Projekti për termocentralin "Kosova e Re" – Foto: Ministria e Zhvillimit Ekonomik

Ambientalistët ankohen në Vjenë për termocentralin ‘Kosova e Re’

Grupet ambientaliste të hënën paraqitën një ankesë në Unionin Evropian të Energjisë duke sfiduar ligjshmërinë e marrëveshjes për blerjen e energjisë për termocentralin e planifikuar me thëngjill i cili kap vlerën afër 1.3 miliard dollarësh në Kosovë, raporton agjencia e lajmeve Reuters.

Kosova dhe kompania e regjistruar në Londër, ContourGlobal, më 3 maj kanë përzgjedhur një konsorcium të filialeve të General Electric për ta ndërtuar centralin prej 500 megavatë, i cili është projektuar për të përmbushur pothuajse gjysmën e kërkesës për energji të Kosovës.

Qeveria kosovare është zotuar të blejë prodhimin e përgjithshëm të fabrikës dhe kontrata 20 vjeçare e blerjes së energjisë elektrike pret ratifikimin nga parlamenti.

Por aktivistët mjedisorë kanë frikë se marrëveshja do ta tendoste buxhetin e shtetit dhe do të çonte në kosto më të larta për konsumatorët.

Në ankesën drejtuar organit të Komunitetit të Energjisë me seli në Vienë, pesë grupe mjedisore vendore dhe ndërkombëtare thanë se marrëveshja nuk është në përputhje me rregullat e organit për ndihmën shtetërore “sepse i ofron ContourGlobal-it një gamë përfitimesh që i japin asaj një avantazh të padrejtë ndaj prodhuesve të tjerë të energjisë”.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik i Kosovës tha se kontrata është bërë në përputhje me kërkesat e Komunitetit të Energjisë dhe ligjet vendore. “Sipas pikëpamjes sonë, kjo është një çështje e argumentuar (bazuar) në baza tërësisht ligjore”, tha ministri Valdrin Lluka për Reuters.

Grupet gjithashtu thanë se kontrata garanton se një kompani shtetërore do të blinte të gjithë energjinë e prodhuar nga ContourGlobal me një çmim të synuar prej 80 euro për megavat/orë (MWh) – që është shumë më i lartë se çmimet aktuale të energjisë elektrike në rajon.

Shteti gjithashtu do të garantonte një “pagesë të disponueshmërisë” për kompaninë edhe kur energjia nuk është e nevojshme, si dhe pagesat e rrjetit të ContourGlobal, rimbursojnë atë për marrëveshjen që ajo nënshkroi me minierën shtetërore të linjitit dhe sigurojnë tokën për uzinën “për një tarifë prej 10 eurosh”.

“Të themi se qeveria kosovare ka bërë një gabim të tmerrshëm do të ishte një nënvlerësim”, tha Pippa Gallop i nga organizata joqerveritare Bankwatch Network, e cila poashtu është një nga pesë grupet që paraqitën ankesën.

“Çfarëdo që i shtyri ata të nënshkruajnë këtë kontratë absurde, u takon parlamentarëve të Kosovës, organeve publike kosovare dhe ndërkombëtare si Komuniteti i Energjisë dhe Komisioni Europian për të siguruar që ajo të mos ratifikohet, për hir të konsumatorëve dhe taksapaguesve të Kosovës”, shtoi ajo.

Ndërtimi i fabrikës pritet të fillojë këtë vit. Aktualisht, rreth 90 për qind e energjisë elektrike të Kosovës prodhohen nga dy fabrika me qymyr të varfër – Kosova A dhe Kosova B – të cilat janë ndër ndotësit më të mëdhenj të Evropës.

Por qeveria më herët tha se fabrika e re, e cila do të zëvendësojë Kosova A, do të djegë 40 për qind më pak qymyr dhe do të lëshojë 20 herë më pak emetime, raporton Reuters.

Përgatiti: Arta Sopi

13 Maj 2019 - 20:07

Kallxo 13/05/2019 - 20:07
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend