Policia e Kosovës - Foto: KALLXO.com

Rrëfim Ekskluziv: Polici Tregon si u Plagos nga Raketahedhësi

Emisioni i fundit ‘Drejtësia në Kosovë’ transmetoi pamje ekskluzive nga angazhimi dhe detyrat e pjesëtarëve të Njësisë së Mbrojtjes së Afërt të Policisë së Kosovës.

Ky emision solli detaje se si u planifikua dhe si u realizua mbrojtja e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe liderëve shtetërorë në ditën e shpalljes së Pavarësisë 10 vjet më parë.

Gjuajtjet nga vetura dhe jashtë saj janë testuar në situatë reale.

Në vitin 2007, Njësia ishte sulmuar rëndë në atë që hyn në histori si njëri nga sulmet më të rrezikshme ndaj Policisë së Kosovës.

Konvoji i Mbrojtjes së Afërt ishte qëlluar me dy raketahedhës, bombë dore dhe armë automatike.

Njëri nga pjesëtarët ishte plagosur ndërsa agresorët ishin arrestuar 30 minuta më vonë në afërsi të vendit të sulmit.

Për Njësinë misioni ishte i suksesshëm dhe personi i mbrojtur kishte shpëtuar pa ferrë në këmbë.

“Kam dëgjuar në radio lidhje nga operatorët e tjerë se është një sulm nga ana e djathtë. Atëherë jam koncentruar pak më tepër në vozitje, e kam dëgjuar edhe një goditje të madhe në veturë. Pas asaj vozitjes kanë qenë 2, 3 sekonda që është dëgjuar një detonim brenda veturës. Vrimën e pashë në veturë kur është fut dhe pas atij detonimi të dy këmbët e mija më ka shtyrë mbrapa dhe ka hyrë tym e gaz në veturë. E pash që jam plagosur, këmbën e majtë s’mujshua me lëviz hiç”, theksoi polici që u plagos në detyrë.

Emisionin e plotë “Drejtësia në Kosovë” mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm:

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” u transmetua të premten.