Fotografia: Facebook

Takimi te Presidentja Ndan Opozitën

Një ditë para takimit të thirrur nga presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, partitë e bllokut opozitar kanë dalë me vendime dhe qëndrime të ndryshme rreth pjesëmarrjes.

E para e vendit ka ftuar liderët e partive politike në një takim në përpjekje për të gjetur një rrugëdalje për krizën politike, e cila nisi pas marrëveshjeve për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe dhe për demarkacionin me Malin e Zi.

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, është i pari që ka vendosur të shkojë në këtë takim. Lajmin për KALLXO.com e ka dhënë deputeti i AAK-së, Pal Lekaj.

“Sa i përket vendimit të Haradinajt, ai ka një mendim ndryshe, që të mos bojkotohet takimi edhe pse presidentja e vendit asnjëherë nuk i ka shqyrtuar kërkesat e opozitës me seriozitet. Edhe përkundër këtyre fakteve, z. Haradinaj ka menduar se është mirë të shkojë në takim”, tha Lekaj.

Sipas tij, kreu i AAK-së në këtë takim do të marrë pjesë vetëm për të kërkuar zgjedhje të parakohshme dhe zgjedhje të presidentit me vota të qytetarëve, por jo të bisedojë edhe për marrëveshjet.

Deputeti i AAK-së tha se Haradinaj në këtë takim do të shkojë në emër të partisë që drejton dhe se ky veprim nuk sjell përçarje të bllokut opozitar.

“Jo, jo, opozita është e bashkuar me kërkesat dhe kauzat e saj dhe prapë e kemi të njëjtin qëndrim se vendi duhet të shkojë në zgjedhje dhe këtu nuk ka luhatje të opozitës. Përkundrazi, ne çdo ditë po fuqizohemi dhe është një alternativë e qytetarëve”, theksoi Lekaj.

E  kreu i subjektit tjetër opozitar, Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj, akoma nuk ka dhënë një qëndrim se a do të jetë pjesë e takimit te presidentja Jahjaga.

Mirëpo, deputeti i Kuvendit të Kosovës që vjen nga ky subjekt, Zafir Berisha për KALLXO.com tha se opozita duhet të marrë pjesë në takimin e thirrur nga presidentja në mënyrë që “t’ua thonë disa fjalë në sy kryeministrit Isa Mustafa dhe  zëvendëskryeministrit Hashim Thaçi”.

“Unë mendoj që te presidentja opozita duhet të shkojë sepse ka arsye për të shkuar. Opozita këto që i thotë publikisht nëpër media duhet të shkojë t’ia thotë publikisht presidentes, por edhe Hashimit e Isës në sy sepse ata e kanë shkelur Kushtetutën, e kanë futur vendin në krizë dhe duhet të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme”, deklaroi Berisha.

Shkuarja e opozitës në takim me presidenten sipas Berishës është pjesë e betejës politike për të realizuar qëllimin që kjo qeveri të shkojë në shtëpi.

E mosshkuarja në këtë takim sipas deputetit Berisha ka edhe humbje.

“Mendoj që mosshkuarja e opozitës në takim mund të humb në hapat që duhet t’i marrë skena politike në Kosovë, drejt daljes nga kriza me dërgimin e vendit në zgjedhje të parakohshme”, tha ai.

Kundër këtij takimi, janë shprehur përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje.

Frashër Krasniqi nga VV-ja tha për KALLXO.com se ky subjekt politik është kundër takimit në një tryezë me kryeministrin Isa Mustafa dhe zëvendësin e tij, Hashim Thaçi.

“Lëvizja Vetëvendosje tashmë e ka bërë të qartë vendimin e saj që nuk ka kuptim të shkohet në një takim me dy njerëz që e kanë shkelur Kushtetutën e këtij vendi dhe e kanë humbur legjitimitetin popullor”, tha Krasniqi.

Ai tha se Jahjaga, Mustafa dhe Thaçi nuk kanë treguar asnjë shenjë të tërheqjes nga marrëveshjet me Serbinë dhe Malin e Zi.

“Këta njerëz nuk kanë treguar dhe nuk po tregojnë asnjë shenjë të tërheqjes prej marrëveshjeve dhe kjo e bën çdo takim me ta absurd dhe të pakuptimtë. Rrjedhimisht, ne nuk do të shkojmë”, tha Krasniqi.

Një ditë para këtij takimi, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), u ka bërë thirrje liderëve të partive politike që t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së presidentes Atifete Jahjaga.

“Duke qenë se presidenti përfaqëson unitetin e popullit, KDI-ja e përkrah iniciativën e presidentes Jahjaga për dialog ndërpartiak dhe inkurajon liderët e gjitha subjekteve politike që t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së saj”, është thënë në deklaratën e KDI-së.

Ndryshe takimi i presidentes Jahjaga me përfaqësuesit e subjekteve politike pjesëmarrëse në këtë takim do të fillojë në orën 9:00 në objektin e Presidencës. I pranishëm në këtë takim pritet të jetë edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie.