Foto: Pixabay

Auditori: Ministria për Komunitete dhe Kthim kontraktoi ndërtimin e shtëpive për të kthyerit për 832 mijë euro më shtrenjtë se çmimet e tregut

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se Ministria për Komunitete dhe Kthim nuk ka qenë ekonomike gjatë ndërtimit të shtëpive për të kthyerit pasi lidhi kontrata më shtrenjtë se çmimet e tregut.

ZKA në raportin e performancës “Ekonomiciteti dhe efikasiteti në ndërtimin e shtëpive për të kthyerit’ ka audituar kontratat për ndërtimin e shtëpive për periudhën 2017-2022, në vlerë prej mbi 8.2 milionë euro. Në to përfshihej vlerësimi i nevojave, përcaktimi i vlerës së parashikuar të kontratës, arritjen e ekonomisë gjatë kontraktimit, ndërtimit të shtëpive dhe efikasitetin në përmbushjen e këtyre kontratave.

Po ashtu, ky auditim ka vlerësuar nëse këto shtëpi janë ndërtuar plotësisht, nëse ndërtimi është bërë brenda afateve kohore sipas planit dhe limiteve buxhetore.

“Ministria kishte filluar procedurat e prokurimit pa pasur informacionet e duhura për përfituesit dhe statusin e tyre të banimit. Praktika e tillë ishte përsëritur edhe në kontratën e dytë pavarësisht problemeve të hasura në kontratën e parë. Ministria ka kontraktuar ndërtimin e shtëpive për 832,033 euro më shtrenjtë se sa çmimet e tregut, kjo vetëm duke krahasuar së paku me çmimet e Administratës Tatimore të Kosovës”- thuhet në raport.

Sipas ZKA-së, Ministria kishte ndërtuar shtëpi jashtë planit të përcaktuar në projektin kryesor duke ndërtuar edhe shtëpi të cilat në dukje kanë specifika tjera.

“Kishte dallime të konsiderueshme ndërmjet pozicioneve të kontraktuara për ndërtimin e shtëpive dhe pozicioneve që aktualisht ishin përdorur gjatë ndërtimit të shtëpive”.

Tutje, në raport theksohet se progresi i Ministrisë në përmbushjen e kontratës së dytë për ndërtimin e shtëpive ishte dukshëm më i ngadalshëm se sa ishte planifikuar. Me këtë kontratë ishte planifikuar që brenda tri viteve të ndërtoheshin 150 shtëpi, ndërsa për 29 muaj (2.4 vite) ishin ndërtuar vetëm 26 shtëpi.

“Ministria kishte kontraktuar ndërtimin e shtëpive për 4.4 milionë euro për kontratën e parë dhe 3.8 milionë euro për kontratën e dytë. Mirëpo, nëse Ministria do t’i kishte përfshirë vetëm pozicionet që janë shfrytëzuar realisht, mund t’i kontraktonte ato për 2.4 milionë euro dhe 2.1 milionë euro. Për më tepër, pozicionet e papërdorura kishin çmime dukshëm më të ulëta, pavarësisht se shërbenin për të njëjtin qëllim (p.sh. materiale izoluese, dyer dhe dritare)”- theksohet në raport.

Raportin e plotë të auditimit të performancës “Ekonomiciteti  dhe efikasiteti në ndërtimin e shtëpive për të kthyerit” e gjeni këtu.