LVV dorëzon padi kundër NPB-së dhe 3 kompanive, shkak projekti 120 milionësh

Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë ka dorëzuar padi kundër Ndërmarrjes Publike Banesore(NPB) dhe tre kompanive private, në lidhje me projektin për ndërtimin e përbashkët në vlerë prej 120 milionësh, në mes të NPB-së dhe tre kompanive private.

Egzon Azemi, përfaqësues i Vetëvendosjes, në një deklarim për media para Gjykatës Themelore tha se padia u drejtohet kompanive private që janë pjesë e konzorciumit dhe NPB-së, që sipas tij, po rrezikon pasurinë publike të kryeqytetit.

“Ju bëjmë thirrje organeve të rendit që sa më parë ta trajtojnë këtë lëndë, pasi që rreziku që po i kanoset sigurisë publike është shumë i lartë. Duke u bazuar në Ligjin për ndërmarrjet publike, ku theksohet se ndërmarrjet janë pronë e kuvendit komunal, sot 17 asamblistë kanë dhënë pëlqimin për të ushtruar këtë padi, ndaj konzorcioumit të kompanive dhe ndërmarrjes banesore”, tha Azemi.

Ai bëri të ditur se krahas padisë, është dorëzuar edhe kërkesa për caktimin e masës së përkohshme, për mos zbatim të kontratës së nënshkruar në mes të NPB-së dhe kompanive private.

Azemi ndër të tjera, përmendi edhe shkelje të shumta ligjore, që sipas tij kanë filluar qysh nga hapja e thirrjes për investim në pronën publike, ku nuk kishte as njoftim apo diskutim publik.

Më 4 nëntor 2021, në KALLXO.com është publikuar hulumtimi që pikërisht tregon për projektin e dyshimtë të Ndërmarrjes Publike Banesore, në vlerë 120 milionë euro, për ndërtimin e një kompleksi banesor në lagjen Lakërisht të kryeqytetit.

Në këtë hulumtim tregohet se si ish bordi i drejtorëve kishte shkarkuar kryshefin ekzekutiv të NPB-së, Hajdar Hoxhajn, në pretendimet për shkelje ligjore gjatë projektit në Lakërishte. Vendimi për shkarkimin e kryeshefit nuk ishte protokuluar nga stafi i NPB-së dhe si rrjedhojë tre ditë më pas, aksionarët e Ndërmarrjes kishin shkarkuar dy anëtarët e Bordit.

Gjithashtu, në hulumtim tregohet për procedurat e dyshimta të përzgjedhjes së kompanive fituese, kufizimin e konkurencës, mungesën e transparencës si dhe shkaktimin e rrezikut ndaj banorëve për rreth tokës ku synohet ndërtimit i projektit, përmes ekspozimit ndaj materialeve me përmbajtje të azbestit.

Javën e kaluar, Policia kishte kryer bastisje në NPB. Bastisja u krye për të marrë dokumente që ndërlidhen me projektin e dyshimtë afaristo-banesor të NPB-së, që kap shifrën e 120 milionë eurove.

Këtë bastisje, NPB-ja e ka konsideruar që ka pasur shkelje ligjore..

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, në një konferencë për media e ka quajtur anti-ligjor dhe politik procesin e bastisjes së policisë, pasi thotë se për një orë gjatë këtij aksioni janë fikur kamerat e sigurisë në NPB.

Në ndërkohë, me 25 korrik 2022 është shkarkuar kryeshefi i NPB-së, Hajdar Hoxhaj, nga bordi i drejtorëve të kësaj ndërmarrje.

Shkarkohet kryeshefi i NPB-së (DOKUMENT)