Gjykata e Mitrovicës - Foto: KALLXO.com

Mediat raportojnë se gjyqtarët serbë, bojkotojnë punën në veri të Mitrovicës

Gjatë ditës së sotme, nëpër media po qarkullon lajmi se gjyqtarët e nacionalitetit serb që shërbejnë në Gjykatën e Mitrovicës në Veri, e kanë bojkotuar punën në shenjë revolte lidhur me vërtetimin e dënimit të ish ministrit serb, Ivan Todosijeviq.

Ditën e djeshme Gjykata e Apelit ja vërtetoi dënimin prej dy viteve burgim, ish-ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviq, të dënuar për nxitje të urrejtjes dhe përçarjes.

Pas vërtetimit të dënimit sipas lajmeve që po qarkullojnë në media, gjyqtarët e nacionalitetit serb, kanë vendosur ta bojkotojnë punën në Gjykatën e Mitrovicës në Veri, me arsyetimin se është shkelur marrëveshja e Brukselit, me anë të së cilës parashihet që në lëndët ku palë janë personat e nacionalitetit serb, trupi gjykues duhet të përbëhet prej dy gjyqtarëve serbë dhe një gjyqtari shqiptar.

Madje Todosijeviq duke u thirrur në këtë arsyetim para kolegjit të gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit kishte kërkuar përjashtimin e kolegjit të gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit dhe kishte kërkuar që kjo çështje të zhvillohej në divizionin e Gjykatës së Apelit në Mitrovicë, mirëpo kjo kërkesë ishte refuzuar.

“Kolegji i Gjykatës së Apelit, nuk është i përbërë sipas marrëveshjes së Brukselit dhe sipas rregullores së punës së Gjykatës, kolegji i Gjykatës së Apelit duhet të përbëhet nga dy gjyqtarë serb dhe një gjyqtar i një kombësie tjetër. Kjo vlen nëse një vepër penale është kryer në një komunë, ku shumica e popullsisë është serbe dhe nëse është kryer nga një serb, si në këtë rast”, kishte deklaruar mbrojtësi i Todosijeviq, avokati Nebojsa Vlajiq.

Lidhur me lajmet që kanë qarkulluar në media, KALLXO ka provuar që të kontaktoj me kryetarin e Gjykatës së Mitrovicës, Nikolla Kabashiq, si dhe me kryesuesin e Këshillit Gjyqësor, Albert Zogajn por që të dy kanë qenë të pa qasshëm nga ekipi ynë.

I kontaktuar nga KALLXO.com, nënkryetari i Gjykatës së Mitrovicës, Ali Kutllovci ka thënë se është në një udhëtim zyrtar dhe momentalisht nuk ka informacion lidhur me këtë çështje.

Ndërsa në një përgjigje të shkurtër të pranuar nga sekretari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Shkelzen Maliqi, për KALLXO.com, shkurt është thënë se KGjK momentalisht nuk ka informacione zyrtare lidhur me këtë çështje.

Më 5 dhjetor 2019, Gjykata e Prishtinës i kishte shqiptuar dënimin me dy vjet burg efektiv ish-ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviq.

Ai është gjetur fajtor nga Gjykata e Prishtinës, për një deklaratë të dhënë vitin 2018, me të cilën e quante trillim masakrën e Reçakut të 15 janarit 1999, ku forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë.

Në korrik të vitit 2019, Prokuroria e Prishtinës kishte ngritur aktakuzë kundër ish ministrit të MAPL-së, Ivan Todosijeviq për nxitje të urrejtjes dhe përçarjes.

Sipas Prokurorisë, Todosijeviq në cilësi të ministrit me dashje, ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje, përçarje dhe mosdurim midis grupeve kombëtare, racore dhe etnike që jetojnë në Republikën e Kosovës.

Në aktakuzë thuhet se, Todosijeviq në cilësinë e pjesëmarrësit dhe folësit në tubimin qytetar kundër intervenimit të NATO-s, ka thënë se masakra e Reçakut ishte trillim.

“Arsyeja për agresionin në shtetin tonë ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë e Metohi… Masakra e Reçakut ishte trillim… Janë terroristët shqiptarë që e trilluan gjithë këtë dhe bënë krimet më të mëdha në Kosovë e Metohi… Për këtë, sot e kësaj dite askush nuk ka dhënë përgjegjësi…Kanë bërë krime para agresionit të NATO-s, kanë vrarë shtëpiak të mirë serb dhe policë në vendin e tyre të punës… gjakëpirjen e tyre e kanë vazhduar edhe gjatë agresionit edhe pas ardhjes të së ashtuquajturës mision paqësor në Kosovë e Metohi”, kishte thënë Todosijeviq.

Pas kësaj deklarate, ish-kryeministri Ramush Haradinaj e kishte shkarkuar Todosijeviqin nga pozita e ministrit.