Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hajdar Hoxha reagon pas shkarkimit nga NPB, e quan sulm politik e paralajmëron ankesë

Tashmë ish-kryeshefi i Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB) Hajdar Hoxha ka paralajmëruar se do të ndjek rrugët ligjore ndaj vendimit për shkarkimin e tij.

“Vendimet dhe sulmet e tilla politike, vetëm sa më kanë forcuar edhe më shumë bindjet dhe qëllimet e mia. E sigurisht që nuk do të lejojë që këto vendime dhe sulme jo të ligjshme dhe tendencioze të kalojnë pa u ndjekur të gjitha procedurat ligjore kundër tyre”, ka shkruar ai në Facebook.

Hoxha përmes një reagimi të gjatë ka thënë se punën e tij e ka kryer me profesionalizëm dhe përkushtim.

“Pra, synimi ka qenë tejet i qartë, NPB të bëhet sinonim i jetës së organizuar dhe të shëndetshme në Prishtinë, të njihet si shembull i përsosmërisë në shërbimet për qytetarët si dhe të jetë iniciatore e ndërtimit të një sistemi i cili do të mundësoj që të kemi politika të qëndrueshme për qytetin”, ka shkruar ai tutje.

Hajdar Hoxha është shkarkuar sot nga pozita e kryeshefit të Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB).

Më 4 nëntor 2021, në KALLXO.com është publikuar hulumtimi që pikërisht tregon për projektin e dyshimtë të Ndërmarrjes Publike Banesore, në vlerë 120 milionë euro, për ndërtimin e një kompleksi banesor në lagjen Lakërisht të kryeqytetit.

Në këtë hulumtim tregohet se si ish bordi i drejtorëve kishte shkarkuar kryshefin ekzekutiv të NPB-së, Hajdar Hoxhajn, në pretendimet për shkelje ligjore gjatë projektit në Lakërishte. Vendimi për shkarkimin e kryeshefit nuk ishte protokuluar nga stafi i NPB-së dhe si rrjedhojë tre ditë më pas, aksionarët e Ndërmarrjes kishin shkarkuar dy anëtarët e Bordit.

Shkarkohet kryeshefi i NPB-së (DOKUMENT)