ILUSTRIM: Dhuna në familje, Foto: Pixabay.com

Auditori: Sistemi shtetëror i mangët në mbrojtjen dhe rehabilitimin e rasteve të dhunës në familje

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në raportin e auditimit të performancës “Efektiviteti institucioneve në trajtimin e rasteve të dhunës në familje” për periudhën 2020-2022 ka gjetur se nuk janë arritur rezultate të kënaqshme për mbrojtjen dhe rehabilitimin e viktimave.

“Sistemi shtetëror ka mangësi në angazhimin e hetuesve primar, përfshirjen e mbrojtësve të viktimave, shqyrtimin e rasteve me kohë nga organet e drejtësisë, si dhe në regjistrimin e rasteve të raportuara. Po ashtu viktimat nuk kanë përkrahje sociale, në veçanti mungon përkrahja e tyre në aspektin ekonomik, si dhe mungojnë programet për trajtimin e kryerësve të veprave”- thuhet në këtë raport.

Procesi i auditimit po ashtu identifikoi mangësi edhe në angazhimin adekuat të  burimeve njerëzore, në procedurat e monitorimit dhe në mbështetjen e viktimave gjatë rehabilitimit.

“Gjatë intervenimit dhe ofrimit të shërbimeve emergjente, policia reagon në kohë optimale, por ka dobësi në angazhim të hetuesve policorë, mungesë e procedurave për monitorimin e urdhrave mbrojtës, mos përcjellje e informatës te mbrojtësit e viktimave si dhe dobësi në regjistrimin e rasteve”- potencon ZKA në raport.

Rezultatet e këtij raporti po ashtu shpërfaqin faktin se  gjykatat me vonesë i trajtojnë rastet e dhunës në familje.

“Gjykatat themelore ende ballafaqohen me bartje të lëndëve të pazgjidhura nga vitet paraprake, ku disa prej tyre janë që nga viti 2016. Procesi i trajtimit në procedurë penale te rastet e dhunës në familje merr kohë më shumë se një vit.  Po ashtu, vërehet mungesa e angazhimit institucional në regjistrimin e të dhënave në Data Bazën Nacionale për rastet e dhunës në familje”- thuhet në raport.

Në njoftimin e ZKA-së theksohet se lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca vlerësoi se është e domosdoshme rritja e angazhimit institucional për të trajtuar rastet e dhunës në familje dhe shpërndarja adekuate e burimeve.

“Spanca tha se zhvillimi i programeve gjithëpërfshirëse për rehabilitimin e viktimave, duke përfshirë mbështetjen psikologjike dhe kompensimet materiale është me rëndësi jetike. Me përpjekje të vazhdueshme dhe angazhime për ndryshim, institucionet përgjegjëse mund të krijojnë mjedis të atillë ku viktimat e dhunës në familje mbrohen, rehabilitohen dhe fuqizohen, duke kontribuar kështu në çrrënjosjen e dhunës në familje dhe në shoqëri”- thuhet në njoftimin e ZKA-së.

ZKA njofton se me qëllim të përmirësimit të sistemit shtetëror për mbrojtjen dhe rehabilitimin e rasteve të dhunës në familje,  dha gjithsej 19 rekomandime. Ndër këto, tri për Policinë e Kosovës, tri për Zyrën për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave, katër për Qendrat për Punë Sociale, dy për Prokurorinë Themelore, dy për Gjykatat Themelore si dhe pesë për Ministrinë e Drejtësisë.