Objekti privat ku është vendosur MBPZHR

Mosmenaxhimi i projekteve të TI-së në Institutin Bujqësor të Kosovës shkaktoi shpenzime të panevojshme

Në raportin e auditimit Zyra Kombëtare e Auditimit potencon se Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, përkatësisht Instituti Bujqësor i Kosovës, nuk menaxhoi si duhet resurset dhe proceset e zhvillimit të projekteve të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit për të përmbushur qëllimin për digjitalizim.

Raporti i ZKA “Menaxhimi i sistemeve të informacionit në Institutin Bujqësor të Kosovës” u bë për periudhën 2017-2022.

“Ministria dhe Instituti nuk ishin efektivë dhe nuk menaxhuan si duhet projektet e Teknologjisë së Informacionit, me vlerë të përgjithshme prej 700,766 euro, duke mos përfshirë profesionistët e TI-së në planifikimin dhe zhvillimin e këtyre projekteve. Dy sisteme të ndara në vlerë prej 567,406 euro ishin zhvilluar për të njëjtin qëllim, por pavarësisht shpenzimeve këto sisteme nuk janë duke u përdorur”- thuhet në raport.

Për më tepër, Auditori ka vërejtur se kishte rritje të trefishtë të vlerës së kostos totale krahasuar me vlerën e planifikuar.

“Struktura e TI-së mbeti e papërcaktuar dhe rregulloret për organizimin e brendshëm, rolin dhe funksionimin e IBK-së nuk u përditësuan. Për shkak të mungesës së planifikimit të duhur të investimeve, në kuadër të kontratave të ekzaminuara janë bërë shpenzimet e panevojshme prej së paku 98,000 euro”- thuhet më tej në këtë raport.

Më tutje, auditimi konstatoi se Instituti ka mangësi në menaxhimin e kontratave, mungesë të komisioneve profesionale të pranimit të produkteve të TI-së.

Gjithashtu, raporti thekson se janë pranuar dhe miratuar produkte që nuk përmbushin specifikimet minimale teknike, sipas kontratës, si dhe ka mungesë të testeve të sigurimit të cilësisë.

“Nuk janë siguruar mekanizma për ruajtjen e të dhënave dhe vazhdimësinë e funksionimit të sistemeve të informacionit. Ka mungesë të kontrolleve të qasjes fizike dhe mbrojtjes nga fatkeqësitë natyrore ose nga ato të shkaktuara nga njeriu. Mungojnë edhe kopjet rezervë të sistemeve të informacionit, gjë kjo që ndjeshëm rrit rrezikun e ndërprerjes së sistemit dhe humbjes së të dhënave”- thuhet në raportin e ZKA-së.

Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, është shprehur se bazuar në dëshmitë e auditimit, në fushën e sistemit të informacionit në Institutin Bujqësor të Kosovës ka mungesë të sigurimit të cilësisë, mangësi në konfigurimin e sistemit si dhe në sigurinë dhe vazhdimësinë e sistemit.

Mosmenaxhimi i duhur në fushën e TI-së në këtë Institut, sipas raportit të Auditorit, rezultoi me sisteme jofunksionale dhe të papërdorshme të cilat nuk përmbushin qëllimin e blerjes dhe zhvillimit të tyre, për më tepër kanë krijuar shpenzime të panevojshme dhe dëmtime buxhetore.