Logo e NP KRU" Prishtina"

KRU Prishtina nuk ka struktura adekuate dhe plane të qarta për identifikimin e kërkesave të saj në fushën e Teknologjisë

Kompania Rajonale e Ujësjellësit ‘Prishtina’ nuk ka procedurë për identifikimin dhe specifikimin e kërkesave apo nevojave të Teknologjisë së Informacionit (TI) si dhe nuk ka plan të detajuar me të gjitha kërkesat apo nevojat e TI-së, si për ato aktuale ashtu edhe për ato të cilat janë identifikuar gjatë kryerjes të aktiviteteve dhe pritet të realizohen në të ardhmen.

Në një raport të auditimit të sistemeve të informacionit të KRU ‘Prishtina’ thuhet se në mungesë të planit për identifikimin e kërkesave nuk ka as listë të kërkesave të identifikuara dhe prioritizimit të tyre për investime.

Në raport potencohet se përmes këtyre dokumenteve do të lehtësohej vendimmarrja e menxhmentit për investimet e TI-së.

Ndërkaq, prioritizimi i nevojave në fushën e TI-së është vendosur vetëm përmes diskutimeve në takimet e mbajtura të menaxhmentit të ndërmarrjes, me ç ‘rast mungon edhe dokumentimi i procesit të ndjekur, para se plani i biznesit të paraqitet për aprovim tek Bordi i Drejtorëve.

Vlen të përmendet që ndërmarrja ende nuk ka filluar të përdor sistemin e ri të faturimit.

Sipas ZKA-së, mungesa e procedurave të qarta për të identifikuar kërkesat dhe mangësitë në planifikimin e mirëfilltë të kërkesave të TI-së ka ardhur si pasojë e mungesës së strukturës së plotë të TI- së.

Gjithashtu numrit të kufizuar të personelit, ndarjen jo të qartë të detyrave, mungesës së analizës të detajuar nga divizioni i TI-së si dhe mos prioritizimit të kërkesave të TI-së nga menaxhmenti.

Në raport theksohet se është vërejtur që mungon të kuptuarit e rëndësisë së ndërlidhjes në mes të burimeve të TI-së dhe arritjes së objektivave të ndërmarrjes në përgjithësi.