3 policët e pranojnë fajin për marrje ryshfeti, i 4-ti kërkon lirimin nga akuza

Në rigjykimin e 4 zyrtarëve policorë, të akuzuar për marrje ryshfeti, është dhënë fjala përfundimtare.

Policët Driton Bajrami, Neshat Avdaj dhe Myzafer Sylejmani e kanë pranuar fajësinë për veprën penale që u vihet në barrë nga Prokuroria Themelore e Prizrenit, ndërsa kolegu i tyre, Binak Bytyçi, tha se është i pafajshëm dhe kërkoi të lirohet nga akuza.

Prokurori i shtetit, Mehdi Sefa, në fjalën përfundimtare deklaroi se ngelet në tërësi sikurse në fjalën përfundimtare të dhënë në shqyrtimin gjyqësor.

Sipas prokurorit, sikurse gjatë gjykimit edhe tash në rigjykim, pas administrimit të provave dhe eliminimit të vërejtjeve të Gjykatës së Apelit, është vërtetuar se i akuzuari Binak Bytyçi e ka kryer veprën penale sikurse e përshkruan aktakuza.

Prokurori Sefa i propozoi trupit gjykues që gjatë marrjes së vendimit dhe shqiptimit të dënimit, trupi gjykues të ketë parasysh të gjitha rrethanat lehtësuese për tre të akuzuarit që e kanë pranuar fajësinë.

Mbrojtësi i të akuzuarit Neshat Avdaj, avokat Skender Morina, theksoi se Gjykata e Prizrenit duhet të marrë parasysh se pasi që klienti i tij që nga fillimi i procedurës ka pranuar fajësinë, me rastin e shqiptimi të dënimit ta ketë parasysh pendimin e thellë dhe faktin se është mbajtës i familjes, prandaj t’i shqiptojë një dënim sa më të arsyeshëm.

Avokati Asman Hoxha, mbrojtës i të akuzuarit Driton Bajrami, kërkoi nga trupi gjykues që gjatë shqiptimit të dënimit të ketë parasysh pranimin e fajësisë, pendimin e thellë dhe mungesën e pasojës së rëndë me rastin e kryerjes së veprës penale.

Po ashtu, avokati përmendi faktin se qëndrimi në paraburgim e arrest shtëpiak si dhe rrjedhoja e procedurës penale kanë ndikuar shumë në të mbrojturin e tij, andaj kërkoi nga Gjykata që klientit të tij t’i shqiptojë një dënim edhe nën minimumin e paraparë.

Mbrojtësi Bashkim Nevzati, i cili mbron të akuzuarin Myzafer Sylejmani, theksoi faktin se
‘ meqenëse në rastin konkret kemi të bëjmë me pranim të fajësisë, mbetemi me shpresë që gjykata do t’i ketë të gjitha parasysh dhe me rastin e shqiptimit të dënimit eventualisht t’u mundësojë një propozim lidhur me dënimin e shqiptuar”.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Binak Bytyçi, avokat Rexhep Hasani gjatë fjalës së tij përfundimtare deklaroi se i akuzuari Binak asnjëherë dhe në asnjë provë nuk është vërtetuar se nga ndonjë kundërvajtës ka marrë ndonjë shumë të hollash siç pretendon aktakuza.

Më tutje avokati Rexhep Hasani theksoi se në aktakuzë përmendet se si i akuzuari Binak ka marrë shumë të caktuar parash nga 3 persona, por me asnjë provë materiale, as në video – audio incizim, nuk u provua një fakt i tillë.

Madje sipas avokatit Hasani, në videot e shikuara në asnjë moment nuk vërehet se si Binak Bytyçi po merr shumë të caktuar parash nga asnjë kundërvajtës.

Avokati tha se për të mbrojturin e tij nuk pa pasur urdhëresë për masa të fshehta të vëzhgimit, andaj edhe akuzat ndaj tij nuk qëndrojnë, “pasi që nuk ka prova materiale të cilat e vërtetojnë akuzat e Prokurorisë Themelore Prizren”.

Binak Bytyçi, mbështeti fjalën e mbrojtësit të tij dhe shtoi se ngelet në tërësi siç ka deklaruar më parë se asnjëherë nga askush nuk ka marrë asnjë lloj shume të parave.

Trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Ajser Skenderi kryetare, Luan Berisha dhe Kymete Kicaj anëtarë, caktuan datën 10 dhjetor si ditë për shpalljen e aktgjykimit.

Meqenëse Driton Bajrami, Neshat Avdaj dhe Myzafer Sylejmani kishin pranuar fajësinë për veprën penale të marrjes së ryshfetit, çështja e kthyer në rigjykim ishte zhvilluar vetëm ndaj të akuzuarit Binak Bytyçit.

https://kallxo.com/polici-i-akuzuar-per-ryshfet-asnjehere-askujt-nuk-i-kam-marre-te-holla/

Në nëntor të vitit 2017, Departamenti i Krimeve të Rënda i Gjykatës Themelore Prizren,  trupi gjykues në përbërje Ajser Skenderi kryetare dhe Luan Berisha e Kymete Kicaj anëtarë, kishte shpallur aktgjykimin dënues për zyrtarët policorë, Driton Bajrami, Neshat Avdaj dhe Myzafer Sylejmani, ndërsa ndaj zyrtarit policor Binak Bytyçi Gjykata kishte marrë aktgjykim lirues në mungesë të provave.

Rasti i është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit në fillim të vitit 2018.

https://kallxo.com/tre-police-te-autostrades-denohen-per-marrje-ryshfeti/

Prokuroria Themelore e Prizrenit i ngarkonte të akuzuarit se gjatë periudhës gusht-nëntor 2016, duke vepruar si policë trafiku, drejtpërdrejt kanë kërkuar dhe marrë ryshfet në të holla.

Të akuzuarit ngarkoheshin se këto para i kanë marrë nga shkelësit e rregullave të trafikut, në shuma të ndryshme, duke filluar prej 10 e deri në 100 euro, në mënyrë që të mos u shqiptojnë gjobat kundërvajtëse.

Aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren e përfaqëson prokurori Mehdi Sefa.

Pamje të këtilla ekskluzivisht janë shfaqur në emisionin “Drejtësia në Kosovë”.

www.kallxo.com