Foto: KALLXO.com

Ujësjellësi ‘Prishtina’ nuk identifikoi klientët që paguajtën në llogari të kompanisë

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” nuk ka bërë identifikim të klientëve që kanë paguar në llogaritë e kompanisë.

Sipas gjetjeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit, në regjistrat kontabël ka të regjistruar një shumë financiare prej 664,904 euro, e cila ishte krijuar si rezultat i pagesave të klientëve/konsumatorëve të paidentifikuar ndër vite.

“Kompania nuk ka të dhëna të sakta lidhur me klientët/konsumatorët e tillë dhe si rrjedhojë kjo vlerë ishte regjistruar në zërin kontabël me përshkrimin “Avanset nga pagesat e paidentifikuara të konsumatorëve”- thuhet në raport.

Sipas ZKA-së, kjo kishte ndodhur si pasojë e vështirësive në identifikimin e konsumatorëve me rastin e shkarkimit të pagesave nga llogaria bankare.

Sipas zyrtarëve përgjegjës, ky është një problem i bartur që nga fillimi i vitit 2003, kur ka filluar të mbahet në analitikë gjendja e konsumatorëve.

Mosidentifikimi i klientëve të cilët kanë paguar në llogari të kompanisë rrit rrezikun që obligimet e konsumatorëve ndaj kompanisë të mos jenë të sakta, dhe klientët të paguajnë më shumë apo më pak sesa është borxhi faktik.