Foto: Kallxo.com

Auditori: Aksionarët dhe Drejtorët e NPB-së u kompensuan me bonuse pa vendime përkatëse

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se Bordi i Drejtorëve dhe Aksionarët e Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB), ishin kompensuar pa vendime përkatëse të bazuar në dispozitat ligjore.

Sipas Raportit financiar të Auditimit për NPB-në për vitin 2021, më 13 nëntor 2020 Kuvendi Komunal i Prishtinës kishte marrë vendim për kompensimin e Aksionarëve të Ndërmarrjeve Publike, ku pika 4 e vendimit përcaktonte se të drejtë kompensimi kanë vetëm aksionarët e zgjedhur nga Kuvendi, duke përshjashtuar aksionarin e zgjedhur nga Kryetari i Komunës.

Aksionarët e një ndërmarrje publike lokale emërohen dy prej tyre nga Kuvendi Komunal dhe një nga kryetar i Komunës.

Auditori ka gjetur se NPB-ja në vitin 2021 kishte bërë pagesa në shumën prej 4 mijë e 752 euro, për 12 muaj, për Aksionarin e tretë të deleguar nga kryetari.

“Pagesa e bërë nga ndërmarrja ishte bazuar në vendimin e Komisionit Komunal të Aksionarëve (KKA) të datës 29.10.2020 ku kërkohej nga NPB që të bëjë kompensimet e Aksionarëve. Vendimi i tillë i datës 29.10.2020 bjen ndesh me vendimin e Kuvendit Komunal të datës 13.11.2020 i cili në pikën 4 përcakton se të drejtë kompensimi kanë vetëm aksionarët e zgjedhur nga Kuvendi i Komunës duke e përjashtuar aksionarin e zgjedhur nga Kryetari i Komunës”, thuhet në Raport.

Ndërsa në pikën e tretë të vendimit, thuhej se kompensimi aksionarit të tretë, duhej të bëhej nga buxheti i Komunës, me vendim të veçantë të kryetarit.

Por më pas, sipas Auditorit, Kuvendi Komunal ka bërë plotësim-ndryshimin e vendimit të datës 13 nëntor 2020.

“Vlen të theksohet se me datën 11.02.2021 Kuvendi Komunal i Prishtinës kishte nxjerr vendim për plotësim ndryshimin e vendimit për kompensim, respektivisht vetëm pikën 3, ku kërkohet që kompensimi i aksionarëve të bëhet nga Ndërmarrja Publike Lokale”.

Ndërsa, në emër të bonuseve, NPB-ja në vitin 2021 kishte kompensuar Aksionarët dhe Bordin e Drejtorëve në vlerë totale prej 2 mijë e 287 euro, pa vendim të Kuvendit Komunal.

“Këto kompensime nuk ishin në pajtim me kërkesat ligjit për ndërmarrje publike sepse kompensimet e tilla ishin bazuar në një shkresë të cilën Kryeshefi Ekzekutive e kishte bërë për Bordin Drejtues i cili pastaj e kishte aprovuar”, thotë Auditori.

Për më tepër, Auditori thekson se njëri nga anëtarët e Bordit të Drejtoëve ka qenë përfitues i trajnimeve të ndryshme, në vlerë prej 2 mijë e 34 euro.

“Sipas menaxhmentit të ndërmarrjes, pagesa e anëtarëve të Komisionit Komunal dhe Bordit të Drejtorëve është bërë me qëllimin të trajtimit të barabartë. Mirëpo, Kompensimet e tilla kishin ndodhur për shkak se Bordi i drejtorëve me datë 10.12.2021 kishte aprovuar kërkesën e Kryeshefit ekzekutiv për ndarjen e bonusit në emër të stimulit të performacës pozitive për vitin 2021 për Bordin Drejtues dhe Komisionin Komunal të Aksionarëve”.