‘Kosova e Re’ e quan të padrejtë vendimin e BQK-së për likuidimin e kompanisë

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti përmes një konferencë për media ka njoftuar se bordi ekzekutiv ka vendosur të revokojë licencën kompanisë së sigurimeve, ‘Kosova e re’, duke nisur kështu procesin e likudimit për këtë kompani.

“Bazuar në kompetencat e BQK-së në takimin e mbajtur sot bordi ka marrë vendim që siguresi, ‘Kosova e re’  t’i revokohet licenca e datës 25 shkurt 2002. Siguruesi, ‘Kosova e re’ ka pasur problem me gjendjen financiare. ‘Kosova e re’ nuk ka arritur të përmbush kushtet ligjore dhe nuk ka pasur gjendje të mirë financiare. Aksionarët nuk iu kanë përgjigjur kërkesës së BQK-së  për rritjen e kapitalit në pajtueshmërisë me kushtet ligjore. Kështu janë hapur procedurat e likudimit të detyrueshëm”, tha Mehmeti.

KALLXO.com ka kontaktuar me Naser Malokun nga kompania ‘Kosova e Re’, i cili e ka quajtur të padrejtë vendimin e Bankës Qendrore.

Maloku tha kompania e sigurimeve, ‘Kosova e Re’ ka kërkuar një muaj afat nga BQK-ja pasi që kishin arritur marrëveshje me një invesitor.

“Kjo është një e padrejtë dhe një krim për kompanitë që punojnë në Kosovë. Bota këqyr në kohë pandemie më i ndihmu bizneset këta shkojnë e falimentojnë kompaninë qesin njerëz në rrugë 160 punëtorë. Kjo është një krim çdo biznes në gjithë botën ndihmohet këtu revokohen. Blerësi ka ardh dje prej Amerikës është arritur marrëveshja, këta nuk e kanë marrë parasysh. BQK-ja dje na ka prit në takim po nuk na ka marrë parasysh, marrëveshja është bo para disa ditësh. Kompania nuk mund të shitet brenda dite, ka qenë kohë pandemie, nuk ke mujt me udhëtu. Tamon arritëm marrëveshje erdhë personi prej Amerike, këta e injoruan. Marrëveshja e ka lyp veç një muaj afat deri sa të rregullohen letrat dhe të bëhet transferi”, ka thënë Maloku për KALLXO.com

Guvernatori, Fehmi Mehmeti gjatë konferencës tha se kanë pranuar një marrëveshje nga, ‘Kosova e Re’ por që nuk ka pasur veprime konkrete.

“Ne kemi pranu një marrëvshje të mirëkuptimit. Ia kemi bërë me dije që jemi në fazën finale dhe dojna veprime konkrete. Asnjë kontratë është vetëm një marrëveshje është”, tha ai.

Ndërkaq, zëvendës guvernatori, Sokol Havolli tha se marrëveshja nuk ka pasur obligime ligjore andaj e kanë konsideruar vetëm si arsye për shtyerje afati.

“Një marrëveshje mirëkuptimi që nuk ka obligime për palët do të nënkuptonte vetëm shtyjere të afatit të likuidimit. Dy hërë është shtyer afati i administrimit. Nuk kemi parë shenjë konkrete që i kemi pa edhe në të kaluarën”, shtoi Havolli.

BQK revokon licencën e kompanisë së sigurimeve, ‘Kosova e re’, fillon procedurat e likuidimit