjesë partia më e madhe e cila përfaqëson serbët në katër komunat me shumicë serbe në veri të Mitrovicës.

Lista Serbe, nuk ka kandiduar në zgjedhjet e parakohshme që pritet të mbahen më 23 prill 2023

Mbajtja e zgjedhjeve lokale të 23 prillit në Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut pa pjesëmarrjen e partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, Lista Serbe, nga organizatat e shoqërisë civile në Kosovë  po vlerësohet se do të ndikoj dukshëm në numrin e votuesve në këto komuna.

Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçanit dhe Zubin Potokut kanë mbetur pa kryetar të komunave që nga nëntori i vitit të kaluar, kur kryetarët e këtyre komunave që qeveriseshin nga Lista Serbe braktisen institucionet e Kosovë për shkak vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa serbe.

Këto zgjedhje u caktuan më 18 dhjetor 2022, mirëpo mbarëvajtja e tyre qe e pamundur për shkak të përshkallëzimit të situatës më 10 dhjetor2022, datë në të cilën u arrestua ish-polici Dejan Pantiq, nën dyshimet se kishte marrë pjesë në një sulm ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Mitrovicë të veriut.

KALLLXO.com ka kontaktuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të kuptuar nëse është rregulluar zyra e këtij institucioni në Mitrovicë të Veriut, mirëpo deri në publikimin e këtij teksti nuk kanë dhënë përgjigje.

Keqardhje për mospjesëmarrjen e kësaj partie në zgjedhjet e 23 prillit 2023 kanë shprehur Bashkimi Evropian dhe Vendet e QUINT-it (Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia).

Ndërsa arsyetimi i Listës Serbe se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje për shkak të “pasojave të dhunës së vazhdueshme institucionale”, të cilat “i zbaton regjimi i Albin Kurtit”.

“Para së gjithash, për shkak të mos përmbushjes së kërkesave tona të qarta, të cilat ishin arsye pse u larguam nga institucionet e Kosovës, përkatësisht formimi i Asociacionit të komunave serbe dhe tërheqja e të gjitha forcave speciale nga veriu i Kosovës”, thuhej në njoftimin e partisë.

Radakoviq: Pjesëmarrja e vogël, pikëpyetje për legjitimitetin e kryetarit të ri

Dusan Radakoviq, drejtor i organizatës joqeveritare Qendra e Avokimit për Kulturë Demokratike (ACDC), në një prononcim për KALLXO.com, ka thënë se mungesa e kandidatëve serb për kryetarë të Komunave, qytetarëve të këtyre 4 komunave do të ndikonte në daljen në votim.

“Nëse nuk ka kandidat serb, sikurse nuk ka në Zubin Potok dhe Mitrovicë Veriore pothuajse edhe në komunat e tjera nuk ka, do të dilnin numër shumë i vogël i komunitetit serb, është në pikëpyetje legjitimiteti i atij kryetari pavarësisht se a është shqiptar apo serb”- tha ai.

Sipas Radakoviq pjesëmarrja e serbëve duhet të sigurohet edhe nëpër komisione qendrore zgjedhore, sepse në të kundërtën kjo do të shkaktonte bojkotim.

“Nëse nuk ka serb në komisionet zgjedhore në çdo vendvotim, në këtë moment mendoj që të do të ketë bojkotim total, dhe serbët nuk do të dalin për të votuar, nuk e di cili do të jetë integriteti i kryetarëve të ardhshëm”- tha ai.

Radakoviq ka treguar për ‘skenarët’ që ka dëgjuar sesi do të organizohen këto zgjedhje për të cilat ai mendon që nuk është e duhura.

“Zgjedhjet do të bëjnë përpjekje që në çdo mënyrë t`i organizojnë, e di që dje kanë pasur mbledhje KQZ, zyra e KQZ në nivel lokal do të bëhet në ndërtesën e komunës së Mitrovicës Veriore, e për komunat të tjera kam dëgju që do të bëhet në stacionet policore për shkak të sigurisë së të gjitha gjërave të tjera”- tha ai.

“Personalisht mendoj që një gjë e tillë është kundërligjore, vështirë që vinë qytetarët edhe me pyet në këto stacione. Nuk e di nëse ka procesi ndonjë përkrahje nga Brukseli, nuk e di a to të ipen shkollat për t`u mbajtur këto zgjedhje, nuk shoh mundësi ku do të votohet”- theksoi Radakoviq.

Cakolli: Shtyrja e sërishme e zgjedhjeve, precedent i rrezikshëm

Eugen Cakolli, hulumtues nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se pavarësisht mospjesëmarrjes së Listës Serbe, zgjedhjet e 23 prillit duhet të mbahen.

“Zgjedhjet duhet të mbahen dhe pavarësisht mospjesëmarrjes së LS procesi nuk mund dhe nuk do të shtyhet për shkak që do të krijohej një precedent i rrezikshëm ku datën e zgjedhjeve e përcaktojnë subjektet politike që janë pjesë e garës dhe në këtë mënyrë mund të pengojnë edhe funksionimin kushtetues të institucioneve”- ka thënë ai.

Tutje Cakolli ka theksuar se mungesa e kandidatëve të Listës Serbe mund të ndikoj në dalje të vogël të qytetarëve në votim.

“Mospjesëmarrja e Listës Serbe në zgjedhjet e 23 prillit, duke qenë partia më e madhe e komunitetit serb sigurisht që do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në procesin zgjedhor por që do të jetë i kufizuar vetëm tek aspekti i daljes së votuesve duke ditur që LS ka pasur mbi 95 % të votave në mesin e atyre 70-80 për qind të votuesve nga radhët e komunitetit serb që kanë votuar në pjesën veriore”- tha ai.

Sipas tij, Legjislacioni në Kosovë nuk parasheh asnjë lloj pragu në mënyrë që zgjedhjet që konsiderohen të ligjshme.

“Mjafton që të ketë edhe një votues i vetëm në mënyrë që zgjedhjet të jenë valide. Problemi do të jetë se çfarë do të ndodhë me institucionet e prodhuara pas zgjedhjeve duke ditur që në fakt edhe synimi i LS ka qenë kontestimi i legjitimitetit të institucioneve të reja më shumë sesa vet procesi zgjedhor”- theksoi ai.

Kush po synon t`i marr bastionet e Listës Serbe?

Në mesin e kandidatëve për kryetar të këtyre katër komunave  të certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më 22 mars, janë edhe dy gra.

Garës për të drejtuar Komunën e Leposaviqit nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i ka hyrë kandidatja Albulena Behluli Hetemi.

Ajo kundërkandidat do t`i ketë Aleksandar Jabllanoviq nga Patrija Kosovskih Srba dhe Lulzim Hetemin nga Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).

Për Komunën e Zubin Potokut janë vetëm dy kandidatë, Flatron Hasani nga LVV dhe Izmir Zeqiri nga PDK.

Ndërkaq për Komunën e Zveçanit janë 3 kandidatë, Ilir Peci nga PDK, Sladjana Pantoviq kandidate e pavarur dhe Fetah Peci nga LVV.

Për Komunë e Mitrovicës së Veriut, garës i ka hyrë Betim Osmani nga Inciativa Qytetare Mitrovica, Taulant Kelmendi nga PDK, si dhe nga LVV Erden Atiq.