Logo e NP KRU" Prishtina"

KRU ‘Prishtina’ mbivlerësoi pasuritë dhe nuk regjistroi pronën mbi 1 hektarësh të dhuruar nga Qeveria

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” nuk ka menaxhuar si duhet pasuritë e ndërmarrjes, ka bërë të ditur Auditori i Përgjithshëm.

Sipas gjetjeve të Zyrës Kombëtare të Auditorit për pasqyrat financiare për vitin 2022, kompania tek pasuritë afatgjata si prona, ndërtesa dhe pajisje, kishte prezantuar vlerën 88,109,941 euro. Derisa, pas testimit të kësaj kategorie është identifikuar se kompania ka regjistruar si pasuri shtesë ndalesat e garancioneve për projekte kapitale.

Kompania kishte mbivlerësuar regjistrin e pasurive në vlerë 2,753,761 euro duke i regjistruar ndalesat e garancioneve si pasuri të veçanta.

“Kompania kishte regjistruar si pasuri shtesë në regjistrin e pasurive ndalesat e garancioneve (10%) që i bënte për projektet kapitale. Pra, kemi identifikuar se dy projekte kapitale fillimisht ishin të regjistruara një herë në kontabilitet në vlerën e saktë ndërsa pas përfundimit të projekteve, kompania vlerën e ndalesave për garancione e kishte regjistruar si pasuri shtesë në regjistrin e pasurive. Vlera e mbivlerësuara pasurive për dy projekte ishte 2,753,761 euro”- thuhet në raport.

Po ashtu, KRU Prishtina nuk ka regjistruar pronën me 1.12 hektarë që i ishte dhënë nga Qeveria në vitin 2014.

“Kompania nuk kishte regjistruar pronën me ngastrën nr. 836-4 në sipërfaqe rreth 1.12 hektar tokë e cila i është dhënë KRU Prishtinës me vendim të Qeverisë së Kosovës në vitin 2014. Kjo pronë ishte dhënë me qëllim të ndërtimit të fabrikës së ujit në fshatin Shkabaj” – thuhet tutje në raportin e ZKA-së.

Shkak i regjistrimit dy herë i pasurive në regjistër të pasurive ishte mospërcjellja e duhur nga departamenti i kontabilitetit.

Ndërsa mosregjistrimi i pasurisë -tokës, sipas kompanisë, ishte mungesa e informatave lidhur me bartjen e kësaj prone.

ZKA ka rekomanduar se Bordi i Drejtorëve duhet të ndërmerr veprime konkrete për të azhumuar regjistrin e pasurive duke i regjistruar pasuritë në vlera të sakta dhe të siguroj që pasuritë të cilat nuk i ka në regjistra, të regjistrohen në mënyrë që vlera e pasurive afatgjata të prezantohen drejtë dhe saktë në pasqyrat financiare.